Etapa e parë e ‘Tour de France 2026’, një kronometër ekipor prej 19.6 kilometrash në rrugët e Barcelonës, solli spektakël dhe një format të ri garimi. Fitues doli ekipi Visma-Lease a Bike, ndërsa Jonas Vingegaard siguroi fanellën e verdhë për herë të parë që nga triumfi i tij në edicionin e vitit 2023. Çiklisti danez ishte vendimtar në ngjitjen e fundit drejt Stadiumit Olimpik në Montjuïc.
Pasi shokët e ekipit bënë punën më të madhe në pjesët e sheshta të itinerarit, Vingegaard shpërtheu në kilometrat e fundit dhe i dha fitoren skuadrës së tij. Në vendin e dytë u rendit Filippo Ganna i ekipit Netcompany Ineos, me tetë sekonda vonesë.
Skuadra britanike humbi shumë kohë pasi Kévin Vauquelin pësoi një shpim gome dhe u detyrua të ndërronte biçikletën pak para pikës së tretë matëse. Podiumi u plotësua nga Tadej Pogaçar dhe ekipi UAE Emirates-XRG, që mbetën 12 sekonda pas fituesve.
Slloveni ishte çiklisti më i shpejtë në ngjitjen e fundit prej 3.7 kilometrash dhe si shpërblim fitoi fanellën me pika, të dedikuar për liderin e klasifikimit malor. Etapa inauguruese shënoi edhe debutimin e formatit të ri të kronometrit ekipor në ‘Tour de France’.
Ndryshe nga rregulli tradicional, renditja e etapës përcaktohet nga koha e çiklistit më të shpejtë të çdo ekipi, ndërsa për klasifikimin e përgjithshëm secili garues regjistron kohën e tij individuale. Skuadra spanjolle Caja Rural-Seguros RGA ishte e para që u nis nga bregdeti i Barcelonës, ndërsa Alex Molenaar vendosi kohën e parë referente me 22 minuta e 59 sekonda.
Më pas, ekipet franceze përmirësuan rezultatin falë Jordan Jegat të TotalEnergies dhe kampionit francez Romain Grégoire të Groupama-FDJ United. Më vonë, Alpecin-Premier Tech mori përkohësisht kryesimin me Mathieu van der Poel, por performanca e shkëlqyer e Netcompany Ineos dhe më pas dominimi i Visma-Lease a Bike e vulosën renditjen përfundimtare të etapës hapëse.
Vingegaard e nis kështu në mënyrën më të mirë garën më të madhe çiklistike në botë, duke marrë menjëherë fanellën e verdhë dhe një avantazh të rëndësishëm ndaj rivalëve kryesorë në betejën për titullin e përgjithshëm. Rezultatet 1.Jonas Vingegaard (Team Visma | Lease A Bike) 00h 21′ 47” 2. Filippo Ganna (Netcompany Ineos Cycling Team) + 00h 00′ 08” 3.
Tadej Pogacar (UAE Team Emirates XRG) + 00h 00′ 12” 4. Juan Ayuso (LIDL-Trek (+ 00h 00′ 16”) 5. Remco Evenepoel (Red Bull – Bora – Hansgrohe) + 00h 00′ 19” 6. Isaac Del Toro (UAE Team Emirates XRG) + 00h 00′ 26” 7. Davide Piganzoli (Team Visma | Lease A Bike) + 00h 00′ 28” 8. Florian Lipowitz (Red Bull – Bora – Hansgrohe) + 00h 00′ 35” 9.
Tobias Foss Netcompany Ineos Cycling Team) + 00h 00′ 38” 10. Paul Seixas (Decathlon CMA CGM Team) + 00h 00′ 39”
