Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka mohuar deklaratat e kryetarit të Forumit Kombëtar Serb nga Graçanica Momçillo Trajkoviq, i cili në një intervistë për gazetën serbe Danas pretendoi se Komuna e Obiliqit është pjesë e organizimit të shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, transmeton KosovaPress.
“Nga ana tjetër, kemi iniciativën e udhëheqjes së Komunës së Obiliqit, e cila është vetëm një balonë prove. Përpjekja që shqiptarët të ‘përfshihen’ në shënimin e Betejës së Kosovës është e pakuptimtë, antikivilizuese dhe manipulatore, pa asnjë bazë apo mbështetje historike.
Supozoj se Turqia, si mbështetësja e tyre, i ka paralajmëruar të mos e bëjnë këtë, sepse faktet historike që ruhen në arkivat turke janë aq kokëforta, sa do të ishte njëkohësisht e trishtueshme dhe qesharake të pretendohej se në Gazimestan është zhvilluar një betejë mes shqiptarëve dhe turqve” , ka thënë Trajkoviç për gazetën serbe Danas.
Ndërkohë, Halil Thaçi për KosovaPress tha se Komuna e Obiliqit nuk ka qenë asnjëherë organizatore e Vidovdanit dhe nuk ka asnjë rol në aktivitetet që zhvillohen në Gazimestan. Ai cilëson qarkullimin e këtyre informacioneve si tendencë e Serbisë për të kthyer Vidovdanit në kohën e Millosheviqit.
Thaçi shtoi se kjo çështje ka për qëllim vetëm nxitjen urrejtjen mes popujve, e në veçanti siç thotë ai “kjo i shkon për shtati veç, Aleksandër Vuçiqit dhe politikës së tij”. “Absolutisht, Vidovdani nuk ka të bëjë fare me Komunën e Obiliqit. Komuna e Obiliqit asnjëherë nuk ka qenë organizatore e Vidovdanit.
Më 15 qershor kanë qenë disa historianë që kanë mbajtur një tribunë, pasi ata konsiderojnë se ajo është data e Betejës së Kosovës. Komuna e Obiliqit nuk ka të bëjë aspak me çështjen e Vidovdanit. E di që është tendencë e Serbisë, e në veçanti e Aleksandar Vuçiqit, që Vidovdanin ta kthejë në simbolikën që është tentuar edhe në vitin 1989 nga Sllobodan Millosheviqi.
Këto pretendime nuk qëndrojnë. Komuna e Obiliqit nuk ka të bëjë asgjë me organizimet që pritet të zhvillohen në Gazimestan” , tha Thaqi për KosovaPress. Momçillo Trajkoviq është edhe anëtar i Kryesisë së Këshillit Kombëtar Serb në Kosovë, i cili ka qenë njeri nga politikanët kryesorë serb në Kosovë para dhe në një periudhë pas luftës së Kosovës.
Ndërkaq, ushtria e Serbisë do të organizojë një stërvitje ushtarake në poligonin “Pasuljanske Livade” më 28 qershor të këtij viti, ditë kjo që përkon me ‘Betejën e Kosovës’, apo të ashtuquajturën nga serbët “festë e Vidovdanit”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka përshkruar këtë stërvitje si më të rëndësishmet deri më tani për Serbinë, ku edhe do të prezantohet armatimi më i ri i ushtrisë serbe.
Lidhur me këtë, drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Siguri, Mentor Vrajolli për KosovaPress ka vlerësuar se ushtrimi nuk paraqet domosdoshmërisht rrezik të drejtpërdrejtë për Kosovën, por simbolika e tij bart mesazhe politike në raport me Kosovën.
Beteja e Kosovës u zhvillua më 28 qershor (15 qershor sipas kalendarit të vjetër), 1389 në fushën e Kosovës, midis koalicionit të ushtrive të popujve të Ballkanit, të prirë nga princi Lazar dhe forcave otomane të udhëhequra nga sulltani Murati I (mbretëroi 1360–89). Beteja ishte e ashpër dhe në të u vranë të dy liderët, Princi Llazar dhe Sulltan Murati, si dhe shumë princër tjerë.
Të dy ushtritë gati se u zhdukën fare. Nuk ka shumë të dhëna për Betejën e Kosovës e madje shumica e këtyre të dhënave janë kontradiktore me njëra tjetrën.
