Mateo Kovacic pritet të largohet nga Manchester City gjatë kësaj vere, pasi klubi i ka bërë të qartë se është i lirë të gjejë një skuadër të re.
Sipas Football Insider, mesfushori kroat nuk bën më pjesë në planet e kampionëve të Anglisë, pas një sezoni të vështirë të shoqëruar me lëndime. 32-vjeçari ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij, por ka humbur vendin në hierarkinë e mesfushës së Pep Guardiolës.
Situata e tij është ndikuar edhe nga afrimi i pritshëm i Elliot Anderson nga Nottingham Foresti, transferim që do ta detyrojë Manchester Cityn të lirojë hapësira në skuadër. Kovacic shpreson që paraqitjet e tij me Kroacinë në Kupën e Botës 2026 të kenë zgjuar interesimin e klubeve të tjera, pavarësisht se sezonin e kaluar zhvilloi vetëm nëntë ndeshje me fanellën e Cityt.
Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur oferta konkrete për mesfushorin kroat./ Telegrafi
