Federata e Futbollit e Senegalit (FSF) ka shkarkuar trajnerin Pape Thiaw dhe të gjithë stafin e tij teknik pas paraqitjes zhgënjyese të “Luanëve të Terangës” në Kupën e Botës 2026. Vendimi u mor pas një mbledhjeje të Komitetit Ekzekutiv të FSF-së në Dakar, duke i dhënë fund aventurës së Thiaw si trajner i përhershëm i kombëtares, më pak se dy vite pasi mori drejtimin e ekipit.
Senegali arriti deri në fazën e 1/16 së finales, pasi u kualifikua si një nga skuadrat më të mira të vendeve të treta. Afrikanët pësuan humbje ndaj Francës dhe Norvegjisë në fazën e grupeve, por reaguan me një fitore bindëse 5-0 ndaj Irakut. Megjithatë, rrugëtimi i tyre u mbyll në mënyrë dramatike ndaj Belgjikës.
Senegali kryesonte 2-0 falë golave të Habib Diarra dhe Ismaila Sarr, por belgët rikthyen ndeshjen me golat e Romelu Lukakut dhe Youri Tielemans, para se ky i fundit të realizonte penalltinë vendimtare në vazhdime për fitoren 3-2.
Eliminimi solli kritika të shumta ndaj Thiaw për vendimet taktike dhe menaxhimin e ndeshjeve, veçanërisht për faktin se skuadra nuk arriti të ruante avantazhet e krijuara gjatë turneut. Në komunikatën zyrtare, FSF bëri të ditur se vendimi për shkarkimin erdhi pas një vlerësimi të performancës së kombëtares dhe se ndryshimi ishte i nevojshëm për të ardhmen e futbollit senegalez.
Presidenti i federatës, Abdoulaye Fall, është ngarkuar të njoftojë zyrtarisht Thiaw për vendimin dhe të udhëheqë procesin e riorganizimit të ekipeve kombëtare. Ndërkohë, kanë nisur të përmenden edhe emrat e kandidatëve për ta zëvendësuar.
Habib Beye, Patrick Vieira dhe Herve Renard janë disa prej trajnerëve që lidhen me postin e lirë, teksa Senegali kërkon një drejtues të ri për ciklin e ardhshëm.
