Historia moderne e Republikës së Kosovës është e lidhur ngushtë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pak shtete në botë kanë pasur një aleat kaq të fuqishëm dhe kaq të qëndrueshëm në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit.
Nga vitet e represionit serb, ndërhyrja ushtarake e NATO-s në vitin 1999, shpallja e pavarësisë në vitin 2008 e deri te ndërtimi i institucioneve demokratike dhe zhvillimi i kapaciteteve mbrojtëse, SHBA-të kanë qenë shtylla kryesore e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën.
Liria e Kosovës u arrit falë sakrificës së popullit të saj, rezistencës për çlirim dhe mbështetjes vendimtare të botës demokratike, me SHBA-të në krye. Udhëheqja amerikane, nën administratën e presidentit Bill Clinton, luajti rol vendimtar në bindjen e aleatëve të Organizatës te Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) për të ndërhyrë ushtarakisht kundër regjimit të Slobodan Milošević.
Ajo ndërhyrje ndali spastrimin etnik, shpëtoi mijëra jetë dhe krijoi kushtet që Kosova të ndërtonte të ardhmen e saj si shtet demokratik. Pas luftës, mbështetja amerikane nuk përfundoi. Përkundrazi, ajo hyri në një fazë të re, atë të mbesjtetjes të shtetndërtimit.
SHBA-të investuan në: ● ngritjen e institucioneve demokratike, ● ndërtimin e administratës publike, ● forcimin e sundimit të ligjit, ● reformimin e sistemit të drejtësisë, ● profesionalizimin e Policisë së Kosovës dhe ● krijimin e institucioneve moderne të sigurisë dhe mbrojtjes. Këto investime kanë qenë vendimtare për funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
Një rol të pazëvendësueshëm SHBA-të kanë luajtur edhe në procesin e njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë, administrata e presidentit George W. Bush ishte ndër të parat që njohu shtetin e ri dhe zhvilloi një diplomaci aktive për të inkurajuar edhe shtetet e tjera të ndërmerrnin të njëjtin hap.
Ky angazhim diplomatik ka ndihmuar në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe në avancimin e pozitës së saj në arenën ndërkombëtare. Edhe administratat pasuese amerikane kanë ruajtur të njëjtin orientim strategjik.
Pavarësisht ndryshimeve politike në Uashington, mbështetja për Kosovën ka mbetur një politikë me konsensus të gjerë, duke dëshmuar se partneriteti Kosovë–SHBA është ndërtuar mbi interesa të përbashkëta, stabilitet rajonal dhe vlera demokratike. Një nga dimensionet më të rëndësishme të këtij partneriteti është zhvillimi i sektorit të mbrojtjes dhe ndërtimi i Ushtrisë së Kosovës.
Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë me mandat ushtarak nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen: ● politike, ● profesionale dhe ● materiale të SHBA-ve edhe te disa shteteve tjera qe ne vazhdimësi e kanë mbeshtet pavarësinë e Republikës së Kosovës. ■ Përmes këshillimit strategjik, ■ programeve të trajnimit, ■ arsimit ushtarak ■ investimeve në pajisje dhe asistencës teknike.
SHBA-të kanë ndihmuar në krijimin e një force moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me standardet e NATO-s. Në këtë proces, partneriteti me Gardën Kombëtare të Shtetit të Ajovës përbën një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit ushtarak.
Për vite me radhë janë zhvilluar stërvitje të përbashkëta, programe për zhvillimin e lidershipit ushtarak, shkëmbime profesionale dhe ngritje të kapaciteteve operacionale. Ky partneritet ka ndikuar drejtpërdrejt në profesionalizimin e kuadrove të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Mbështetja amerikane është shtrirë edhe në pajisjen e forcave të sigurisë me mjete moderne: ● automjete taktike, ● sisteme komunikimi dhe pajisje të tjera që kanë rritur gatishmërinë operacionale ● sisteme te avancuara kundër mjeteve bëinduase ● Dron etj.
Po aq i rëndësishëm ka qenë investimi në arsimimin e oficerëve të Kosovës në akademitë ushtarake amerikane, ku ata kanë përfituar njohuri të avancuara në ● komandim, ● planifikim operacional, ● logjistikë, ● inteligjencë dhe ● menaxhim strategjik. Sot, Forca e Sigurisë së Kosovës është një institucion profesional, multietnik dhe ndër më të besuarit nga qytetarët.
Ajo merr pjesë në stërvitje të përbashkëta me forcat e vendeve aleate dhe po zhvillon kapacitetet e saj në përputhje me standardet e NATO-s. Ky është rezultat i një bashkëpunimi afatgjatë dhe i një vizioni të përbashkët për ndërtimin e një force që kontribuon jo vetëm në mbrojtjen e Kosovës, por edhe në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
Në rrethanat e sotme gjeopolitike, kur Evropa përballet me sfida të reja të sigurisë pas agresionit rus kundër Ukrainës dhe përpjekjeve për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve bëhet edhe më i rëndësishëm.
Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse, modernizimi i ushtrisë, zhvillimi i mbrojtjes kibernetike dhe thellimi i bashkëpunimit me SHBA-të dhe NATO-n duhet të mbeten prioritete të politikës shtetërore të Kosovës. Mirënjohja e popullit të Kosovës ndaj SHBA-ve nuk është vetëm emocionale; ajo mbështetet në fakte historike.
SHBA-të kanë qenë pranë Kosovës në momentet më vendimtare: në luftën për liri, në shpalljen e pavarësisë, në ndërtimin e institucioneve, në njohjen ndërkombëtare dhe në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes.
Kjo aleancë strategjike duhet të ruhet dhe të forcohet nga çdo institucion i Republikës së Kosovës, sepse ajo përfaqëson një nga garancitë më të rëndësishme për sigurinë, zhvillimin dhe të ardhmen euroatlantike të vendit. Historia ka dëshmuar se miqësitë ndërtohen në kohë të vështira.
Partneriteti ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një shembull i tillë. Ai është ndërtuar mbi besim, sakrificë, vlera demokratike dhe objektiva të përbashkëta duke i falenderuar edhe diasprën shqiptare në SHBA të organizuara në shoqata siq është shoqara VATRA.
Prandaj, ruajtja dhe thellimi i kësaj aleance nuk është vetëm një detyrim moral ndaj historisë, por një domosdoshmëri strategjike për të ardhmen e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
