Skena e Prishtinës në pritje të Bryan Adamsit për një natë të paharrueshme

0%

Nga: Besartë Elshani Shpërndaje në: Sonte (e shtunë) Prishtina do të presë jo vetëm një artist të madh, por edhe një natë që premton të mbetet gjatë në kujtesën e publikut. Një kitarë, një piano dhe zëri i yllit botëror rikthejnë në jetë kolonën zanore të disa brezave.

Skena është gati për Bryan Adamsin, që shënoi historinë e muzikës botërore Prishtina është një nga vendet ku një prej ikonave më të mëdha të rockut e pop-rockut, Bryan Adams, do të ndalet me turneun e tij “The Bare Bones”.

“Everything I do (I do it for you)”, “Summer of ’69”, “Heaven”, “Run to you”, “Cuts like a knife” e shumë hite të tjera pritet të jehojnë në sallën “1 Tetori”, por të zhveshura nga pompoziteti i arenave të mëdha dhe të veshura vetëm me tingullin e kitarës, pianos dhe një zëri që për më shumë se katër dekada ka mbetur ndër më të dallueshmit në historinë e muzikës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Fitues i çmimit “Grammy” dhe autor i kolonave zanore që kanë shënuar historinë e muzikës pop-rock, Bryan Adams vazhdon të dëshmojë se këngët e mira nuk kanë nevojë për zbukurime. Të shtunën edhe në Prishtinë. Është hera e parë që Adams shkel në Kosovë duke e bërë kryeqytetin një nga ndalesat e turneut të tij “The Bare Bones”.

Pasditen e së premtes, në sallën ku do të mbahet koncerti, skena ka nisur të ngrihet për ta mundësuar jehonën e zërit të një prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore. Ekipet teknike kanë nisur montimin e skenës, instalimin e ndriçimit, sistemit të zërimit dhe elementeve vizuale që do ta shoqërojnë koncertin. Ai pritet të mbërrijë në ditën e koncertit.

Prej , kur është planifikuar të mbahet koncerti, publiku do ta gjejë artistin kanadez vetëm me kitarën e tij, i shoqëruar në piano nga bashkëpunëtori shumëvjeçar Gary Breit. Pa orkestër, pa efekte të stërmëdha skenike, por me këngët që kanë shoqëruar disa breza, “The Bare Bones” rikthen veprat e Bryan Adams në formën e tyre më të pastër.

Turneu, që u rikthye në itinerarin evropian në vitin 2025 dhe vazhdon edhe gjatë këtij viti, ka kaluar në qytete si Roma, Reykjaviku, Invernessi, Shkupi, Beogradi, Sofja, Bukureshti e Tirana, ndërsa këtë javë artisti ka interpretuar në Poloni, Çeki, Austri, Slloveni. Të premten ka mbajtur koncertin në Mal të Zi. Pas Prishtinës, udhëtimi i tij vazhdon në Selanik.

Nga stafi organizativ i “RedCloud” që ka organizuar koncertin, Juli Lamani ka thënë se Adams e njihte Kosovën nëpërmjet emrave të mëdhenj në skenën muzikore botërore. “Bryan kishte dëgjuar për Kosovën. E njihte për shkak të artisteve shumë të rëndësishme që janë nga Kosova si Rita Ora, Dua Lipa. Ai kishte njohuri, por jo shumë.

Është një mënyrë për të eksploruar nga një artist të madh që ka bërë karrierë dhe ka një karrierë të konsoliduar. Edhe tregjet e vogla dhe të paeksploruara ngjallin kuriozitet e interes për ta”, ka thënë ajo në një përgjigje për KOHËN. Ka bërë të ditur se interesi i publikut ka çuar në mbi njëmijë bileta të shitura deri të premten.

Është një koncert intim siç e ka konceptuar vetë artisti, e për të çmimi më i lirë i biletës ka qenë 67 euro, e për një vend krejt afër skenës është dashur të paguhet 124 euro, ani pse ka oferta zbritjeje deri në 30 për qind. Sipas Lamanit, bashkëpunimi i krijuar me Bryan Adamsin në koncertin e vitit të kaluar në Tiranë e ka bërë më të lehtë organizimin e kësaj ndalese në Prishtinë.

“Gjithmonë ngjarjet kanë vështirësinë e tyre, sidomos logjistike, por nuk është se ishte e vështirë ta sjellim Bryan Adams në Prishtinë, duke qenë se kompania ‘RedCloud’ ka bashkëpunuar me të vitin e kaluar kur e sollëm në Tiranë për herë të parë. Ishte një sukses i vërtetë. Patëm shumë pjesëmarrës në koncert nga Kosova që erdhën për ta parë, kështu që thamë pse jo”, ka thënë ajo.

Koncerti i mbajtur në Tiranë në pranverën e vitit të kaluar u prit me interes të madh dhe u konsiderua një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore të sezonit. Pikërisht ai sukses hapi rrugën që këtë vit radha t’i vijë Prishtinës. Për repertorin, Lamani ka thënë se publiku do të dëgjojë pikërisht këngët që e kanë bërë Bryan Adamsin një ikonë të rockut.

“Adams do të këndojë këngët e tij më të mirënjohura, që të gjithë i dimë, si ‘Heaven’, ‘Summer of 69’, ‘Everything I do’ dhe këngë të tjera edhe më të reja. Programi artistik pritet të jetë një orë e gjysmë deri në dy orë maksimumi”, ka njoftuar Lamani derisa ka folur edhe për organizimin financiar të koncertit. “Ka një kosto të konsiderueshme.

Jo shumë e madhe, por le të themi që i përshtatet një artisti si Bryan Adams. Është më ekonomike kur artisti është në turne sesa kur e fton artistin në një koncert më ekskluziv, kur e fton veçanërisht për atë koncert”, ka thënë ajo. Ka rikujtuar përvojën pozitive të artistit në Shqipëri. “Tirana ka qenë referencë e mirë nga koncerti i vitit të kaluar.

Nga Tirana u largua me përshtypje shumë të mira. Publiku e priti shumë ngrohtë, kështu që mendojmë që edhe publiku në Kosovë do ta presë njësoj”, ka thënë ajo. Sipas Lamanit, organizimi i ngjarjeve të tilla ka ndikim shumë më të madh sesa vetë koncerti. “Artistët, koncertet dhe të gjitha ngjarjet që organizohen si në Tiranë, si në Prishtinë, kanë rëndësinë e tyre.

Diversifikohen shumë në tregun e eventeve, që është një treg shumë interesant dhe shumë i mirë për t’u eksploruar dhe për të investuar, sepse sjell të ardhura lokale, përfshin kompani lokale në implementim të projektit. Ka një rritje të ekonomisë sa herë bëhen ngjarje të tilla.

Koncerti mund të tërheqë edhe njerëz nga Ballkani, sepse Prishtina ka çmime relativisht më të ulëta sesa qytetet e tjera”, ka thënë njëra nga organizatoret e koncertit. Për zgjedhjen e hapësirës ku do të mbahet koncerti, ka vlerësuar se salla “1 Tetori” i plotëson kërkesat e këtij formati. “Infrastruktura dhe disponueshmëria e sallave ndikojnë.

Për një tipologji të tillë të koncertit, salla ‘1 Tetori’ përmbush shumë mirë të gjitha pritshmëritë. Si në Kosovë, si në Shqipëri ka vend gjithmonë për përmirësim, por kemi bashkëpunim shumë të mirë për të zhvilluar këtë koncert. Si te instancat shtetërore, si tek ato private”, ka thënë ajo më tej.

Të shtunën mbrëma, Prishtina do të presë jo vetëm një artist të madh, por edhe një natë që premton të mbetet gjatë në kujtesën e publikut. Një kitarë, një piano dhe zëri i yllit botëror rikthejnë në jetë kolonën zanore të disa brezave.

Burimi: Koha