Njëri nga protestuesit e liruar sot nga gjykata në Tiranë ishte edhe Niko Qarkaj, rasti i të cilit shkaktoi reagime të shumta te qytetarët dhe pjesëmarrësit në protestë. Sipas denoncimeve, pas arrestimit gjatë protestës së së enjtes para Parlamentit, Qarkaj është dhunuar në ambientet e komisariatit, ndërsa gjatë qëndrimit në paraburgim ka pësuar edhe kriza epilepsie.
Edhe gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar sot, ai pati një tjetër krizë epilepsie. Më pas, gjykata vendosi lirimin e tij për mungesë provash. Pas daljes nga Komisariati Nr. 3, ku ishte pritur nga qytetarë të shumtë, Qarkaj u ngjit mbi kangjellat e hyrjes dhe nxori nga xhepi një vezë, duke deklaruar: “Kjo ishte arma ime”. Më pas, ai e hodhi vezën në oborrin e komisariatit.
