Profesori i Shkencave Politike, Nexhmedin Spahiu, ka komentuar nismën brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku. Sipas Spahiut, edhe nëse ndaj Abdixhikut zhvillohet një proces votëbesimi, ai ka gjasa ta fitojë dhe të mbetet në krye të LDK-së deri në përfundim të mandatit.
Ai ka vlerësuar se përbërja e Këshillit Drejtues të LDK-së mbetet e njëjtë me atë që nuk arriti ta rrëzonte Abdixhikun në votëbesimin e kaluar. “Përbërja e Këshillit Drejtues të LDK-së është e njëjtë me atë që ka qenë kur është mbajtur votëbesimi ndaj Abdixhikut. Nuk shoh ndonjë person që ka qenë në mbështetje të Lumirit dhe tani i ka dalë kundër.
Ata që kanë qenë kundër vazhdojnë të jenë kundër, ndërsa ata që e kanë mbështetur vazhdojnë ta mbështesin. Prandaj pres që, edhe nëse mbahet votëbesimi, ai do të marrë përafërsisht të njëjtin rezultat dhe do të mbetet kryetar deri në përfundim të mandatit ”, ka deklaruar Spahiu.
Ai e ka cilësuar si të natyrshme përplasjen brenda LDK-së, duke theksuar se bëhet fjalë për një garë të zakonshme për dominim politik brenda partisë. “Është e natyrshme që oponentët e tij brenda partisë të kërkojnë dorëheqjen e tij, pasi secili synon pozicione më të larta. Kjo betejë brenda LDK-së është normale, është një garë për të dominuar partinë.
Lumir Abdixhiku, sipas meje, ka larguar disa nga strukturat e vjetra të LDK-së që ende kanë peshë politike, në vend që t’i afronte. Përveç Vjosa Osmanit, nuk ka tentuar të afrojë figura të tjera” , është shprehur ai. I pyetur se kush do të mund të ishte një alternativë për udhëheqjen e LDK-së në rast të largimit të Abdixhikut, Spahiu ka përmendur Lutfi Hazirin.
“Sipas meje, për momentin Lutfi Haziri është figura më unifikuese brenda LDK-së. Nëse do të mbaheshin zgjedhje të brendshme dhe ai do të kandidonte, besoj se do ta fitonte garën. Edhe pse dikur ka humbur përballë Lumir Abdixhikut, rrethanat tani kanë ndryshuar. Megjithatë, unë besoj se Abdixhiku do të mbetet kryetar deri në fund të mandatit”, ka përfunduar Spahiu.
Ndryshe, një grup delegatësh të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) raportohet se nga e mërkura ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të partisë. Sipas këtyre raportimeve, synimi i kësaj iniciative është që në rend dite të vendoset kërkesa për shkarkimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ndërkohë, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 7 qershorit ka qenë bartëse e listës së LDK-së dhe kandidate për presidente, ka deklaruar se deri më tani nuk është deponuar asnjë nënshkrim për shkarkimin e kryetarit të partisë.
Osmani, pas një takimi në selinë e LDK-së, tha se ka pasur diskutime për hapat e ardhshëm të partisë, por mohoi ekzistencën e nënshkrimeve të formalizuara. “Kemi biseduar se si të ecim përpara edhe më fuqishëm. Nuk është deponuar asnjë nënshkrim deri tani”, ë shtë shprehur ajo.
