Në vend që të përcaktojnë qëndrimet e tyre mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, partitë politike po i largohen gjithnjë e më shumë mundësisë së një konsensusi më të gjerë. Kështu e vlerëson kryetarja e PLD-së, Monika Zajkova, rrjedhën e bisedimeve deri më tani, duke akuzuar se reformat kyçe kanë mbetur jashtë debatit serioz dhe negociatat janë ngarkuar me “vija të kuqe” të paracaktuara.
“Vijat e kuqe u vendosën nga shumica parlamentare dhe kështu u mbyll debati mbi një konsensus të mundshëm”, thotë Zajkova në një intervistë për “Sloboden Peçat”, duke theksuar se PLD-ja e ngriti çështjen e futjes së listave të hapura brenda grupit të punës në pothuajse çdo takim, por pa sukses.
Maqedonia, siç tha ajo, ka nevojë për lista të hapura, që qytetarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në mënyrë që t’i jepet fund atij sulltanati udhëheqës, ku të gjithë do t’i jenë besnikë udhëheqësit për të qenë më lart në listë. “Thjesht nuk kishte dëshirë, ndoshta nga frika e humbjes së pushtetit”, tha Zajkova.
Ajo beson se listat e hapura përfaqësojnë reformën më të rëndësishme zgjedhore, pasi ato do të rrisnin llogaridhënien e zyrtarëve të zgjedhur ndaj votuesve, dhe jo vetëm ndaj udhëheqjeve të partive.
