Cristiano Ronaldo vazhdon të jetë një nga figurat më të komentuara në futbollin botëror, ndërsa ish-bashkëlojtari i tij te Manchester United, Louis Saha, ka shpjeguar pse portugezi merr më shumë kritika se Lionel Messi. Ronaldo dhe Messi janë të dy pjesë e Botërorit 2026, por sipas Sahas, presioni ndaj yllit portugez është gjithmonë më i madh, sidomos sa herë që ai nuk arrin të shënojë.
Ronaldo, tashmë 41 vjeç, po luan në Kupën e tij të gjashtë të Botës. Ai ka shënuar tri gola në këtë turne, përfshirë një penallti vendimtare në fitoren dramatike 2-1 të Portugalisë ndaj Kroacisë në fazën e 1/16. Më herët, në fazën e grupeve, ai realizoi dy herë kundër Uzbekistanit. Megjithatë, pavarësisht kontributit të tij, kritikat nuk kanë munguar.
Ndryshe nga Messi, i cili ka marrë shumë lavdërime pas gjashtë golave të shënuar deri tani dhe kryesimit në garën për “Këpucën e Artë” bashkë me Kylian Mbappen, Ronaldo vazhdon të përballet me debate rreth rolit të tij në formacionin titullar të Portugalisë. Sipas Louis Saha, arsyeja pse Ronaldo kritikohet më shumë lidhet me mënyrën se si ai e prezanton veten publikisht.
“E kuptoj pse ndodh kjo. Ronaldo flet më shumë se Messi dhe pretendon më shumë se Messi. Njerëzit priren ta mbrojnë dikë që duket më i tërhequr apo më i brishtë. Messi është më i qetë dhe për këtë arsye duket më i mbrojtur. Ronaldo nuk kërkon mbrojtje, prandaj edhe nuk e merr atë”, tha Saha për GOAL.
Ish-sulmuesi francez shtoi se Ronaldo e ekspozon veten më shumë, sidomos kur thotë hapur se është më i miri. “Ai del përpara dhe thotë: ‘Unë jam më i miri’. Disa njerëz nuk e pëlqejnë këtë. Me Messin nuk ndodh njësoj. Prandaj kam shumë admirim për Cristianon, sepse ai flet dhe shumicën e herëve i bën njerëzit të mbyllin gojën.
Sidomos në ndeshjen e dytë ndaj Uzbekistanit, kur të gjithë e kritikuan, ai reagoi në mënyrën më të mirë. Kjo nuk është aspak e lehtë, veçanërisht në moshën 41-vjeçare”, deklaroi Saha. Pas paraqitjes së tij me dy gola kundër Uzbekistanit, Ronaldo kishte pranuar se java kishte qenë e vështirë për të dhe për gjithë skuadrën portugeze.
“Mund t’ju them se ishte një javë shumë e vështirë, me shumë kritika ndaj nesh, ndaj të gjithë lojtarëve dhe sidomos ndaj trajnerit. Kur gjërat shkojnë mirë, Cristiano është i mirë; kur gjërat shkojnë keq, ai është i pensionuar, është i vjetër. Karriera ime ka qenë gjithmonë kështu, por jam mësuar dhe vazhdoj përpara”, kishte thënë Ronaldo.
Ylli portugez ka kaluar më shumë se dy dekada në majën e futbollit dhe tashmë është mësuar me dyshimet, kritikat dhe zërat që kërkojnë fundin e epokës së tij. Portugalia, ndërkohë, mbetet në garë për trofeun më të madh. Pas fitores së vështirë ndaj Kroacisë, skuadra e Roberto Martinezit do të përballet me Spanjën në një duel të zjarrtë iberik në fazën e 1/8 të finales.
