Ish-përzgjedhësi i Bosnjë dhe Hercegovinës, Safet Sushiq, ka folur para ndeshjes së Bosnjës dhe Hercegovinës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Do të jetë shumë e vështirë për ekipin tonë. Amerikanët janë organizatorët e Botërorit dhe do ta kenë përkrahjen e madhe të publikut. Përveç kësaj, janë më me përvojë dhe kanë emra më të njohur, ndaj nuk kam dilemë se kush është favorit.
Megjithatë, Bosnja ka bërë tashmë shumë dhe nëse arrijmë ta mposhtim SHBA-në, do të jetë një spektakël” , deklaroi Sushiq për “Sportissimo”. Ai u ndal edhe te futbollistët nga të cilët pret më shumë në këtë përballje. “Kerim Allajbegoviq është paraqitur shumë mirë dhe tashmë ka interesim nga klube të ndryshme.
Nga Edin Xheko nuk pres shumë, sepse është gati 40 vjeç dhe ka kaluar një lëndim. Pres që ndonjë nga lojtarët e rinj të befasojë. Ne jemi skuadra më e re në këtë Botëror dhe kemi motivim të madh” , u shpreh ai. Sushiq vlerësoi se Bosnja dhe Hercegovina e ka tejkaluar çdo pritshmëri me paraqitjen e deritanishme në turne. “Kemi arritur shumë më tepër sesa pritej.
Tek ne ndodh gjithmonë e njëjta gjë: kur fitojmë, jemi më të mirët në botë, ndërsa pas një humbjeje bëhemi më të këqijtë. Nuk jemi gjithmonë realistë. Bosnja pati edhe fat në fazën e grupeve, por pavarësisht kësaj, kemi arritur një rezultat të madh ”, përfundoi ish-përzgjedhësi.
Bosnjë dhe Hercegovina do të luajë sonte ndeshjen e parë të fazës me eliminim direkt në historinë e saj në Kampionatin Botëror. Një fitore ndaj SHBA-së do ta dërgonte kombëtaren boshnjake në çerekfinale të turneut.
