Shpërndaje në: Nga janari, 46 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku, tre nga të cilët në 24 orët e fundit. Në Polici kanë bërë të ditur se në rreth 10 mijë aksidente që kanë ndodhur për gjashtë muaj, diku 7 mijë e 500 persona janë lënduar. Ekspertët rekomandojnë masa më të forta parandaluese dhe strategji për sigurinë rrugore.
Rezana Bozhlani Tre persona kanë vdekur brenda 24 orësh në aksidente në Kosovë. Një ka mbetur i vdekur pas vetaksidentit në orët e para të së shtunës në fshatin Gërdoc të Podujevës. Ndërkaq, të premten mbrëma, shoferi dhe pasagjeri që ndodheshin në një motoçikletë vdiqën pas një aksidenti në Obiliq, kurse një këmbësor pësoi lëndime.
Policia ka bërë të ditur të ditur se nga janari e deri në qershor, kanë ndodhur 10 mijë e 170 aksidente. Në këto aksidente jetën e kanë humbur 46 persona, kurse 7 mijë e 482 kanë mbetur të lënduar. Vitin e kaluar në të njëjtën periudhë në 40 aksidente fatale patën humbur jetën 45 persona.
Njohësi i komunikacionit, Nol Dedaj, ka thënë se një ndër faktorët që ka ndikuar në këtë numër aksidentesh, është mungesa e masave nga institucionet.
“Nuk ka asnjë institucion që është duke u marrë me parandalimin e aksidenteve, përveç policisë e cila e ka punë rutinore, të përditshme, për të mundur ta realizojë, e ajo nuk është e mjaftueshme, në qoftë se nuk ndërhyn edhe Ministria e infrastrukturës”, ka thënë Dedaj.
Dedaj ka treguar se çfarë veprimesh institucionale duhen marrë, në funksion të uljes së numrit të aksidenteve përmes masave parandaluese të bazuara në analiza dhe studime.
“Pra për me mujtë me arrit, që numrin e aksidenteve me zvogëlu edhe për me marrë masa, është shumë e rëndësishëm që të krijohet strategjia e sigurisë në komunikacion rrugor, e cila përmes sektorëve të veçantë të saj dhe hulumtimit, i hulumton dhe i identifikon faktorët të cilët ndikojnë, dhe i merr masat preventive, në bazë të studimeve ose hulumtimeve që i bën”, ka thënë ai.
E, në Polici kanë thënë se vazhdimisht merren masa për parandalimin e aksidenteve në trafik. “Policia, për të parandaluar aksidentet në trafik, në vazhdimësi analizon të dhënat, harton plane operative, bënë fushata dhe si masë parandaluese ndëshkon shkelësit në trafik”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim në Policinë e Kosovës.
Gjatë periudhës janar-qershor, janë shqiptuar rreth 400 mijë gjoba në komunikacion, rreth 6 për qind më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar. Policia ka apeluar që pjesëmarrësit në komunikacion, e në veçanti ngasësit e automjeteve, t’i respektojnë rregullat dhe të përqendrohen gjatë drejtimit të automjetit.
