Me hyrjen në fuqi të vendimit të Komunës së Prishtinës nga sot, , qytetarët do të paguajnë më shtrenjtë për transportin urban. Sipas vendimit, bileta e rregullt nga 0.50 euro është rritur në 0.80 euro, ndërsa për përdoruesit e kuletës digjitale çmimi do të jetë 0.60 euro.
Drejtori i Mobilitetit në Komunën e Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci, tha se me hyrjen në fuqi të vendimit kanë ndryshuar edhe tarifat për biletat ditore, javore dhe mujore, duke theksuar se synimi i institucionit është transformimi i plotë i sistemit të transportit urban përmes digjitalizimit.
Sipas tij, ulja e çmimit për përdoruesit e kuletës digjitale synon të nxisë qytetarët të kalojnë nga biletat fizike në sistemin elektronik. “Po ndryshon komplet qasja e Trafikut Urban ndaj qytetit. Me kuletën digjitale, përveç që rritja është më e ulët, krijohet edhe një databazë që do të na ndihmojë të rregullojmë përmbajtjen dhe qasjen ndaj qytetarëve.
Kjo do të mundësojë një shfrytëzim më të mirë, më real dhe më efikas të transportit publik”- deklaroi Bajqinovci në një prononcim për media. Ai shtoi se bileta fizike po përdoret gjithnjë e më pak, ndërsa synimi i Komunës është kalimi i plotë në sistemin digjital.
Duke folur për arsyet e shtrenjtimit, Bajqinovci tha se vendimi është ndikuar nga rritja e kostove të tjera, përfshirë çmimin e karburanteve dhe investimet e planifikuara në flotën e autobusëve. “Jemi në një fazë ku kemi nënshkruar kontratat me operatorin privat dhe atë publik, të cilët kanë premtuar se do të sjellin autobusë të rinj, gjë që rrit edhe kostot operative”- tha Bajqinovci.
Sipas Bajqinovcit, rritja e çmimeve është bërë pas analizave të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe pas rishikimit të buxhetit dhe të dhënave financiare e operative. “Rritja e çmimit ka ardhur sipas ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë. Duke parë databazën financiare dhe operative kemi ardhur në këtë përfundim…
Përditësimi i çmimeve të biletave është bërë pas një kohe të gjatë”- përfundoi Bajqinovci. Në anën tjetër, ky vendim është kritikuar nga opozita në kryeqytet. Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë përmes një komunikate për media ka kërkuar që ekzekutivi ta tërheqë këtë vendim.
Sipas LVV-së, në vend të investimeve dhe reformave në transportin publik, qytetarët po përballen me rritje të çmimit të biletës. Në komunikatë ata kujtuan edhe premtimet zgjedhore të PDK-së dhe të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për zgjidhjen e problemeve në transportin publik, duke përmendur se Uran Ismaili kishte premtuar transport publik falas.
“Sot, me PDK-në në pushtet, qytetarët nuk marrin transport falas, por një biletë dy herë më të shtrenjtë”- thuhet ndër të tjera në komunikatë.
