Shpërndaje në: Surroi: Ky është vazhdimi i katërt i bisedës sonë me dr. Milivoj Beshlin nga Universiteti i Beogradit, historian. Vazhdojmë aty ku mbetëm, që është, ose vazhdojmë aty ku filluam, ky është Kongresi i Berlinit më 1878. Ta projektojmë 150-vjetorin në një mënyrë pozitive. Mali i Zi bëhet anëtar i BE-së.
A i jep fund kjo procesit të shteteve të papërfunduara dhe konfliktit të papërfunduar në Ballkanin Perëndimor? Beshlin : Kjo për të cilën do të flasim kërkon një përgjegjësi të veçantë, sepse ndihem shumë i sigurt derisa jam në fushën e historisë. Këtu i di metodat, i di rezultatet, dhe është shumë më e vështirë me futurologjinë.
Surroi: Kuptimi i pyetjes është nëse do të kemi diskontinuitet historik apo do të kemi vazhdimësi? Apo, çfarë është kontinuiteti, e çka është nuk është kontinuiteti?
Edhe Arbëri 6 muaj më parë Kosovarët, evropianët e rinj që nuk po ripërtërihen Beshlin : Keni të drejtë që nxirrni vazhdimësinë nga shekulli i 19-të, dhe kemi bërë mirë që jemi nisur nga Kongresi i Berlinit për ta rrumbullakuar. Mendoj se ende nuk kemi diskontinuitet konceptual.
Nuk mund ta shoh që me pranimin formal të Malit të Zi në BE, shpresojmë që e gjitha të ndodhë më 2028, e le të ndodhë edhe më 2030, do të jetë një goditje idesë për shtetin e madh të Serbisë, e cila javëve të fundit shpërfaq një nervozizëm të madh, nga këto incidentet që Vuçiqi bëri ose u përpoq të bënte në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, deri te të gjitha këto sulme të fundit ndaj Malit të Zi që vijnë nga Beogradi me rastin e 20 vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi.
Besoj se shënimi konsensual dhe i pakontestueshëm, përkatësisht festimi i 20-vjetorit të ripërtëritjes së pavarësisë, e ka befasuar, para së gjithash, regjimin në Beograd si dhe, natyrisht, ideologjinë serbomadhe në Serbi.
Se kishin pritur që tendencat në Mal të Zi pas procesionit dhe pas ndryshimit politik të pushtetit, që megjithatë u sponsorizua nga Serbia dhe Rusia, do të ishin tendenca për të shkuar në drejtimin e kundërt.
Megjithatë, regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi dhe më pas të gjitha këto procese politike e tregojnë që shtetësia malazeze po legjitimohet edhe më tej, duke përcaktuar se ata 55.5% që ishin në referendum, tash kanë arritur në afër 80%; se është një vend që ka një pajtim dhe legjitimitet të madh të brendshëm për politikën evropiane që po e udhëheq qeveria aktuale, e që është në thelb është politikisht e padiskutueshme, kjo rrugë evropiane, se e gëzon edhe mbështetjen e fortë të opozitës, kështu që e gjithë kjo shkakton nervozizëm të fortë.
Më pas ishte ai filmi propagandistik vërtet i tmerrshëm prodhuar nga njëra prej shoqatave të regjimit të afërta me SNS-në për një referendum të rremë dhe budallallëqe të ngjashme. Më pas, përpjekja e diversionit në Tivat dhe sulmi i Vuçiqit kinse Mali i Zi po e zhvillon një luftë hibride kundër Serbisë, etj.
E gjithë kjo tregon për shumë nervozizëm pikërisht për shkak të faktit se Mali i Zi po bëhet anëtar i BE-së dhe se diku vlerësohet se anëtarësimi në NATO, anëtarësimi në BE, dhe tashmë vërtetimin përfundimtar të pavarësisë së Malit të Zi, që u dëshmua projekt i mirë dhe pozitiv, sepse sot Mali i Zi është rrëfim suksesi, sikurse janë të suksesshëm ata që me një çast janë pavarësuar, e gjithë kjo së bashku, e shkakton një tension dhe nervozizëm te Vuçiqi dhe brenda atij regjimi.
Krahas kësaj, ai me një çast duhet ta eksportojë krizën që nuk po zbutet në Serbi, pra kriza politike në Serbi nuk është zhdukur. Kjo tash po shndërrohet në krizën e legjitimitetit politik të vetë Vuçiqit, një regjim që tash po delegjitimohet qartë dhe që duhet të largohet nga pushteti, gjë që refuzon ta bëjë dhe nuk do që ta bëjë paqësisht.
Dhe, e fundit, Mali i Zi është fitorja e vetme rajonale e Vuçiqit. Kosova është në thelb disfata e tij. Bosnja është status quo. E Malin e Zi, ai e konsideronte të vetmen fitore të vërtetë rajonale, atë ndryshim pushteti, ndryshimin e paradigmës me një çast në Mal të Zi gjatë dhe pas procesionit dhe pas ndryshimit të pushtetit në gusht 2020. Dhe kjo po del duarsh.
Kur Mali i Zi të hyjë në BE, si anëtar i NATO-s dhe si një shtet tashmë i pakontestueshëm që tash e gëzon konsensusin më të madh të brendshëm për shtetësinë dhe pavarësinë e vet, do të ketë dukshëm më pak mundësi për këso lloje sulmesh hibride ndaj Malit të Zi që vinin nga Rusia dhe Serbia gjatë dhjetë viteve të fundit, qëkur Mali i Zi vendosi të hyjë në BE por, nuk duhet të kemi iluzionin se këto tendenca që shkojnë kryesisht nga Beogradi do të ndalen.
Ajo Serbia nacionaliste nuk është e kënaqur me rezultatin e luftërave. Asaj nuk i përshtatet konstelacioni aktual, para së gjithash, renditja e kufijve. Me një çast, në njërën nga ato televizione private të regjimit, Ivica Daçiq, më duket 2016-tën e tha se Serbia nuk është e kënaqur me rezultatin e luftërave, se këta kufij janë të përkohshëm dhe se pjesa e dytë e lojës na pret.
Vuçiqi vlerësonte, dhe shumë gjatë punon në këtë drejtim, se duhet përpjekur të arrijë në mënyrë paqësore atë që nuk ishte e mundur përmes luftës.
E dini, kjo është paradigma e Dobrica Qosiqit, të cilën e kemi përmendur tashmë, i cili, në fjalimin e pranimit të tij në ASHAS, më 1976, e shqiptoi atë fjali të tmerrshme, “se serbët janë fitues në luftë dhe humbës në paqe; se në tavolinën e gjelbër humbnin atë që e fitonin në fushëbetejë”.
Është një përfundim largvajtës dhe i tmerrshëm se një shoqëri dhe një popull mund të mbijetojnë vetëm me luftë, e megjithatë, ai vetë, më 1993 kur po e bindte, Kuvendin ilegal, hajdut, të Pales, e serbëve të Bosnjës gjatë luftës që ta pranonin planin e paqes Vance-Owen, iu pati thënë: “Unë jam autori i tezës se ne serbët jemi fitues në luftë dhe humbës në paqe, dhe tash po ju lus ta pranoni paqen dhe që në paqe të fitojmë atë që nuk arritëm të bënim në fushën e betejës”.
Ata e refuzuan atëherë. Megjithatë, e gjithë ajo që më vonë do ta nënkuptojë, si Daytonin, ashtu edhe Bosnjën pas Daytonit dhe ajo do të jetë politika e regjimit pas rënies së Millosheviqit me përjashtim të pjesshëm të Gjingjiqit, dhe në fakt Koshtunicës dhe Tadiqit, do të jetë një përpunim i tezës së Qosiqit që paqësisht, në formë evolutive, graduale me masa ekonomike, me forcë të butë e propagandë dhe ndikime të ndryshme të shërbimeve të sigurisë e të ngjashme, të arrihet ajo që nuk u arrit me luftë.
Pra njëfarë lloji i shtetmadhësisë zvarritëse, ta quaj ashtu. Besoj se Vuçiqi e ka bërë një gjë të tillë në formë shumë efikase, para së gjithash, në çështjen e Malit të Zi dhe se kjo është në gjurmët e asaj për të cilën vetë Ivica Daçiq, siç e thash më parë, po fliste. Se ideja, se ky konstelacion nuk ka përfunduar, se kufijtë në Ballkan nuk janë përfundimtarë.
Dhe, kulmi i operacionalizimit të asaj teze të Qosiqit, për të cilën fola pak më parë, është në fakt një doktrinë e Vuçiqit të cilën e quaj doktrina e sovranitetit të kufizuar të shteteve fqinje të Serbisë. Surroi: Që ka qenë doktrina e Brezhnjevit.
Beshlin : Po, është lojë ime fjalësh, se doktrina e Brezhnjevit e sovranitetit të kufizuar ishte në fakt ishte një arsyetimi teorik për sulmin ndaj Çekosllovakisë, pushtimin e Çekosllovakisë në gusht të 1968-tës; të nesërmen pas pushtimit, në “Izvestia”, nga dora kryeredaktorit, doli teksti programor që ishte arsyetimi i doktrinës së Brezhnjevit.
Pra Vuçiqi e ka…, kur dëgjoj, kur thonë se ai nuk ka ideologji, atij i intereson vetëm korrupsioni, etj., kjo nuk është e vërtetë. Ai ka një koncept ideologjik shumë të qartë. Ky është nacionalizmi serb me të gjitha karakteristikat e tij të njohura dhe të shpjeguara. Dhe kjo ka pasur kuptim shumë konkret.
Një komb sovran, kudo që jeton populli serb në rajon, Vuçiqi është bartësi i sovranitetit të tij. Kjo do të thotë se vendet ku jetojnë serbët jashtë Serbisë, nuk mund ta kenë sovranitetin e vet për të marrë vendime.
Ata duhet ta kenë një lloj sovraniteti të cunguar, Vuçiqi është bartës edhe i sovranitetit të tyre sepse serbët jetojnë aty, kurse Vuçiqi nuk e sheh veten si kryetar i qytetarëve të Serbisë, i cili është i përcaktuar me kushtetutë dhe i kufizuar nga ajo. Ai e sheh veten si udhëheqës i serbizimit në rajon.
Ai madje ka folur me aludime për këtë, kurse barkfolësit e tij sikur Vullini e të ngjashëm e thonë hapur, se ai është lider i serbizimit në rajon. Ai e përfaqëson, ai është bartës i sovranitetit edhe të serbëve jashtë kufirit të Serbisë. Surroi: Këtë më herët e nisi Millosheviqi. Beshlin : Ashtu është.
Dhe pikërisht për këtë, këto shtet nuk mund të jenë sovrane, nuk mund t’i marrin vendimet e veta; duhen ta kenë sovranitetin e cunguar duhet të jenë një lloj sateliti i Serbisë.me sovranitet të kufizuar, siç thashë, dhe kjo është në fakt thelbi i sipërmarrjes së tij.
Në këtë çast nuk mund të ndryshohen kufijtë, por, njësoj si me Malin e Zi, Bosnjën etj., sovraniteti mund t’u merret, domethënë, që ato të jenë satelitë. Kjo është ajo që Putini pret nga rrethi i tij. Surroi: Faktet janë më kryeneçe se doktrina. E nëse Mali i Zi bëhet anëtar i BE-së brenda 2 a 3 ose 4 vitesh, ai do ta shkatërrojë atë doktrinë të sovranitetit të kufizuar. Ai doli nga kjo.
Kosova në masë të madhe… serbët e Kosovës nuk mund të manipulohen më pas Banjskës, sepse u dëshmua se Banjska është riciklim i luftërave dhe i atij mentaliteti lufte.
Bosnjë dhe Hercegovina është në të njëjtën situatë, sa i përket këtij pikëvështrimi, siç kishte qenë para 150 vjetësh; sipas vizionit të Vuçiqi: ai shikon përtej Drinës, por përtej Drinës,nga Austro-Hungaria, tash BE-ja, i vjen vërejtja se nuk mund të merret me këtë punë. Faktet janë më kryeneçe se ideologjia.
Si do t’ia bëjë… për mua me rëndësi është pyetja, edhe për historianët edhe për vlerësimin e së tashmes: Serbia i provoi të gjitha në 150 vjet absolutisht gjithçka, por gjeografia bazë nuk ka ndryshuar, dhe kjo është se Serbia ende nuk e gjen veten brenda vetes.
Beshlin : Më duhet të kthehem në atë periudhë sepse besoj se është një ndër periudhat kyç, në periudhën e liberalëve serbë, d.m.th. Marko Nikeziq, Llatinka Peroviq, atëherë ndodh përplasja e këtyre dy koncepteve, sepse ishin këta të dy që u shkëputën nga pretendimet serbomadhe në rajon, përkatësisht që në atë kohë ishte Jugosllavia. Surroi: Dallimi midis serbianizmit dhe serbizimit.
Beshlin : Po. Pikërisht atëherë e formuluan politikën që Serbia duhet të përqendrohet te vetja, te zhvillimi i saj, te organizimi i shoqërisë brenda kufijve të saj të përcaktuar kushtetues dhe të ndalojë së shikuari vazhdimisht përtej këtyre kufijve dhe, siç e tha Nikeziqi në një fjalim shumë të rëndësishëm në Sarajevë më 1970: “Çdo pretendim i Serbisë për t’u brengosur e përkujdesur për serbët jashtë Serbisë, përkatësisht, serbët në republikat e tjera të Jugosllavisë, është nacionalizëm i pastër”.
Dhe nëse ndodh kjo, atëherë shemben kufijtë, ndodhin luftëra, konflikte, etj. Ai dhe Llatinka Peroviq që në fillim të viteve ’70 e vizatuan fillimin e viteve ‘90 dhe fillimin e luftërave; çfarë do të ndodhë nëse sinkretizmi i socializmit dogmatik konservator dhe nacionalizmit konservator serb ndodh në Serbi; së pari do t’i ngufasin autonomitë do ta mbysin çfarëdo të majte në Serbi dhe pastaj do të përpiqen ta ndajnë Bosnjën me kroatët, dhe pastaj do të përplasen me kroatët në bazë të ekuilibrit të fuqisë dhe nën pretekstin e mbrojtjes së serbëve jashtë Serbisë, në fakt duke synuar territoret e huaja.
Ata tekstualisht e vizatuan atë që do të ndodhte 20 vjet më vonë, jo pse ishin të mbinatyrshëm, por për shkak se ishin procese që mund të parashikoheshin. Nëse dini për historinë, nëse keni lexuar diçka, këto janë procese shumë, shumë të parashikueshme.
Nga ana e tyre e kundërt nuk ishin vetëm Drazha Markoviq dhe krahu konservator i partisë, të cilët ishin edhe ata vetë, por përballë tyre ishte inteligjencia kritike, një pjesë e rëndësishme e opozitës nacionaliste të mbledhur në Shoqatën Letrare Serbe që mu atëherë e shpalosin konceptin për të cilin po flisnim, ose “Jugosllavia sipas serbëve dhe Serbisë”, pra centraliste me dominim serb ose “Shtetin serb në të gjithë hapësirën etnike”.
Surroi: Kjo tash mund të shndërrohet në: “Ose do të jetë rajoni sipas Serbisë, ose nuk do të jetë”. Beshlin : Ashtu është! Nëse kufijtë duhet të ekzistojnë, nuk mund t’i ndryshojmë, por nga këto shtete do të bëjmë satelitë që duhet të sillen në përputhje me pritjet tona. Pra do të mbeten pa një pjesë të konsiderueshme të sovranitetit të tyre.
Dhe kjo është ajo që Vuçiqi mendoi se arriti në Mal të Zi pas vitit 2020, dhe pastaj pak nga pak, tash duket se Mali i Zi po kthehet në atë që ishte në të vërtetë gjatë qeverisjes së DPS-së, pra që do që t’i përdorë kapacitetet e sovranitetit të vet dhe t’i bëjë lëvizjet e veta të politikës së brendshme dhe të jashtme Sërish jemi në Serbi, para zgjedhjes që e kishim në fillim të viteve ’70: Ose Serbia i kthehet zhvillimit të vet, t’u kthehet moszhvillimeve të veta, e kështu me radhë, ose do ta lërë pas dore veten dhe zhvillimin e saj dhe do të kujdeset ekskluzivisht se si, duke abuzuar dhe përdorur komunitetet serbe në vendet fqinje do ta kufizojë sovranitetin e tyre dhe në këtë mënyrë ta dëshmojë vazhdimisht pretendimin për të qeverisur të tjerët.
Surroi: Si t’i cofë komshiut lopa. Beshlin : Po, shkurt kështu do të mund të thuhej. Derisa ky koncept, kjo kundërthënie të mos zgjidhet në Serbi, pra a është më me rëndësi zhvillimi real i shtetit të Serbisë, të shoqërisë së saj, në aspektin ekonomik, kulturor e të tjerë apo është më e rëndësishme që Serbia të përqendrohet politikisht, financiarisht, apo me inteligjencë në rajon për t’i ndaluar e ngatërruar ato shtete, duke i përdorur serbët jashtë Serbisë për qëllimet shkatërruese të Serbisë, pra derisa mos të zgjidhet kjo brenda Serbisë, nuk ka rajon të qetë Surroi: A është këtu pika e kthimit?
Cila është pika e kthimit? Kur do të ndodhë? Beshlin : Pika e kthimit duhet të ndodhë para së gjithash në vetë Serbinë. Futja e Malit të Zi në BE do ta vetëdijesojë një numër të madh njerëzish në Serbi Qysh tash, kur shkojnë njerëzit në Mal të Zi, kur e shohin se si duket infrastruktura atje, rrugët si duken qytetet, të gjitha vendbanimet e reja në bregdet, befasohen.
Nesër, kur Malit të Zi t’i hapen fondet evropiane, është sistem i vogël, ai mundet, dhe mund të zhvillohet shpejt dhe në formë efikase… dhe kur të shkojnë në det në Mal të Zi për t’i vizituar të afërmit e tyre, do të presin nga tri orë për t’i regjistruar gjurmët e gishtërinjve mbase do të bëhen edhe më të frustruar dhe do t’i urrejnë edhe më shumë ata përreth ose do të bëhen më racionalë, e të thonë, si bëhet që të gjithë që kanë ikur nga Serbia e kanë më mirë se ne.
Surroi: Kosova, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, jetojnë në trekëndësh konfliktesh të papërfunduara dhe shtetesh të papërfunduara. Ku duhet tërhequr lëvizjen e parë ashtu që trekëndëshi të shkojë në një drejtim tjetër historik. Në situatën aktuale Bosnjë e Hercegovina është ende nën një marrëveshje paqeje dhe jo nën një kushtetute legjitime të votuar nga qytetarët e saj.
Kosova dhe Serbia janë në një konflikt të papërfunduar, derisa ta arrijnë një marrëveshje paqeje me të cilën, me njohje të ndërsjellë, do ta projektojnë edhe të ardhmen e një rajoni. Çfarë duhet të ndodhë? Cilat janë hapat që duhet të çojnë në një paqe më të qëndrueshme apo të përhershme?
Beshlin : Para së gjithash, të gjithë duhet të pajtohen me kufijtë aktualë dhe me pozicionin e vet në këtë konstelacion. Është e qartë se Daytoni u krijua si një kornizë e përkohshme, dhe siç ndodh në jetë, zgjidhjet e përkohshme dalin të jenë më të përhershmet.
Mbase askush nuk priste që Daytoni të zgjaste kaq shumë në kuptimin që nuk do të mbindërtohej me një diçka tjetër, dhe mbase askush nuk e priste që do të zbatohej kaq pjesërisht.
Kështu që në fakt jo vetëm që Serbia dhe Kosova funksionojnë si një konflikt i ngrirë, të cilin, para së gjithash dhe veçanërisht deri në agresionin e dytë kundër Ukrainës më 2022 vazhdimisht e ka sponsorizuar Rusia.
Ajo është përpjekur vazhdimisht ta ndalte, pavarësisht sesa shumë e shtynte Perëndimi dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, pavarësisht se sa shkohej drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që do të nënkuptonte përfundimin e konfliktit, sepse çdo konflikt i ngrirë me një çast mund të shkrihet dhe Rusisë, para agresionit ndaj Ukrainës, por edhe pas, i nevojitet në thelb fronti ballkanik.
Ballkani gjithmonë ka qenë poligoni rezervë i Rusisë, ku, pa i rrezikuar interesat e veta strategjike, kurse interesi i saj strategjik është rrethi saj i ngushtë, fqinjësia e ngushtë, rajoni i saj post-sovjetik, e ka përdorur këtë front ballkanik për të matur veten, pa e rrezikuar veten dhe interesat e saj strategjike karshi Perëndimit.
Surroi: Në aluzion historik, po i kthehemi periudhës së Shën Stefanit. Beshlin : Në njëfarë mënyre, po, dhe prapë po e përmendim Paqen e Shën Stefanit. Rusia kishte interes të madh që të hapet fronti ballkanik, e nëse nuk mund të hapej, gjë që nuk është realiste, sepse kjo është ende sfera perëndimore e ndikimit.
Arkitektura perëndimore e sigurisë është shumë e pranishme këtu, por të paktën ta mbajë atë në njëlloj konflikti të ngrirë.
Rusia sot, pas kësaj disfate të dukshme, e cila nuk është vetëm ushtarake dhe materiale, po edhe morale dhe politike në Ukrainë, nuk jam i sigurt se, pavarësisht se si përfundon lufta dhe pavarësisht se si përfundon sundimi shkatërrues i Putinit në Rusi, nuk jam i sigurt se Rusia do të ketë fuqi të mjaftueshme në dekadat e ardhshme që të merret me mjedisin tonë, dhe pastaj del pyetja është se ku dhe në cilin drejtim do të kthehet Serbia.
A do t’i kthehet BE-së, paqes me fqinjët e tyre, demokratizimit të vet, e ne më së lehti, në thelb, do ta njohim Serbinë demokratike, nëse heq dorë nga koncepti shkatërrues i shtetit të madh, dhe nëse më në fund do të vendosë të jetojë në paqe dhe fqinjësi të mirë me fqinjët e saj në rajon.
Surroi: Serbia po përballet me sfidën, që është pranimi i paaftësisë së saj për të ndikuar te të tjerët. Sepse, sado që u përpoq, në fund u përpoq edhe ushtarakisht në Banjskë, kjo nuk e ndryshoi realitetin e Kosovës si shtet i pavarur. Beshlin : Në fakt, kjo ka qenë loja e vazhdueshme, nëse duam t’i zhveshin gjërat deri në thelb, kjo ka qenë loja në Jugosllavi.
Nuk ishte më çështje e strukturës shtetërore, nëse do të ishte unitare apo plurale kombëtare, apo nëse do të ishte centraliste apo e decentralizuar. Ishte thjesht çështje nëse modeli sovjetik do të ndiqej në Jugosllavinë socialiste. Edhe Arbëri 4 muaj më parë Si hymë të papërgatitur në liri?
Po kthehem serish te Nikeziqi, i cili thoshte: “Nacionalistët serbë nuk e duan Rusinë për shkak të Rusisë, ata e duan modelin rus të qeverisjes”. Një dorë e fortë është një komb dominues, një komb sundues që megjithatë është i privilegjuar në atë kuptim dhe që të dihet se kush është kryesori në atë shtet.
Prandaj pati kaq shumë rezistencë ndaj reformave kushtetuese dhe asaj kushtetute të fundit jugosllave, sepse po humbej ndjenja e dominimit që ka ekzistuar deri atëherë, dhe Millosheviqi u përpoq ta centralizojë Jugosllavinë me dhunë politike, dhe pastaj me dhunë ushtarake kur e nisi luftën më 1991, me qëllimin nëse ajo fuqi do të kthehej, nëse do të kthehej dominimi i Serbisë në rajon.
Surroi: Është një pyetje interesante që shtrohet tash pas këtij zhvillimi të luftës në Ukrainë dhe pamundësisë së Rusisë për të ndikuar. Kam biseduar me disa ish-ministra dhe ministra perëndimorë dhe pyetja ime ishte: “Përse duhej druajtur Rusisë nëse nuk ia doli të bënte atë që e kishte synim në Ukrainë? Meqë Ukraina e mbrojti veten, pse nuk mund ta mbrojnë veten edhe evropianët e tjerë”.
Por, lidhur me këtë pyetje, për mua shtrohet pyetja se si, në këtë situatë të krijuar rishtazi të krijohet një ombrellë sigurie, jo për njërin apo tjetrin shtet, por për të gjithë rajonin. Si të sigurohemi që në Ballkanin Perëndimor shtetet të mos i frikohen njëri-tjetrit. Beshlin : Nuk është pa logjikë.
Nëse Rusia nuk ia doli ta nënshtronte Ukrainën, atëherë si do t’ia bënte me pjesën tjetër të Evropës. Por, duhet ta kemi parasysh se sot ushtria ukrainase është ushtria më e madhe evropiane, se Evropa nuk është e përgatitur për çfarëdo konflikt, sidomos nëse e kemi parasysh se ombrella amerikane e sigurisë në fakt tash është çmontuar ose po çmontohet dhe nuk e dimë se si do të veprojë kryetari i ardhshëm amerikan, apo administrata amerikane në raport me këtë.
Por ku është një proces i pakthyeshëm, Amerika më nuk do të jetë garantuese e sigurisë Pikërisht kështu është. Për një kohë shumë të gjatë, Evropa është mbrojtur dhe rehatuar me faktin se ishte në rregull të përdorej energjia e lirë ruse për zhvillimin e saj ekonomik, dhe në të njëjtën kohë ta gëzojë mbrojtjen e lirë ose falas amerikane nga kërcënimi rus ose kërcënimi potencial.
Dhe kjo është një kontradiktë që nuk mund të zgjasë shumë. Është për keqardhje që disa politikanë si Angela Merkel nuk e kishin parë se koha po mbaronte dhe se ishte e nevojshme të kërkoheshin alternativa. Tash, falë këtij agresioni brutal dhe agresiv në Ukrainë, këto alternativa po kërkohen me shpejtësi në Evropë.
Siç e thotë Macron, nuk mundemi në botën mishngrënëse të mbetemi bimëngrënës. Kërkohen alternativa energjetike. Mendoj se Evropa duhet së pari ta rikthejë një lloj vetëbesimi.
Kur Trumpi e priti Zelenskin në vizitën e parë, që ishte tmerrësisht poshtëruese, përkatësisht, ku ai u soll tmerrshëm me Zelenskin që ishte tejet e pakëndshme dhe shokuese për evropianët, kryeministri britanik ishte ai që e thirri takimin ku i ftoi thuajse të gjithë liderët evropianë, dhe nëse nuk jam gabim, aty ishte ftuar edhe kryetari turk Erdogan.
Edhe po të mos ketë shkuar, sepse nuk po e mbaj mend nëse ka qenë aty fizikisht, por fakti është se Britania e thirri, kishte udhëheqës, gjermanë, francezë, etj. dhe se Zelenski gëzonte mbështetje të fortë turke në atë kohë, sepse mbaj mend që shumica e faqeve në rrjete sociale të AKP-së ose pothuajse të gjitha faqet e partisë në pushtet në Turqi, madje edhe disa të qeverisë, e publikuan vetëm një foto nga takimi midis Zelenskit dhe Erdoganit, binte shi, nuk e di as kur ka ndodhur takimi, po aty shihet Erdogani duke ia mbajtur çadrën Zelenskit.
Diplomacia osmane është në themel të diplomacisë të sotme moderne evropiane, dhe kjo ishte një porosi e fortë. Dua të them që Evropa nënkupton, jo vetëm BE-në, por edhe këtë grusht të mjerësh të Ballkanit Perëndimor ose si t’ia quajmë, pra Evropën Juglindore, e nënkupton Britaninë dhe e nënkupton edhe Turqinë. Kjo e nënkupton edhe Ukrainën. Sot, Ukraina e mbron Evropën.
Është pjesa më e pasur e botës. Është popullsia më e arsimuar dhe më urbane, Nga aspekti teknologjik është natyrisht pak prapa Kinës apo Amerikës, por dua të them se Evropa nuk ka arsye të ndihet as e mjerë, as e vetmuar, as e braktisur, as pa vetëbesim. 800 milionë njerëz me një zhvillim të tillë ekonomik dhe një arsimim të tillë….fundja me histori, nuk ka arsye që ta nënvlerësojë veten dhe për këtë arsye mendoj se ky është një shans i madh për Evropën tash.
Dhe tash armiqësia e Putinit. Putini mundet, keni të drejtë, të ketë ndikim shkatërrues, sepse luan me kartën e përfaqësimeve të ndryshme ekstreme të lëvizjeve të partive të ekstremit të djathtë në Evropë. Mund ta përhapë ndikimin e tij.
Nuk mund t’i ofrojë asnjë alternativë, por mund të shkaktojë lloje të ndryshme shkatërrimesh në Evropë, të cilat nuk mendoj se mund t’i prekin në thelb themelet e Evropës, por mund të prishë punë shumë.
Surroi: Që është një çast i artë për Serbinë, sepse Serbia që nga Vuk Karaxhiqi e tutje, deri në ditët e sotme ishte nën ndikimin e asaj fuqie të butë të Rusisë, nga gjuha, te feja deri të ideologjia kurse në vitet e fundit kishte një çështje mbrojtjeje, e vendosur nga kryetari Vuçiq.
Tash është mbase momenti historik kur Serbia mund të distancohet nga Rusia sa i përket energjisë, gjë që po e bën sot, por edhe sa i përket sigurisë.
Pyetja për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor është se si t’ia bëjmë që të mos armatosemi për shkak njëri-tjetrit, sepse problemi i pasigurisë së sotme nuk është brenga jonë për Rusinë ose për Iranin por shqetësimi i fqinjit prej fqinjit. Beshlin : Jo vetëm armatimi, por edhe futja e shërbimit të plotë ushtarak në Kroaci dhe Serbi, e ngjashëm.
Surroi: Gjuha e urrejtjes dhe gjuha e luftërave është diçka e paimagjinueshme me këtë zhvillim. Beshlin : Një udhëheqës i përgjegjshëm në Serbi, me tipare prej burrështetasi, do të duhej ta njihte këtë moment historik, e ky është një lloj disfate, jo e Rusisë, por disfata e konceptit të politikës ruse.
A do të shkojë Rusia drejt një lloj demokratizimi që mund të nënkuptojë dekolonizim, e vështirë e imagjinoj dekolonizimin rus pa demokratizim e që nuk i vë në pikëpyetje kufijtë aktualë… Surroi: Është edhe një “de”, demografia, apo jo? Beshlin : Ashtu është, demografia. Vështirë se mund ta imagjinoj këtë.
Së dyti, kur bëhet fjalë për demografinë, shifra prej 140 milionësh ishte, natyrisht, e vjetër dhe ishte regjistrim, pak a shumë, i falsifikuar i popullsisë. Vlerësimet e demografëve rusë sot edhe para agresionit kundër Ukrainës 2022ishin se nuk janë më shumë se 101-102 milionë njerëz që jetojnë atje.
Nga Urali, ku përfundon pjesa evropiane e Rusisë deri në Vlladivostok, pra pa e llogaritur vetë qytetin, i cili është i madh, në të gjithë Siberinë nuk jetojnë më shumë se 5 milionë njerëz. Surroi: Bëhet fjalë për nja gjashtë zona. Beshlin : Po ashtu është. Dhe kjo luftë gjithashtu ka sjellë shumë viktima dhe ende nuk e dimë se cili është bilanci i saj Pastaj është edhe migrimi.
Është një popullsi e re, e arsimuar, e aftë për punë, riprodhuese që largohet nga Rusia dhe pasojat e kësaj do të jenë e pallogaritshme. Gjithashtu duhet pasur parasysh se te kufiri mes Rusisë e Kinës, për herë të parë pas 300 vjetësh Rusia po pushon së qeni subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare. Lëvizjet kryesore që duhet t’i bëjë Rusia duhet t’i bëjë me pëlqimin e Kinës.
Po të mos ishte përkrahja kineze, që nuk është vetëm politike dhe ekonomike, ishte madje ushtarake, si edhe demografike përmes Koresë së Veriut etj., ushtarët që vinin… pra pas 300 vitesh, ndodh që Rusia ngadalë, falë lëvizjeve të saj të marra, po pushon së qeni subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe po shndërrohet në patericë politike dhe sidomos ekonomike e Kinës, pra po bëhet objekt në duart e një loje serioze botërore të cilën e luan Kina dhe një gjë shumë e rëndësishme.
Në kufirin mes Rusisë dhe Kinës, nuk takohen Rusia dhe Kina, por pjesët më pak dhe më shumë të populluara të botës Prandaj, çdo udhëheqës në Serbi do të duhej t’i kishte parasysh këto përmasa.
Do të duhej t’i kishte parasysh edhe tendencat historike për të cilat folëm, sepse Serbia gjithmonë është ballafaquar me dikotominë se a shkon nga lindja apo perëndimi, dhe e dimë se u zhvillua më shumë kur kishte një lloj kursi pro-perëndimor, qoftë kapitalizëm apo socializëm si rregullim shtetëror.
Besoj se Vuçiqi nuk ka asnjë kapacitet politik apo shtetëror, nuk ka më as kohë e as mundësi të bëjë një kthesë për të bërë orientime të reja strategjike. Po përpiqet që t’i ofrohet Kinës të bëhet Orbani i ri, po përpiqet dhe me Evropën, se do ta forcojë rrugën evropiane.
Nuk mendoj se dikush i beson më në këtë kuptim, por cilado strukturë politike që do të vinte pas rënies së këtij regjimi, sot do të duhej të merrte parasysh të gjitha këto përmasa historike e gjeopolitike… Serbia demokratike do të duhej, dhe mendoj se këtë e tha edhe kryeministri i Kosovës, z.
Kurti,t ë hiqte dorë nga trashëgimia e Millosheviqit nga e kaluara dhe ndikimi i Putinit në të tashmen. Nëse Serbia detyrohet të heqë dorë, për shkak të kombinimit të të gjitha këtyre rrethanave, disi nga Putini, nuk shoh potencial të mjaftueshëm në shoqëri në këtë çast, në veçanti marrë parasysh se Vuçiq insiston me këtë narrativë, që të hiqet dorë nga trashëgimia e Millosheviqit nga e kaluara, sepse ajo që sot është rryma dominuese në publik, në media, e edhe në historiografi, është se narrativat propagandistike të Millosheviqit nga të ’80-tat dhe narrativat e luftës nga të ‘90-tat as nuk shoshiten, por merren si argumente historike si të mirëqena.
Surroi: Vuçiqi e ka bërë një analizë pragmatike disa herë kur ka thënë se edhe nëse Kosova do të njihej, BE-ja nuk garanton që Serbia do të përfshihej në BE. Se nuk ekziston ai quid pro quo, në kuptimin gjeopolitik.
Nëse e duam një analogji që do të ishte pozitive edhe për Serbinë, e kjo është se nëse lufta e Ukrainës arriti ta zgjojë BE-në bazuar në këtë zhvillim dhe se ajo po përpiqet disi ta përfshijë me nxitim Ukrainën në BE, një ndryshim kursi në Serbi, ndryshim drejt paqes me fqinjët e saj, do të ishte këmbëza gjeopolitike që duhet ta tërheqë BE-në në rajon.
Beshlin : BE-ja ka treguar tashmë qëllime të mira në Tivat. E keni parë këtë propozim nga kancelari gjerman Merz dhe kryetari Macron, Kjo është avancim i asaj idesë keq të përpunuar, Evropa në disa shpejtësi Tash flitet për inkuadrimin sipas fazave, që shtetet e Ballkanit Perëndimor që i përmbushin reformat e nevojshme ekonomike dhe reformat në sundimin e ligjit të marrin leje të bëhen pjesë e tregut të përbashkët, gjë që është shumë e rëndësishme, dhe pastaj të përfshihen në faza, në mënyrë që të mos jetë një vendim që do të jetë përfundimtar, por më tepër një proces që, natyrisht, do të ishte i kthyeshëm, në kuptimin që nëse një shtet ka prapakthim te sundimi i ligjit apo në disa nga standardet evropiane, i hiqen përfitimet, por për të përfshirë ngadalë dhe me faza në BE në mënyrë që në një çast, kur konstatohet se kushtet janë përmbushur, ajo do të formalizohej.
Kjo është zgjidhje e mirë… është si një pritore aktive, nuk është madje pritje, por punë aktive dhe inkuadrim me faza në BE Ndoshta rreziku qëndron në faktin se… Vuçiqi është ndërlidhur, të kthehemi te shekulli 19 sërish, me tezën e Pashiqit dhe radikalizmit e shekullit 19nga perëndimi i marrim paratë dhe teknikën, e shpirtin dhe zemrën e kemi me Rusinë. Vlerat janë ruse.
Në kohën e Merkelit, në kohën kur ishte e përhapur klima shumë përdëllimtare ndaj tij, krahëhapur, jo vetëm nga kancelaria e atëhershme, por edhe nga ekonomia gjermane dhe Serbia gjatë atyre viteve rriti eksportet e saj në BE gati 400%… nejse kjo tendencë kishte nisur me Boris Tadiqin, dhe gjatë muajit të mjaltit që zgjati deri në fund të mandatit të Merkelit, Serbia pothuajse barazoi eksportet dhe importet e saj kur bëhet fjalë për Bashkimin Evropian, gjë që nuk kishte ndodhur as në Jugosllavi, falë hapjes së tregut evropian, dashamirësisë së administratës gjermane, hapjes së ekonomisë gjermane ndaj Serbisë, investimeve…
Por, nga ana tjetër, prej Vuçiqit nuk kërkohej asnjë lëshim politik. Ai tekstualisht e zbatonte tezën e Pashiqit, paratë e investimet i marrim, sipas variantit ‘supermarket’, por vlerat, politika e sigurisë së jashtme, sundimi i ligjit, institucione demokratike, liri mediash, që të gjitha i shfuqizoi.
Derisa ia hapën dyert ekonomike, derisa Serbia po përparonte ekonomikisht, njëkohësisht, segmenti ku bëhej fjalë për sigurinë, politikën e jashtme krejt tjerat, që përfaqësojnë vlerat bazike evropiane, i shfuqizoi, i shkeli institucionet, rendin juridik, opozitën, mediumet e lira dhe i bëri zgjedhjet të pakuptimta.
Angela Merkel heshtte, pra ktheu kokën, dhe kjo doli të ishte një politikë e keqe, Prandaj edhe propozimi i Merzit dhe i Macronit është shumë i mirë. Të përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor në tregun evropian në faza, por kjo duhet të ndiqet nga kritere të rrepta, kur flitet për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, zgjedhjet e lira, liria e medias, etj.
Surroi: Argumenti që vjen nga ana tjetër është se nëse BE-ja do t’u kërkonte Portugalisë, Spanjës, Greqisë, atëherë kur dolën nga diktatura, ta arrinin nivelin e Danimarkës, etj., nuk do të hynin kurrë në BE. Ky është një argument, sigurisht, që thotë se duhet ta shfrytëzojmë momentin gjeopolitik.
Cili do të ishte momenti gjeopolitik kur Serbisë do t’i thoshin prej 12 gjërave, hajde plotësoji 6 dhe do të të inkuadrojmë me shpejtësi. Beshlin : Kjo është duke ndodhur tash. Mali i Zi nuk bëri hapin prej 7 miljesh ai vetë në reforma, e që dikush ta ketë parë në Bruksel… Surroi: Jo, e kanë bërë gradualisht, nga koha e Gjukanoviqit.
Beshlin : Por, ato reforma madje u ngadalësuan dhe shumë gjëra u prapakthyen pas 2020-tës, por rrethanat gjeopolitike ndryshuan, pas 2022-tës, Evropa e kuptoi se duhej ta integronte juglindjen e Evropës, dhe të tregonte, ndër të tjera, se procesi i bashkimit është ende gjallë, se procesi po vazhdon dhe se Mali i Zi disi u njoh si kandidati më serioz, që kishte qenë vite me radhë, mbi një dekadë.
BE-ja në këtë çast, dhe samiti në Tivat e dëshmoi do që t’i integrojë këto shtete, që të shihet sa më pak rezistencë brenda këtyre shteteve. Ne jemi një treg i vogël, me një numër relativisht të vogël banorësh, të gjithë së bashku, s’po i përmendi regjistrimet, por realisht, sa njerëz jetojnë këtu, janë sa popullata e një metropoli pak më të madh evropian.
Nuk mund të përfaqësojmë, në asnjë kuptim, rrezik, e mund të bëjmë dëm. E kemi dëshmuar se ekziston potenciali për të shkaktuar probleme. Besoj se për këtë ky moment u njoh si i mirë. Është mirë të shkohet me faza sepse padyshim disa shtete nuk mund t’i përmbushin të gjitha kushtet menjëherë ose u duhet më shumë kohë të jetë e mundur për t’i përmbushur.
Prandaj mendoj se propozimi Merz-Macron është i mirë dhe se Vuçiqi pjesërisht e njohu, por mendoj, në fakt jam i sigurt, se ai nuk mund t’i përmbushë disa nga kriteret minimale që do të kërkoheshin nga Serbia. Sepse, kjo do ta kërcënonte autoritarizmin e tij. Surroi: Kjo do të thotë se duhet pushtet i ri në Serbi. Beshlin : Pa dyshim, pa dyshim. Pushtet që do ta kishte një fillim të ri.
Edhe Vuçiqi kishte qenë njëfarë fillimi i ri pas Tadiqit, njëfarë rilindje, përsëri po e them, raporti i tij me Angela Merkelin, por unë mendoj se aty ka pasur shumë mangësi. Surroi: A mund të shikohet nga perspektiva e sotme historike samiti i Berlinit më 2028?
Kryetari, kryeministri i Malit të Zi e merr ftesën, në fakt jo ftesën, por e nënshkruan anëtarësimin, që më pas shkon në ratifikim.
Në sallën e njëjtë janë liderët e 5 vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, që së bashku nënshkruajnë marrëveshjen me të cilën, jo vetëm, që tregojnë për perspektivën e përbashkët në BE, por zotohen për hapësirën e përbashkët të mbrojtjes ku të gjitha shtetet së bashku, si pjesë e zonës së sigurisë evropiane, do të jenë pjesë e rregullimit evropian.
Të gjithë liderët me emër e mbiemër dhe me emrat e shteteve të tyre. Beshlin : Bukur e keni parafytyruar këtë. Për të mos e prishur këtë optimizëm, më parë mund ta parafytyroj një marrëveshje mes udhëheqësve evropianë për të ardhmen e sigurisë dhe çdo perspektivë tjetër të përbashkët evropiane sesa mund ta imagjinoj “marrëveshjen” e historianëve për të kaluarën.
Më parë mund ta parafytyroj se liderët tanë të Ballkanit do të merren vesh për ndonjë perspektivë të përbashkët, përfshirë këtë të sigurisë, sesa që do të mundemi të arrijmë te interpretimet relativisht uniforme të së kaluarës. Kjo, nuk është lajm patjetër i keq, sepse mendoj se e ardhmja është disi më e ndritur sesa është e kaluara.
Edhe Arbëri 18 min. më parë Moti sot Surroi: Fjalë që vijnë nga historiani, i japin më shumë kuptim. Qe kënaqësi e jashtëzakonshme. Beshlin: Ju faleminderit për ftesën. Biseda me ju qe shumë interesante, dhe qëndrimi shumë i këndshëm në Prishtinë.
