Sot do të mbahet protesta e 35-të masive në Shqipëri, ku qytetarët atje kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama. Qytetarët shqiptarë edhe në ditën e 35-të vazhdojnë t’i qëndrojnë kërkesës kryesore për dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se deri në përmbushjen e kësaj kërkesë protestat do të vazhdojnë.
Në ditën e sotme, sipas organizatorëve pritet të jetë në Tiranë edhe diaspora. Sipas tyre, autokolonat janë nisur që nga dita e djeshme ndërsa policia ka deklaruar se çdo shtetas shqiptar që do të hyjë në territor këto ditë do t’i nënshtrohet një kontrolli të imtësishëm. Kjo është parë si përpjekje që diaspora të mos jetë pjesë e protestës në Tiranë.
Dje në ditën e 34-të protestuesit kishin protestuar katër orë, por protesta ishte e qetë, ndryshe nga protesta e 32-të dhe 33-të. Këto ditë u karakterizuan me një protestë me tensione, u arrestua pjesëmarrësi dhe ish- ushtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, ndërsa ditën e 33-të u arrestuan 19 persona.
Përveç arrestimeve, kishte edhe gjakosje, gjuajtje me miell e vizë e përplasje verbale nga më të ndryshme. Rreth situatës së sigurisë në Shqipëri, mundësisë së përshkallëzimit, reagimin e policisë dhe organizatorëve, ka folur për “Bota sot”, eksperti i sigurisë në Shqipëri, Fatjon Softa. Sipas Softës, niveli i tensionit mes palëve është rritur.
Sipas tij, është shqetësues fakti që përplasjet bëhen pjesë e pritshmërisë së protestave. “Situata nuk duhet parë vetëm nga numri i të lënduarve apo shkatërrimit të pronës publike, por nga tendenca që po krijohet. Kur protestat përsëriten me episode dhune, kjo tregon se niveli i tensionit mes palëve është rritur dhe se mekanizmat e parandalimit nuk kanë funksionuar plotësisht.
Protesta është një e drejtë kushtetuese dhe duhet të garantohet nga institucionet. . Po aq e rëndësishme është që të sigurohet rendi publik dhe e qytetarëve. Këto nuk janë objektiva që përjashtojnë njëri-tjetrin; përkundrazi, duhet të ecin së bashku. Nga pikëpamja e sigurisë, shqetësues është fakti që përplasjet po bëhen pjesë e pritshmërisë së protestave.
Kjo nuk duhet të normalizohet”, deklaron Softa. Fatjon Softa Rreziku i përshkallëzimit, sipas Softës, ekziston, por mund edhe të shmanget. “Rreziku i përshkallëzimit ekziston, sidomos kur tensioni politik mbetet i lartë dhe dialogu institucional është i kufizuar.
Kush janë faktorët kryesorë: * retorika e ashpër politike; * mungesa e besimit te institucionet; * grupe të vogla që mund të kërkojnë përplasje; * përdorimi i rrjeteve sociale për mobilizim emocional ose dezinformim; * reagime të papërmbajtura nga cilado palë gjatë protestës. Megjithatë, përshkallëzimi nuk është i pashmangshëm.
Ai mund të parandalohet nëse të gjitha palët veprojnë me përgjegjësi dhe respektojnë ligjin”, thekson eksperti. Çdo përdorim i forcës duhet të jetë i domosdoshëm, proporcional dhe i dokumentuar, thotë Softa, gjersa tregon se mungonin kamerat trupore për ta evidentuar. “Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor të garantojë njëkohësisht rendin publik dhe ushtrimin e së drejtës për protestë.
Ky është një ekuilibër i vështirë. Çdo përdorim i forcës duhet të jetë i domosdoshëm, proporcional dhe i dokumentuar, mungonin kamerat trupore për ta evidentuar. Nëse ka tejkalim kompetencash, ai duhet të hetohet. Nëse ka sulme ndaj efektivëve, edhe ato duhet të trajtohen sipas ligjit”, nënvizon Softa.
Ai kërkon që policia të komunikojë me organizatorët dhe këta të fundit të distancohen publikisht nga çdo akt dhune, të bashkëpunojnë me autoritetet për mbarëvajtjen e tubimit si dhe të ndihmojnë në identifikimin dhe izolimin e personave që tentojnë të provokojnë përplasje “Do të dëshiroja të shihja më shumë investim në komunikim me organizatorët, identifikim të hershëm të elementëve që synojnë dhunën dhe izolimin e tyre pa krijuar përplasje me protestuesit paqësorë.
Profesionalizmi i policisë matet jo vetëm me aftësinë për të ndërhyrë, por edhe me aftësinë për të parandaluar konfliktin. Përgjegjësia është e përbashkët.
Institucionet duhet të: * planifikojnë në mënyrë profesionale menaxhimin e protestave; * zhvillojnë komunikim të vazhdueshëm me organizatorët; * përdorin forcën vetëm si mjet të fundit dhe në mënyrë proporcionale; * dokumentojnë çdo incident për transparencë dhe llogaridhënie.
Organizatorët duhet të: * distancohen publikisht nga çdo akt dhune; * bashkëpunojnë me autoritetet për mbarëvajtjen e tubimit; * ndihmojnë në identifikimin dhe izolimin e personave që tentojnë të provokojnë përplasje. Në fund të ditës, suksesi nuk matet me numrin e të ndaluarve apo të lënduarve.
Matet me faktin që qytetarët të kenë mundësi të protestojnë lirshëm, ndërsa rendi publik të ruhet pa dhunë dhe pa cenuar të drejtat themelore” , përfundon eksperti.
