Shpërndaje në: Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 46 të tjerë janë plagosur, përfshirë pesë fëmijë, pas një vale të re sulmesh raketore ruse mbi Kievin. Ky ishte sulmi i dytë ndaj kryeqytetit ukrainas brenda një jave, raportoi të hënën BBC-ja.
Lajmin e ka bërë të ditur kreu i administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko, i cili tha se ekipet e shpëtimit po vazhdojnë operacionet në më shumë se 20 lokacione të goditura. Sipas tij, raketat kanë goditur ndërtesa shumëkatëshe banimi në dy lagje të qytetit.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se raketat balistike ruse goditën disa objekte në kryeqytet, duke shkaktuar zjarre në komplekse banimi. Po ashtu, u dëmtuan depo dhe një punishte për riparimin e automjeteve. Sulmet ndodhën vetëm pak orë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se Rusia po përgatiste një tjetër sulm masiv ndaj Kievit.
Ai tha se shërbimet e inteligjencës kishin sinjalizuar një valë të dytë sulmesh, pas bombardimeve të së enjtes që lanë të vrarë të paktën 30 persona. Sulmet e fundit ndodhin në prag të samitit të NATO-s në Turqi, ku Zelensky pritet të zhvillojë bisedime me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
