Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut ka nisur një fushatë vetëdijësuese për parandalimin e dhunës në familje, me moton “Ta ndalojmë së bashku”, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rëndësinë e raportimit të rasteve të dhunës.
Sipas njoftimit të Policisë, fushata po zhvillohet në të gjithë zonën e përgjegjësisë së rajonit dhe përfshin shpërndarjen e fletushkave informuese për qytetarët. Materialet informuese përmbajnë të dhëna mbi format e ndryshme të dhunës në familje, shenjat që mund të tregojnë praninë e saj, si dhe hapat që duhet të ndërmerren për raportimin dhe parandalimin e rasteve.
Policia ka theksuar se përmes kësaj fushate synon të përcjellë mesazhin se dhuna në familje nuk është çështje private, por një vepër e papranueshme dhe e dënueshme me ligj.
Sipas njoftimit, dhuna në familje mund të manifestohet në forma të ndryshme, përfshirë dhunën fizike, psikologjike, emocionale, seksuale dhe ekonomike, ndërsa çdo viktimë ka të drejtë të kërkojë mbrojtje dhe mbështetje institucionale. Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos heshtin përballë dhunës, por ta raportojnë atë në kohë.
Rastet e dhunës në familje mund të raportohen përmes numrit emergjent 192, në stacionet policore ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
