Rusia po zhvendos një pjesë të konsiderueshme të sistemeve të saj të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur disa objektiva strategjikë, përfshirë Moskën. Disa të tjera, po i dërgon për të mbrojtur rezidencat e kreut të Kremlinit, Vladimir Putin.
Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenski, kjo po ndodh pasi dronët me rreze të gjatë veprimi të shtetit të tij, po godasin objektiva thellë brenda territorit rus.
Duke folur për sulmet e radhës që u kryen natën mes të mërkurës dhe të enjtes, Zelensky tha se forcat ukrainase goditën edhe dy rafineri nafte në Ufa, rreth 1.500 kilometra nga vija e frontit, si dhe një depo nafte në rajonin e Krasnodarit, rreth 300 kilometra larg kufirit me Ukrainën.
Ky shtet, muajt e fundit ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj objekteve ushtarake dhe infrastrukturës energjetike ruse. Sipas Kievit, këto sulme kanë shkaktuar mungesa të karburantit dhe kanë penguar linjat e furnizimit të ushtrisë së Vladimir Putinit, duke vështirësuar ofensivën e Moskës pas më shumë se katër vjetëve luftë.
Në fjalimin e tij Zelensky tha se Rusia po dërgon më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore në Moskë, si dhe në Valdaj, një qytet rreth 500 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit rus, ku ndodhet një nga rezidencat e presidentit Vladimir Putin. Ai shtoi se mbrojtje e shtuar po i ofrohet edhe Urës së Kerçit, një rrugë kyçe furnizimi që lidh Gadishullin e Krimesë me territorin rus.
“Vetëm në rajonin e Moskës ata kanë grumbulluar qindra lëshues raketash për mbrojtjen ajrore. Gati 90 lëshues janë zhvendosur në Valdaj nga rajone të tjera të Rusisë”, tha Zelensky. Pretendimet e presidentit ukrainas nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur, ndërsa autoritetet ruse nuk kanë reaguar menjëherë, shkruan AP, transmeton KosovaPress.
Gjatë këtij muaji, dronët ukrainas kanë goditur Moskën dhe Shën Petersburgun, qytetin e dytë më të madh të Rusisë dhe vendlindjen e Putinit. Ukraina synon gjithashtu të izolojë Krimenë, gadishullin në Detin e Zi që Rusia e pushtoi dhe e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014.
Sipas Zelenskyt, zhvendosja e sistemeve të mbrojtjes ajrore do t’i bëjë më të cenueshme pjesë të tjera të Rusisë ndaj dronëve ukrainas, të cilët tashmë mund të fluturojnë mbi 1.500 kilometra. “Rusia po përballet me shumë vështirësi, të gjitha sepse Putini refuzon t’i japë fund luftës dhe të dëgjojë propozimet tona për një takim, negociata të vërteta dhe një paqe me dinjitet”, tha ai.
Zelensky rikujtoi se ka pranuar armëpushimin pa kushte të kërkuar nga presidenti amerikan Donald Trump, por, sipas tij, Putini e ka refuzuar atë, ndërsa përpjekjet njëvjeçare të udhëhequra nga SHBA-ja nuk kanë sjellë përparim të rëndësishëm.
Nuk dihet nëse sulmet që Ukraina po i kryen ndaj Rusisë ishin arsyeja, por kryetari nga Kievi “përfitoi” një mbështetje të “papritur” nga homologu i tij në Washinton,.
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili më herët kishte qenë kritik ndaj Zelenskyt, sidomos kur ky i kishte shkuar mysafir në Shtëpinë e Bardhë, në shkurt të 2025, deklaroi të mërkurën se lideri ukrainas është “guximtar” dhe se “po ia del mjaft mirë” në luftë.
