Tirana po vijon përgatitjet për sezonin e ri nën drejtimin e trajnerit Dean Klafuriç. Kroati prej pak ditësh ka nisur punën me skuadrën bardheblu. Në seancat e para stërvitore nuk kanë munguar lëvizjet dhe vlerësimet për grupin aktual, teksa trajneri kroat po mundohet të krijojë një panoramë sa më të qartë për futbollistët që do të ketë në dispozicion gjatë kampionatit.
Megjithatë, jo të gjithë lojtarët kanë qenë të pranishëm në stërvitje. Luçiano Vera, Fredi Alvarez dhe Bazilio Ndong kanë munguar në seancat e fundit, ndërsa në stërvitjen e djeshme nuk mori pjesë as sulmuesi Oluabori Falaje. Tre lojtarët e parë janë me leje, ndërsa për Falajenë ende nuk ka një sqarim zyrtar. Paralelisht, bardheblutë po testojnë edhe disa futbollistë që ndodhen në provë.
Këta lojtarë do të kenë mundësinë të tregojnë vlerat e tyre deri në nisjen e skuadrës për fazën përgatitore në Turqi, ku Tirana do të zhvillojë edhe ndeshje miqësore për të rritur ritmin dhe për të konsoliduar grupin.
Vendimi përfundimtar për secilin prej tyre do të merret nga trajneri Klafuriç, i cili do të përcaktojë se kush meriton të jetë pjesë e projektit të ri të klubit dhe të firmosë kontratë me bardheblutë. Nga ana tjetër, merkatoja e Tiranës mbetet aktive. Në ditët në vijim pritet të mbërrijë në kryeqytet edhe mbrojtësi kroat Anton Kresiç, i cili vjen nga CFR Kluzhi.
Futbollisti 30-vjeçar shihet si një nga afrimet më të rëndësishme të verës, pasi pritet të sjellë eksperiencë dhe siguri në qendër të mbrojtjes. Me ardhjen e tij, Tirana synon të plotësojë një nga repartet ku kërkohej ndërhyrje e menjëhershme. Deri në udhëtimin drejt Turqisë, pritet të ketë lëvizje të tjera si në hyrje, ashtu edhe në dalje.
Klafuriç dhe drejtuesit e klubit po punojnë për të ndërtuar një skuadër konkurruese, me objektivin për ta rikthyer Tiranën në garën për trofetë pas një sezoni zhgënjyes. Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të kuptuar formën përfundimtare që do të marrë grupi bardheblu për sezonin 2026-2027.
