Kampioni francez i hendbollit, PSG, po vazhdon të ndërtojë ekipin për sezonin 2027/28. Pas prezantimit të trajnerit të ri Roberto Garcia Parrondo, klubi parisien ka konfirmuar edhe një përforcim të rëndësishëm për të ardhmen. Nga vera e vitit 2027 pjesë e PSG-së do të jetë krahu i djathtë Renars Ushçins, një nga hendbollistët më të spikatur të përfaqësueses së Gjermanisë.
Renars Ushçins do ta përmbushë fillimisht vitin e fundit të kontratës me Hannoverin, përpara se të transferohet në kryeqytetin francez. Në Paris ai pritet të formojë një dyshe shumë të fortë në krahun e djathtë me egjiptianin Yahia Omar. Ardhja e tij nënkupton edhe largimin e kroatit Mateo Marash, pasi PSG ka vendosur të mos ia vazhdojë kontratën.
Ish-lojtari i Eurofarm Pelisterit tashmë do të jetë në kërkim të një sfide të re në karrierë. Renars Ushçins e nisi rrugëtimin në akademinë e Magdeburgut. Më pas luajti si i huazuar te Bergischer HC, ndërsa që nga viti 2022 është pjesë e Hannoverit, ku u shndërrua në një nga lojtarët më të mirë në pozitën e tij dhe fitoi vend të rëndësishëm edhe në kombëtaren gjermane.
Me këtë transferim, PSG dërgon një sinjal të qartë se synon të mbetet një nga klubet më të fuqishme në hendbollin evropian edhe në vitet e ardhshme, duke investuar në lojtarë të rinj dhe me cilësi të lartë.
