Shpërndaje në: Si asnjëherë më parë, Afrika është përfaqësuar me plot dhjetë përfaqësuese në Kupën e Botës. Kjo u bë e mundur falë rritjes së Botërorit nga 32 në 48 përfaqësuese. Rritja e numrit të pjesëmarrësve është shndërruar në sukses për ekipet afrikane.
Pas fitores 3:1 të Kongos ndaj Uzbekistanit dhe barazimit 3:3 të Algjerisë me Austrinë, të dielën në mëngjes, nëntë prej dhjetë përfaqësueseve afrikane kanë avancuar në fazën nokaut të Kupës së Botës. Rekordi i mëparshëm ishte dy, shkruan AP.
Pas 17 ditë garë në Botëror, Maroku, Afrika e Jugut, Senegali, Bregu i Fildishtë, Gana, Kepi i Gjelbër, Egjipti, Kongo dhe Algjeria janë kualifikuar në mesin e 32 ekipeve më të mira në botë. Tunizia është e vetmja që nuk e kaloi me sukses fazën grupore. Maroku u bë ekipi i parë afrikan që arriti në gjysmëfinale të Botërorit, katër vjet më parë.
Dhe duket i denjë për të shkuar larg edhe në këtë Botëror. Maroku e ndali në barazim 1:1 përfaqësuesen e Brazilit, ndaj të cilës dominoi plotësisht në pjesën e parë. Deri më tani ishim vetëm gjashtë përfaqësuese afrikane që kishin “prekur” fazën e eliminimit direkt në Botëror. Disa prej tyre nga disa herë.
Por më së shumti ishin dy përfaqësuese afrikane që kalonin grupin, në vitin 2014 dhe 2022. Në vitin 2014 ishin Algjeria e Nigeria, kurse në vitin 2022, Maroku e Senegali. Këtë herë u dëshmua cilësia gjithnjë në rritje e futbollit afrikan. Dhe po ashtu zgjerimi i hartës së futbollit në Afrikë.
Kepi i Gjelbër dhe Kongo janë befasitë e mëdha në mesin e 32 ekipeve përfaqësuese të fazës së dytë të Botërorit. Kongon e pret punë shumë e vështirë, por po e shijon momentin. Kongoja do të përballet me Anglinë. “Është vërtetë historike për vendin tonë, Kongon”, ka thënë sulmuesi Fiston Mayele. “Është fitorja e parë dhe hera e parë në fazën nokaut.
Të gjithë në vendin tonë janë të lumtur dhe krenarë me atë që kemi arritur. Jemi krenarë që jemi kongolezë dhe mendoj se do të vazhdojmë”, ka shtuar Mayele. Yoanne Wissa, që i shënoi dy gola për Kongon, thotë se suksesi dëshmon që e ardhmja e futbollit në Afrikë është e ndritur. “Tani secili ekip afrikan mund të ëndërrojë gjëra të mëdha. Në Botërorin e kaluar Maroku ishte në gjysmëfinale.
Ajo që po vjen është e mirë për ekipet afrikane. Lojtarët e rinj po shfaqen më herët në nivelin elitar dhe kjo na bënë të ëndërrojmë”.
