Një operacion i zhvilluar nga Policia e Shtetit ka zbuluar një lokal në bulevardin “Zhan d’Ark” në Tiranë, i cili dyshohet se përdorej për organizimin e paligjshëm të basteve sportive dhe aktivitete të lidhura me lëndët narkotike.
Aksioni, i koduar “Vendtakimi”, u realizua nga specialistët për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në kuadër të kontrolleve për identifikimin dhe goditjen e ambienteve që shfrytëzohen për veprimtari të kundërligjshme.
Gjatë operacionit u arrestua pronari i lokalit, 56 vjeç, i dyshuar se kishte përshtatur ambientin për organizimin e basteve sportive, ndërsa në pranga përfundoi edhe një 33-vjeçar, i kapur në flagrancë duke vendosur baste përmes telefonit celular.
Kontrollet e kryera në lokal rezultuan me sekuestrimin e një sasie të lëndës së dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sativa, tre telefonave celularë që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin e basteve, si dhe provave të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Policia njoftoi se materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vijojë hetimet për të sqaruar plotësisht aktivitetin e dyshuar kriminal dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.
