Si tentoi t’i ikte policisë spanjolle, i dyshuari që u kap në Kosovë

0%

Shpërndaje në: Një vajzë 6-vjeçare që ishte rrëmbyer nga i ati i saj në Majorkë të Spanjës dy javë më parë i është kthyer nënës së saj, pas një operacioni të suksesshëm nga Policia e Kosovës. Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, shtetasi i Gjermanisë dhe fëmija i rrëmbyer u lokalizuan në një lokacion në Fushë-Kosovë më 24 qershor. Ai u dërgua në mbajtje e fëmija iu kthye nënës së saj.

“Është zhvilluar me sukses operacioni policor në bashkëpunim me autoritetet spanjolle për identifikimin dhe arrestimin e një të dyshuari, i kërkuar përmes INTERPOL-it për veprën penale ‘rrëmbim i fëmijës’.

Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor e Policisë së Kosovës, kishte pranuar një informacion përmes INTERPOL-it nga autoritetet spanjolle, se një person i dyshuar me shtetësi gjermane A.M.L., d.t.l.1989, kishte rrëmbyer një fëmijë gjashtëvjeçar dhe dyshohej se gjendet në Republikën e Kosovës së bashku me fëmijën e rrëmbyer.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pas pranimit të këtij informacioni, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, ka marrë të gjitha masat duke i koordinuar aktivitetet me të gjitha njësitet e tjera policore, me qellim të identifikimit dhe arrestimin e personit të dyshuar që kërkohej përmes INTERPOL-it me urdhërarrest ndërkombëtar lëshuar nga autoritetet e Spanjës.

Operacioni rezultoi i suksesshëm, më i dyshuar së bashku me fëmijën e rrëmbyer, u lokalizua në një lokacion në Fushë-Kosovë ku edhe u arrestua”, thuhet në njoftimin e Policisë të shtunën. Përderisa Policia nuk ka dhënë detaje të tjera për rastin, mediat spanjolle kanë raportuar se bëhet fjalë për një rast të përcjellë me një sërë manovrash nga i dyshuari.

Para dy javësh, forcat spanjolle kishin marrë thirrjen nga nëna se e bija e saj 6-vjeçare është zhdukur. Garda Civile u aktivizua në kërkim të të atit që dyshohej për rrëmbim, pasi nëna ka thënë se ai e ka kërcënuar në të kaluarën se do të ikë nga Spanja.

Sipas dyshimeve, ai e kishte fshehur fëmijën në bagazhin e veturës për t’u larguar nga Majorka duke u ikur kontrolleve kufitare pa e paraqitur fare. Përderisa çdo orë ishte e rëndësishme në përpjekjet për të gjetur rrugën se ku mund të fshihej i dyshuari, autoritetet u detyruan të futen në një operacion kompleks që preku disa shtete të Evropës.

Agjentët spanjollë gjatë kërkimit zbuluan se i ati kishte përdorur një strategji për të penguar hetimet. “AirTag” është pajisje gjurmuese që përdoret për të lokalizuar diçka kur nuk e di se ku është. Një e tillë ishte e vendosur në çantën e vajzës. Hetimet zbuluan se pajisja e vajzës “po udhëtonte” për në Marok.

Gjithsesi, u kuptua se “udhëtimin” po e bënte përmes postës dhe kjo i bindi autoritetet se po bëhet fjalë për mashtrim. Përderisa fokusi ishte kah Maroku, i ati dhe e bija ndoqën krejt rrugë tjetër. Burri dyshohej se ka mbyllur llogaritë bankare dhe ka fshirë profilet në mediat sociale. Gradualisht ka ndryshuar edhe pamjen fizike për të shmangur identifikimin.

Për më tepër, në Gjermani u gjet një automjet me targën e njëjtë të përdorur gjatë ikjes nga Majorka. Kjo rriti dyshimet për tjetër mashtrim – se bëhet fjalë për falsifikim të targave për të penguar edhe më tej hetimet. Bashkëpunimi me Ambasadën e Spanjës në Berlin dhe forca të tjera policore, u zbulua se i dyshuari mund të ishte në Kosovë.

Operacioni u mbyll me sukses pas ndalimit nga Policia e Kosovës. Fëmija menjëherë u mor nën monitorim të autoriteteve e i ati u ndal. Pas dy javësh, Operacioni “Ura” u mbyll me sukses.

Burimi: Koha