Sejko: Kalimi drejt një ekonomie pa para fizike është kyç për modernizimin financiar

0%

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në workshopin “Cashless Albania”. Një ekonomi pa përdorimin e parasë fizike: a jemi gati?”, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve publike, sektorit bankar, akademisë dhe organizatave ndërkombëtare.

Workshop-i synoi të krijojë një forum diskutimi mbi perspektivat e kalimit të Shqipërisë drejt një ekonomie pa para fizike, duke vlerësuar progresin e deritanishëm, sfidat ekzistuese dhe prioritetet për zhvillimin e mëtejshëm të ekosistemit të pagesave digjitale në vend.

Në fjalën e tij, Guvernatori theksoi se kalimi drejt një ekonomie me pagesa elektronike përbën një element kyç të modernizimit të sistemit financiar shqiptar dhe një proces që kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe aktorëve të tregut.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai nënvizoi se Banka e Shqipërisë ka qenë promotore e reformave në fushën e digjitalizimit të pagesave, duke ndërtuar kuadrin ligjor dhe infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e pagesave elektronike.

Sejko evidentoi ndër arritjet kryesore transpozimin e kuadrit evropian PSD2, zhvillimin e konceptit të bankingut të hapur, miratimin e ligjit për llogarinë bazike të pagesave, modernizimin e sistemeve kombëtare të pagesave dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), i cili u mundëson qytetarëve dhe bizneseve shqiptare të kryejnë transferta në euro me kosto ndjeshëm më të ulëta dhe sipas të njëjtave standarde si në vendet e Bashkimit Evropian.

Në përfundim, Guvernatori Sejko nënvizoi se suksesi i këtij transformimi varet jo vetëm nga zhvillimi i infrastrukturës dhe kuadrit rregullator, por edhe nga edukimi financiar i qytetarëve dhe bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve publike, sektorit financiar dhe akademisë.

Në këtë kuadër, ai vlerësoi kontributin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në nxitjen e dialogut shkencor dhe mbështetjen e reformave që promovojnë një kulturë më të avancuar financiare dhe digjitale në vend.

Burimi: Bota Sot