Silvio Zogaj nuk është më pjesë e ekipit të Lirisë së Prizrenit. Sulmuesi 28-vjeçar e ka mbyllur zyrtarisht me ekipin e Ligës së Parë të Kosovës dhe siç është raportuar disa javë më parë nga “Newsport.al” pritet kalimi i tij te Pogradeci. Ndërkohë që ish-sulmuesi i Vllaznisë ka reaguar në rrjetet sociale për largimin e tij nga Liria, duke falënderuar klubin dhe tifozët.
Ndër të tjera, Zogaj u uron prizrenalive suksese të mëtejshme. ” Fjalët nuk mjaftojnë të shpreh mirënjohjen, dashurinë dhe respektin për familjen e madhe FC Liria dhe qytetin e mrekullueshëm të Prizrenit.
Faleminderit nga zemra për mbështetjen e pakufijshme dhe për mundësinë të përfaqësoj me dinjitet dhe angazhim fanellën e një klubi që në historinë e futbollit kosovar e ka emrin e shkruar me germa të arta. Faleminderim i veçantë presidentit Arber Basha që besoi tek unë të isha pjesë e projektit të këtij klubi.
Faleminderit stafit të Lirisë me në krye drejtorin Valon Bytyçi, sekretarin Edon Thaçi, ekonomin Selim Halilaj, doktorin Liridon Dervishaj dhe të gjithë anëtarët që prapa skene bëjnë punën e palodhur që klubi ta ruajë gjithmonë funksionimin dhe traditën e vet.
Faleminderit të gjithë trajnerëve që na drejtuan me profesionalitet këto 2 sezone dhe të gjithë shokëve të ekipit që luftuam gjithmonë si vëllezër për njëri-tjetrin dhe skuadrën, duke mos kursyer asgjë nga vetja për të bërë më të mirën për Lirinë dhe qytetin e Prizrenit. Faleminderit qytetit të Prizrenit, që më bëtë të ndihem njëri prej jush dhe që më dhuruat një shtëpi të dytë.
Jetesa me ju më bëri të kuptoj që nga kultura dhe tradita jeni kryeqyteti i Shqiptarisë. Një falënderim special për tifogrupin Arpagjikt, kampionët e tribunave, që japin mbështetjen e pastër dhe pa kushte për Lirinë e Prizrenit. Do jem gjithmonë mirënjohës pa masë ndaj jush dhe do jem gjithmonë tifoz i juaji, duke uruar me shpirt që Liria e Prizrenit të arrijë majat e futbollit kosovar.
Falënderime dhe suksese, i juaji gjithmonë”, k a shkruar Silvio Zogaj
