Fëmija që mbeti i lënduar si pasojë e zjarrit të madh që përfshiu katin e fundit të një ndërtese në afërsi të Parkut të Qytetit në Prishtinë, është jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhet në gjendje stabile shëndetësore.
Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, i cili bëri të ditur se pas trajtimit fillestar në Emergjencë, fëmija është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike. “Është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike për vazhdimin e trajtimit të mëtejmë”- ka deklaruar Syla.
Drejtori i Emergjencave në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka deklaruar se nga zjarri kanë pasuar lëndime dy persona, babë e bir. Sipas tij, dy të lënduarit po marrin trajtim mjekësor, ndërsa ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe pesë zjarrfikës, të cilët pësuan lëndime gjatë ndërhyrjes për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës, ekipet e zjarrfikësve dhe ato të emergjencës mjekësore. Për arsye sigurie, policia ka bllokuar qarkullimin në afërsi të objektit dhe ka vendosur shiritat e sigurisë rreth perimetrit të zonës së prekur.
Pamjet e siguruara nga KALLXO.com tregojnë flakë të mëdha që kanë përfshirë katin e fundit të ndërtesës, ndërsa ekipet e reagimit të shpejtë janë angazhuar në terren për vënien e situatës nën kontroll.Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, për të përcjellë nga afër zhvillimet.
