Prokuroria Themelore e Ferizajt ka konfirmuar arrestimin dhe ndalimin e të dyshuarit për sulmin me thikë ndaj dy personave në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në qendër të Ferizajt, ku mbetën të plagosur dy persona. I dyshuari është identifikuar nga burime të KALLXO.com brenda institucioneve të sigurisë si P.Gj.
KALLXO.com mëson se i dyshuari është i mitur dhe se është i njohur për sistemin e drejtësisë për raste të mëhershme. “Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar njofton se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një (1) person- i mitur, në kohëzgjatje prej 24-orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Vrasja në tentativë’ sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë Themelore të Ferizajt.
I dyshuari kishte përdorur një skuter, të cilin e kishte parkuar pranë bulevardit para se t’i sulmonte kalimtarët e rastit, kanë thënë dëshmitarët. Ata kanë thënë se sulmuesi kishte maskë. Njëri prej të plagosurve është një zyrtar i degës së Postës së Kosovës në Ferizaj.
KALLXO.com mëson se ai është nga Shtimja dhe se pas trajtimit mjekësor në emergjencën e Spitalit Rajonal të Ferizajt është liruar. Ndërsa i plagosuri tjetër, një i moshuar, është dërguar për trajtim në QKUK për shkak të plagëve më të rënda që i ka pësuar në fytyrë.
“Rasti ka ndodhur sot, më datën , reth ores , në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’, në afërsi të Postës Qendrore në Ferizaj, ku, sipas informatave fillestare, dyshohet se i mituri ka sulmuar me mjet të mprehtë (thikë) dy persona të tjerë”- thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.
Në njoftim thuhet se i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është lokalizuar nga ana e Policisë. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është ndaluar për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale të lartëcekura.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit në këtë rast, do të vazhdojë tutje me procedurat dhe veprimet e nevojshme ligjor”- thuhet në komunikatë.
