Me vite e dekada, shumë figura, klane dhe grupe interesi e kanë keqpërdorur platformën e ashtuquajtur “filozofia rugoviste”, duke tentuar të krijojnë mite historike në emër të Ibrahim Rugovës. Këto grupe interesi tashmë janë zhveshur nga demagogjia e dështuar, e cila u shërbeu për ndërtimin e karrierave me qëllime personale, grupore apo klanore.
Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës është varfëruar politikisht dhe është zhveshur nga fuqia e dikurshme, duke qëndruar si partia e tretë në skenën politike të Kosovës. Këto figura dhe klane, të cilat e shfrytëzuan kapitalin politik të platformës së “rugovizmit”, tashmë e kanë ndarë partinë përmes fraksioneve të ndryshme, si brenda ashtu edhe jashtë saj.
Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, në Lidhjen Demokratike të Kosovës depërtuan papritmas emra dhe figura të dyshimta, të cilat dikur kishin qenë pjesë e ish-sistemit komunist. Që nga paslufta, Lidhja Demokratike e Kosovës është zhvatur dhe shantazhuar nga grupe të caktuara interesi, të cilat edhe sot, përmes formave të ndryshme, po e dëmtojnë partinë për interesa të ngushta karrieriste.
Kriza në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka filluar shumë më herët, që nga “Kuvendi i Karrigeve”, duke vazhduar me kriza të reja, me largimin e Fatmir Sejdiut nga drejtimi i partisë dhe marrjen e timonit, sipas kritikëve, nga Isa Mustafa.
Askush nuk e kishte imagjinuar apo besuar se në strukturat e kësaj partie do të depërtonin individë që dikur kishin qenë pjesë e partive të tjera dhe kundërshtarë të ashpër të liderit historik, Ibrahim Rugova.
Këto fraksione e kanë sjellë Lidhjen Demokratike të Kosovës në pozitën e partisë së tretë, e cila nuk po arrin të konsolidohet për shkak të ambicieve karrieriste të grupeve të interesit.
Kur flasim për gjendjen aktuale në këtë parti, e cila vazhdimisht e përdor narrativën e partisë shtetformuese, duhet theksuar se ajo ka dështuar të japë kontributin e nevojshëm në konstituimin e institucioneve të shtetit të Kosovës. Nuk ka dyshim se në këtë parti sot nuk dihet qartë se kush e ushtron autoritetin real dhe kush përfaqëson grupet dhe klanet që veprojnë brenda saj.
Eksperimentet e bëra në këtë parti, duke filluar nga ardhja e ish-kryetarit Isa Mustafa, e duke vazhduar me gabime dhe dështime të njëpasnjëshme, sipas kritikëve edhe gjatë drejtimit të Lumir Abdixhikut, si dhe me aventurën politike të Vjosa Osmanit, e kanë përçarë Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe ia kanë zbehur imazhin dita-ditës.
Në këtë parti po bëhen gjithashtu gabime dhe lëshime në aspektin kadrovik dhe organizativ, duke u dhënë hapësirë figurave që, sipas shumë anëtarëve, nuk kanë asgjë të përbashkët me traditën e dikurshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dështimi i fundit, duke jetuar me retorikën e folklorizmit patriotik, ishte edhe zgjedhja e Përparim Ramës në krye të Komunës së Prishtinës.
Sot, Prishtina përballet me probleme të shumta urbane dhe menaxheriale, ndërsa shumë nga premtimet për ndërtimin e një qyteti modern dhe metropolitan, sipas kritikëve, nuk janë realizuar. Këtë, sipas tyre, e dëshmojnë gjendja faktike në kryeqytet, si dhe një varg vendimesh të kontestuara që kanë përfunduar në procedura gjyqësore.
Vendimet e gjykatave kompetente në disa raste kanë rezultuar me pasoja financiare për buxhetin e Komunës së Prishtinës. Paradoksi më i madh, që sipas shumë vëzhguesve tregon se LDK-ja e ka humbur drejtimin politik dhe organizativ, është lajmi se Përparim Rama mund të jetë një nga emrat për drejtimin e ardhshëm të partisë.
Për kritikët e kësaj ideje, kjo do të ishte një goditje e rëndë për partinë që dikur u themelua dhe u udhëhoq nga lideri historik, Dr. Ibrahim Rugova, emri i të cilit, sipas tyre, është keqpërdorur nga figura që sot vazhdojnë betejën për kontrollin e partisë.
