Nga: Lura Pollozhani Shpërndaje në: Libri “Drejt dritës” si një bashkëbisedim midis Bernard Nikajt me Kimete Mitrovica-Bashën na hap gjithashtu një dritare të rrallë në jetën private të personave me histori të mëdha dhe të kontestueshme: nga takimet e brendshme me Ibrahim Rugovën dhe organizimi i vizitës së tij historike në Parlamentin Evropian në vitin 1992, te darkat shtëpiake me Sali Berishën dhe delegacionet e para të Partisë Demokratike, momente që rrallë gjejnë vend në narrativën zyrtare historike Para një viti, miku im, Bernard Nikaj, më njoftoi që po punonte në një libër mbi Kimete Mitrovicën, një zonjë me histori që tregonte shumë për popullin shqiptar, për diasporën dhe për zhvillimin e shtetit të Kosovës.
Isha pak konfuze se si do të dukej libri, dhe se si do të ishte biseda mes Bernardit dhe Kimetes. Kur lexova dorëshkrimin në gjuhën angleze, m’u duk bisedë aq organike dhe bujare, saqë e lexova me shumë qejf përsëri kur u publikua në shqip nga “Dukagjini”.
Arsyeja se pse kjo bisedë është e pasur është sepse ekzistojnë dy elemente që janë shumë të rëndësishme: I pari është respekti i ndërsjellë që kanë Bernardi me Kimeten. Ky respekt e mundëson një tregim të rrjedhshëm, që konsideron kontekstin, që është i hapur për të zbuluar dhe për t’u zbuluar.
Aspekti i dytë është kërshëria e sinqertë që Bernardi ka për jetën e Kimetes si dhe që Kimetja ka për jetën e saj. Historia që shtjellohet në libër mban shumë aktorë të ndryshëm të gjithë me një bagazh që historia, koha dhe zhvillimet politike ua kanë vendosur sipër supeve ndër vite.
Kimetja mundohet të navigojë historinë, atë të shkuar dhe kolektive dhe atë të jetuar dhe personale me një sinqeritet dhe brishtësi që është prekëse aq sa është e rrallë në letërsinë e kujtimeve shqiptare. Po kush është Kimete Mitrovica-Basha?
Kimetja është një edukatore dhe avokuese, e cila ka qenë e përfshirë në avokimin për pavarësinë e Kosovës në të 80-tat dhe 90-tat, bashkë me burrin e saj Ydriz Bashën.
Vajzë e gazetarit dhe aktivistit kosovar, Xhelal Mitrovicës dhe mbesa e Dervish bej Mitrovicës, delegat i Kosovës në nënshkrimin e pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkëluftëtar i Fan Nolit, Bajram Currit dhe Isa Boletinit, historia e familjes së saj e vendos atë në zemër të diasporës politike shqiptare të shekullit të njëzetë.
Kjo trashëgimi, e ndërthurur me lidhjet familjare me Xhafer Devën, na hap gjithashtu një dritare të rrallë në jetën private të personave me histori të mëdha dhe të kontestueshme: nga takimet e brendshme me Ibrahim Rugovën dhe organizimi i vizitës së tij historike në Parlamentin Evropian në vitin 1992, te darkat shtëpiake me Sali Berishën dhe delegacionet e para të Partisë Demokratike, momente që rrallë gjejnë vend në narrativën zyrtare historike.
Në këtë libër këto karaktere shfaqen ndryshe, të veshur në një petk personal, dhe larg imazhit publik, sepse Kimetja bën vendimin që të mos gjykojë personazhet e jetës së saj, dhe as të ligjërojë lexuesin, por të kuptojë si për vete, ashtu edhe për lexuesin, rrjedhat e jetës të saj.
Jeta e Kimetes në libër shtjellohet më së shumti nëpërmjet ndërveprimit të saj me dy burra, babait të saj dhe burrit të saj, dhe gjëja që e bën këtë shtjellim të bukur është që leximi dhe përpunimi i kujtimeve vjen nga një lexim feminist. Babai i Kimetes është drita, ai që e motivon për të ndjekur dijen, të vërtetën, jetën e plotë.
Burri i Kimetes është ai që e hap rrugën drejt dashurisë, atë personale, por edhe atë kolektive, për kombin. Nëna e Kimetes gjithashtu është personazh prezent, siç janë dhe vajzat e saj. Nga njëra anë është heshtja e dhimbjeve, kurse nga ana tjetër janë shpresa e një të ardhmeje tjetër më të mirë.
Në mes është gjithmonë Kimetja, e cila, me pyetjet e Bernardit, i cili ndonjëherë edhe e provokon atë të dalë nga kornizat e saj dhe të reflektojë më gjerë mbi jetën e saj dhe ngjarjet që e rrethojnë, rrëfen mbi momente historike si dhe personale. Kimetja u përgjigjet sfidave që ia prezenton Bernardi me një përkushtim dhe reflektim që e bën librin më të pasur.
Reflektimet e saj mbi efektin që ka migrimi dhe jeta në migrim, diasporën shqiptare në Australi, Amerikën Veriore dhe në Evropë, si dhe shtetndërtimin e Shqipërisë postkomuniste dhe Kosovës u japin shumë mësime të dinamikave të shumta, dështimeve dhe sukseseve që kur shihen nëpërmjet syve të personit që ka qenë pjesë e tyre fitojnë ngjyra të ndryshme dhe më modeste.
Them që tregimi i saj vjen nga një perspektivë feministe, sepse ajo gjithmonë reflekton për rolin e saj si grua dhe luftën personale dhe profesionale për të marrë hapësirën e saj. Gjithashtu, ajo që e bën librin të bukur dhe thellësisht feminist në lexim është theksimi i solidaritetit, dashurisë dhe kolektivit në aspektin politik.
Tregimi nuk është kurrë në drejtim të shkatërrimit por të ndërtimit të ideve dhe ndërveprimit mes aktorëve të ndryshëm dhe jo me qëllim për të treguar pushtet apo për të ndëshkuar, dhe kjo e bën librin, sidomos kur flasim për histori, shumë të veçantë.
Edhe Shtojca për Kulturë 8 muaj më parë “It’s a Wonderful Life” drejt shpresës së heshtur Fija që i mban të gjitha historitë bashkë është përkushtimi ndaj dritës dhe dashuria. Jeta e Kimetes ndjek diturinë dhe të vërtetën, dhe atë e bën nën mbështetje dhe nën dritën e dashurisë, për të shoqin, për kombin, për vajzat.
Fatmirësisht, Kimetja gjen një bashkëbisedues te Bernardi që i nxjerr të gjitha nuancat e tregimit të saj në pah për lexuesin.
Në një kohë kur historia e diasporës shqiptare rrezikon të mbetet e fragmentuar dhe e paregjistruar, libri “Drejt dritës” bën diçka të domosdoshme duke e vendosur gruan në qendër të asaj historie, jo si figurë anësore, por si bartëse e kujtesës, e vlerave dhe si pjesëmarrëse të plotë në krijimin e historisë.
Ky është kontributi i tij më i qëndrueshëm, dhe më bën të pyes veten se edhe sa histori të tilla të patreguara mund të gjejmë, dhe se sa mësime kemi akoma për të mësuar.
