Në fshatin Cërnicë të Gjilanit janë vendosur kamera të sigurisë në kuadër të një projekti që synon rritjen e sigurisë publike, parandalimin e veprave penale dhe mbrojtjen e pronësisë.
Sipas njoftimit të Policisë, projekti është realizuar nga Komuniteti Lokal për Siguri Publike (KLSP) në Cërnicë, në bashkëpunim me koordinatorin e Projekteve për Komunitet dhe Parandalim në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjilan.
Financimi i projektit është bërë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), ndërsa është mbështetur edhe nga Komuna e Gjilanit, e cila ka siguruar furnizimin me energji elektrike për funksionimin e sistemit të kamerave.
Sipas Policisë, qëllimi i këtij projekti është rritja e sigurisë publike, parandalimi i veprave penale, mbrojtja e pronës dhe krijimi i një ambienti më të sigurt për qytetarët. Policia bëri të ditur se projekti është mirëpritur nga banorët e fshatit Cërnicë, të cilët e kanë vlerësuar atë si një iniciativë të rëndësishme për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Policia e Kosovës dhe Komiteti Lokal për Siguri Publike në Cërnicë kanë theksuar përkushtimin e tyre për identifikimin dhe adresimin e nevojave të komunitetit, me qëllim krijimin e ambientit më të qetë dhe më të sigurt për të gjithë.
