Ngjarja tragjike që tronditi Shkodrën ka rikthyer në qendër të vëmendjes fenomenin e dhunës ndaj grave dhe nevojën për ndërhyrje të hershme. E ftuar në “Ora News”, psikologia Almeida Xhaferi theksoi se vrasjet në familje nuk janë akte që ndodhin papritur, por janë fundi i një cikli të gjatë dhune psikologjike, kontrolli dhe izolimi.
Psikologia Almeida Xhaferi shprehu fillimisht ngushëllimet për familjen e viktimës, duke e cilësuar ngjarjen një tragjedi që prek mbarë shoqërinë. Sipas saj, raste të tilla shkaktojnë reagim të fortë publik, por shpesh mungon puna konkrete për t’i parandaluar.
Ajo nënvizoi se dhuna nuk shpërthen papritur për motive të parëndësishme, siç paraqitet shpesh në kronikat e lajmeve, por është rezultat i një procesi të gjatë që nis me dhunën psikologjike. Xhaferi shpjegoi se shenjat e para shfaqen kur gruaja zhvlerësohet, poshtërohet dhe izolohet gradualisht nga familja, miqtë dhe jeta sociale.
Sipas saj, kontrolli mbi lëvizjet, ndalimi për të punuar apo për të takuar familjarët janë forma të hershme të abuzimit, të cilat më pas mund të përshkallëzohen në dhunë fizike. Psikologia theksoi se shumë gra jetojnë për vite të tëra në marrëdhënie të dhunshme, duke shpresuar se episodi nuk do të përsëritet ose duke menduar se nuk kanë mbështetje për të nisur një jetë të re.
Në shumë raste, ato zgjedhin divorcin pa e denoncuar dhunën, ndërsa në rastet më të rënda, përballen me pasoja fatale. Xhaferi shtoi se dhunuesi e rrit gradualisht intensitetin e sjelljes së tij, ndërsa viktima bëhet gjithnjë e më e izoluar dhe e varur emocionalisht, çka e bën edhe më të vështirë largimin nga marrëdhënia abuzive.
Duke analizuar faktorët që ndikojnë në këtë fenomen, psikologia u shpreh se shumë gra që mbeten në marrëdhënie të dhunshme janë rritur në familje ku dhuna është normalizuar si mënyrë për zgjidhjen e konflikteve. Sipas saj, edukimi me bindjen se divorci është turp për familjen ose se gruaja duhet të durojë çdo situatë krijon barriera të forta që i pengojnë viktimat të kërkojnë ndihmë.
