Sekti katolik në prag të përçarjes me Kishën, Papa: Ju përgjërohem

0%

Synimi i Vëllazërisë së Shën Piut X (SSPX), një grup tradicionalist katolik i krahut të djathtë, për të shuguruar peshkopët e vet më 1 korrik pa miratimin e Vatikanit, e ka çuar atë në një përplasje të drejtpërdrejtë me Selinë e Shenjtë.

Kjo mund të shkaktojë një krizë për Papa Leon XIV, pak më shumë se një vit pas fillimit të pontifikatit të tij, duke përshkallëzuar edhe më tej marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes Kishës Katolike Romake dhe katolikëve tradicionalistë në SHBA dhe në mbarë botën. SSPX u themelua në Zvicër në vitin 1970 për t’iu kundërvënë reformave liberalizuese në Kishën Katolike.

Sot ajo ka një numër të madh ndjekësish në SHBA, Francë, Argjentinë dhe vende të tjera, ndërsa pretendon se më shumë se gjysmë milioni besimtarë marrin pjesë në meshat e saj në mbarë botën. Organizata ka rreth 1500 priftërinj, seminaristë dhe anëtarë të urdhrave fetarë. Javën e kaluar, Papa Leo XIV u bëri edhe një apel drejtuesve të SSPX-së, shkruajnë mediat . “Ju lutem, mos e bëni këtë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Le të përpiqemi të jetojmë në bashkim brenda Kishës.” Megjithatë, ai theksoi se vendimi u takon atyre. “Nëse vendosin ta hedhin këtë hap, më vjen keq, por ne do të duhet të vazhdojmë rrugën tonë.” Sipas së drejtës kanonike, shugurimi i peshkopëve pa miratimin e Vatikanit sjell automatikisht shkishërimin (ekskomunikimin).

Nga ana e saj, SSPX deklaron se planifikon të shugurojë katër peshkopë të rinj – dy francezë, një zviceran dhe një amerikan – duke argumentuar se kjo është një domosdoshmëri praktike dhe se nuk synon krijimin e një autoriteti paralel brenda Kishës. Marrëdhëniet mes Vatikanit dhe SSPX-së kanë qenë të tensionuara për dekada.

Herën e fundit që kjo organizatë shuguroi peshkopë pa leje, në vitin 1988, Selia e Shenjtë shkishëroi themeluesin dhe peshkopët e përfshirë. Më vonë, në vitin 2009, Papa Benedikti XVI hoqi shkishërimin si një gjest pajtimi dhe lejoi përdorimin më të gjerë të meshës në latinisht, të cilën tradicionalistët e preferojnë.

SSPX vazhdon të kremtojë meshat vetëm në latinisht dhe mbron rregulla shumë konservatore, përfshirë role të rrepta gjinore. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se mosmarrëveshjet me Vatikanin janë shumë më të thella sesa çështjet liturgjike dhe do të jenë të vështira për t’u zgjidhur.

Burimi: Telegrafi