Ishte një natë sterrë e zezë. Binte një shi i furishëm. Qielli çahej nga vetëtimat që për një çast ndriçonin fytyrën e zbehtë të nënës, e cila thoshte me vete uratë të ulëta. – Mëshirë, o i Sh’Pal e i Sh’Pjetër! – dëgjoheshin mërmëritjet e saj pas çdo bubullime. Ne ishim shtrirë në krevat dhe ajo na kishte mbuluar me një batanije të leshtë, të punuar prej saj.
Unë strukesha gjithnjë e më shumë pranë vëllait tim sa herë që vetëtinte. Më dukej sikur dikush, përtej dritares, përpiqej të shquante trupat tanë të strukur. Ndoshta një hije e frikshme nate, me kthetra të padukshme, lëvizte në përfytyrimin tim pas xhamit. Më kishte pushtuar një frikë e madhe. Dridhesha si të më kishin mbështjellë me akull.
Ashtu, i strukur në gjirin e vëllait, me kokën nën batanijen e trashë të punuar me dorë, gati pa frymë, më zuri gjumi. Kisha fjetur i mbledhur si një iriq që mbrohet nga rreziku. Ajo natë e zezë dhe ai shi i furishëm, që kishte përlarë arën me misër përpara shtëpisë sonë, lanë në kujtesën time një gjurmë të pashlyeshme ankthi, ndoshta sepse për herë të parë ndihesha i pambrojtur.
Unë flija me gjyshin, në dhomën e tij në katin e epërm të kullës. Edhe kur kishte miq, ai nuk harronte të më merrte pranë vetes. Vetëm unë dhe ai kishim të drejtë të hynim lirshëm në atë dhomë të vogël, përballë shkallëve, ngjitur me dhomën e miqve, ku ndodhej krevati ynë dhe arka e tij e vjetër. Në atë arkë të gdhendur me kujdes, që në rininë e tij, ruhej një kuti e vogël prej argjendi.
Gjyshi thoshte se ishte tepër e rëndësishme, sepse brenda saj ndodhej një tub letre që ai nuk dinte ta lexonte. Sipas tij, aty ishte shkruar historia e fisit tonë, amaneti i gjyshit të gjyshit, që ia kishte lënë i vëllai prift pak para vdekjes. Në atë letër të mbështjellë shkruhej rrjedha e parë e gjakut tonë. E kishte hapur me kujdes dhe kishte nxjerrë ngadalë tubin e zverdhur të letrës.
Në kapakun e kutisë ishte gdhendur një zog i vogël, me kokën mënjanë, që në sqep mbante një shenjë të pakuptueshme, simbol i kujtesës së amanetit të të parëve. Sipër tij ndodheshin disa germa që askush nuk dinte t’i lexonte. – Ti do ta ruash me kujdes, biri im, edhe kur unë të kem vdekur, – më thoshte shpesh gjyshi. Dhe kështu, ajo kuti e vjetër më dukej se më përkiste mua.
Madje, më dukej se nuk ekzistonte amanet tjetër veç atij që mbante ajo. Bash atë mbrëmje, tre veta erdhën në shtëpinë tonë dhe e morën babanë.
Makina u largua me shpejtësi drejt majëkodrës së vogël, ku ndodhej një dardhë e vjetër, nën hijen e së cilës burrat tanë pushonin në verë, kur kositnin livadhet përreth. – Mëshirë, o i Sh’Pal e i Sh’Pjetër! – ishin fjalët e fundit që më mbetën në kujtesë nga ajo natë e errët e bubullimshme, bashkë me një drithërimë të thellë frike.
Pas saj, dielli i mëngjesit ndriçoi sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Por kulla jonë qëndronte e heshtur mbi kodër, si një dragua i plagosur. Kështu nisi një jetë tjetër për familjen tonë, pa babanë dhe pa gjyshin. Gjyshi përpiqej të gjente drejtësi për të birin, që e quante krejt të pafajshëm. Nuk kaluan as dy muaj dhe babai u dënua.
Në bisedat e tij, gjyshi thoshte se ishte dënuar për arsye politike. Pas kësaj, ai u bë krejt i heshtur. – Eh, medet… kush guxon të hyjë në shtëpinë tonë? – mërmëriste shpesh. Pastaj përpiqej të më shpjegonte atë që kishte ndodhur. Dimri erdhi i ashpër, siç dinë të jenë dimrat e bjeshkëve. Bora mbuloi malet, fushat dhe brinjat, duke krijuar një bardhësi të heshtur.
Në ato ditë, gjyshi dha shpirt. Kulla u bë edhe më e errët, e zezë në mes të bardhësisë pa fund. Askush nuk hyri në shtëpinë tonë. E varrosëm gjyshin vetëm ne. Xhaxhai mori djepat tanë të fëmijërisë dhe prej tyre përgatiti një arkivol. Aty do të flinte përgjithmonë. Bora binte me flokë të dendur. E varrosëm në krye të livadhit, nën hijen e dardhës së egër, larg varrezave të katundit.
Ishte vendi ku pushonte dikur në verë. Tani, në zemër të dimrit, do të mbetej i vetëm nën atë dardhë gjetherënëse. Xhaxhai futi në arkivol edhe kutinë e vogël të argjendtë që gjyshi ma kishte premtuar mua. Qava me gjithë shpirt. Por kur pashë kutinë brenda arkivolit, dhimbja ime u dyfishua. Askush nuk e ndali atë çast. Kutia u varros bashkë me të.
Më morën për dore dhe më larguan nga varri. Sa herë përmendej gjyshi, unë qaja përsëri. Kutitë e tij më ndiqnin në heshtje. Pak muaj më vonë, familjen tonë e internuan në një zonë të largët, pranë një kënete. Atje, në bjeshkë, mbetën vetëm ai dhe kulla e vjetër. Edhe kutia, bashkë me amanetin e të parëve, mbeti nën dhe. Im atë doli nga burgu në atë kapërcyell kohësh.
Kur burgjet u hapën, unë vazhdoja shkollën e mesme. Më pas, si nxënës i dalluar dhe si pjesë e një historie të dhimbshme familjare, fitova të drejtën të studioja. U diplomova në arkeologji me rezultate të mira. Një ditë, im atë erdhi në zyrën time dhe kërkoi që të shkonim për të marrë gjyshin. Ai nuk duhej të qëndronte më i vetëm në hijen e dardhës.
Unë kundërshtova në fillim, por ai këmbënguli. – Ai është varrosur si njeri pa njeri. Dua ta kemi pranë. Ajo kuti e vjetër u kthye sërish në mendjen time. E pashë varrosjen e tij si një skenë që nuk ishte shuar kurrë. Në fund të pranverës, kur shkuam atje, livadhet ishin mbushur me lule. Dardha e vjetër, për çudi, nuk ishte tharë. Kulla qëndronte e zezë dhe e heshtur.
Gjithçka dukej e braktisur. Im atë rrinte nën dardhë, ndërsa punëtorët gërmonin varrin. Duhani i tij ngrihej si mendime të paformuara. Xhaxhallarët qëndronin të heshtur. Brenda meje u ringjall ajo natë e largët. – Mëshirë, o i Sh’Pal e i Sh’Pjetër… Kazma u ndal. Varri ishte hapur. Dërrasat u shfaqën të kalbura. Eshtrat dolën ngadalë. Dhe më pas, kutia. E mora në duar. E fshiva me kujdes.
E hapa. Zogu i vogël ishte ende aty. Mbishkrimi mezi lexohej: “Dignae Nationi” – “Kombit të denjë”. Në atë çast, e kuptova se nuk kisha në duar vetëm një kujtim, por një dëshmi të thellë të historisë dhe vetëdijes së një kombi. E mbylla dhe e ruajta me kujdes. Makina u largua nga livadhet, kur telefoni ra. Më njoftuan për lindjen e tim biri.
E dëgjova të qarat e tij të para në telefon, pikërisht në të njëjtën ditë kur kisha bërë “zbulimin” tim të parë arkeologjik. Dhe tani kthehem shpesh atje, te kulla e vjetër, në gjirin e maleve, ku kujtesa nuk pushon kurrë së foluri.
