Nga: Donisa Fazliu Shpërndaje në: Sot në Gjykatën Themelore në Pejë vazhdon gjykimi ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan. Në seancën e sotme do të vazhdojë paraqitja e fjalëve përfundimtare. Në seancën e kaluar prokurorja Sahide Gashi ka kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për vrasjen e tre personave më 2021 në Gllogjan, përfshirë dy të mitur.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit kryen sulmin për motive hakmarrjeje, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin. Në aktakuzë thuhet se cak i vrasjes ishte qenë shoferi i autobusit, tani i ndjeri Gani Gjokaj dhe se vrasja ka ndodhur për hakmarrje, pasi familja Mehmetaj e ka ka fajësuar atë si shkaktar të vetëvrasjes së vajzës së tyre Heroina Mehmetaj.
Në aktakuzë thuhet se, i pandehuri Halil Mehmetaj, ishte betuar në hakmarrje ndaj tani të ndjerit Gjokaj, si dhe me rastin e ceremonisë së varrimit të të ndjerës, vajzës së tij, në arkivolin e saj ka vendosur orën e tij të dorës.
Po ashtu në aktakuzë përshkruhet se si të akuzuarit në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin kanë studiuar terrenin me kujdes, duke u siguruar se nuk ka mbulueshmëri të kamerave dhe shtëpi në afërsi, duke i zënë priten autobusit që vinte nga Gjakova në drejtimin e Gllogjanit dhe pastaj njëri nga ta kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke i lënë të vdekur tre persona.
Sipas organit të akuzës, i pandehuri Kastriot Mehmetaj pasi ka marrë pushkën automatike AK-47, është nisur në këmbë deri tek vendi i ngjarjes dhe me të vërejtur dritat e autobusit, ka dalë në mes të rrugës i kthyer më shpinë nga automjeti dhe me qëllim që ta detyrojë të ulë shpejtësinë apo ndalojë, ka bërë sikur është i dehur.
Dhe kur shoferi fillimisht e ka sinjalizuar me drita të gjata e pastaj edhe ka ulur shpejtësinë, sipas aktakuzës, i pandehuri Kastriot Mehmetaj në distancë prej rreth 6 metrash ka marrë në shënjestër shoferin e autobusit, tani të ndjerin Gani GJokaj dhe e ka goditur për vdekje, e po ashtu godet edhe dy nxënës L.H. 17-vjeçar dhe G.M. 17-vjeçare, si dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore F.T.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Kastriot Mehmetaj ka ikur në drejtim të fshatit Shaptej, ku në mes të rrugës ishte duke e pritur me veturë i pandehuri Kreshnik Mehmetaj dhe pasi ka mbërritur në shtëpi ka shkatërruar armën.
E i pandehuri Halil Mehmetaj, nga data , gjerë më , në fshatin Gllogjan, në rrugën “Ismajl Haradinaj”, ka shtyrë të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, në vrasjen e tani të ndjerit Gani Gjokaj, të cilin para tyre e ka fajësuar si shkaktar të vetëvrasjes së vajzës së tij Heroina Mehmetaj.
