Aktori turk Oktay Çubuk ka ndarë për herë të parë detaje nga periudha e vështirë që përjetoi pas një arresti kardiak të pësuar rreth dy muaj më parë gjatë pushimeve në Lisbonë. Pas incidentit, ai u transportua me urgjencë në repartin e kujdesit intensiv, ku mori trajtim mjekësor. Gjendja e tij u stabilizua dhe më pas u lirua nga spitali, ndërsa aktualisht ndodhet në proces rikuperimi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Çubuk zbuloi se, sipas mjekëve, për disa çaste zemra e tij kishte ndaluar së rrahuri. “Sipas mjekëve, për një moment të shkurtër unë humba jetën dhe më pas u ktheva sërish. Nuk e di pse më ndodhi kjo dhe nuk e di si do të vazhdojë jeta ime nga këtu e tutje. Por një gjë e di me siguri: jam shumë me fat, sepse jam ende këtu”, shkroi aktori.
Ai falënderoi familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e mbështetën gjatë kësaj periudhe të vështirë, duke theksuar se kjo përvojë i ka ndryshuar mënyrën se si e sheh jetën. “Sa kohë jemi gjallë, ka shpresë. Çdo ditë është një mundësi për t’u bërë një njeri më i mirë dhe për të lënë një gjurmë pozitive”, u shpreh Çubuk, duke shtuar se beson se me kalimin e kohës do të rikuperohet plotësisht.
