HYRJE Titulli i përmbledhjes poetike “MOS I KALLXO HARRIMIT” i Naime Beqirajt, megjithëse buron nga vargu përmbyllës i pjesës së parë të poezisë “Thehesh e nuk thahesh” (f.100), shpalos një ngarkesë të gjerë kuptimore që mund të lexohet njëkohësisht në planin gjuhësor dhe në atë stilistik. Titulli është një ndërtim urdhëror mohues me personifikim të harrimit.
Ndërsa sipas normës së shqipes standarde, titulli do të mund të shprehej “Mos i trego harrimit”, por pikërisht trajta gegërishte “Mos i kallxo harrimit” ruan një ngrohtësi emocionale dhe një natyrshmëri poetike që standardizimi nuk do ta bartte me të njëjtën fuqi shprehëse.
Dialekti, në këtë rast, jo vetëm si zgjedhje gjuhësore; ai bëhet pjesë e identitetit estetik të autores dhe i jep titullit një tingëllim të veçantë duke e afruar më mire me universin shpirtëror të poezisë. “Harrimi” personifikohet si një bashkëbisedues të cilit nuk duhet t’i besohen kujtimet, dashuria, dhimbja apo e vërteta.
Në këtë mënyrë, titulli fiton një dimension etik dhe filozofik që përshkon gjithë librin. Kjo ide mbështetet edhe nga përdorimi i përsëritur i pjesëzës “mos” në shumë poezi të vëllimit: – Mos me të pikë/ i bukuri bistek, (gërsheti), (f.13) – Mos u anko ma/ Që po të themb pickimi, (f.14) – Mos me mujtë/ M’a kthy shpinën, (f.22) – Mos me dhanë shpirt, (f.27) – Mos me u prekë/ Edhe kur digjeshim, (f.30) – Mos me të lanë/ Me i mshelë sytë, (f.32) – Mos me ecë kah/ Rruga jonë, (f.67) – Mos me na u heqë/ Si mbret a si rob, (f.67) – Mos me u tha fytyra, (f.71) – Mos me t’i tfillu/ Nja dy a tri pyetje, (f.75) – Mos u tremb para se t’i shitoj/ Një nga një, (f.76) – Mos mbetsh m’e harru/ Emnin tand, (f.83) – Mos prit, bir/ Me u përhumbë ndryhse, (f.86) – Mos më kaj ditën/ -Natën më ke vra, (f.93) – Mos më len me u fikë/ Dheze flakën prap, (94) – Mos u hatro, pra/ Ruju, mos m’e tha, (f.99) – Mos thirr/ E mos dil/ Anmik me mue/ Mos ndill, (f.120) – Mos e turbullo diellin e errët, (f.140) – Mos luj me mëshirë/ E vërteta të ban të lirë, (f.140) – Mos me e zanë syni/ Shpinën e tij/ Tuju largu, (f.143) – Mos me u braktisë, (f.146) – Mos me u kthy n’asfalt, (f.146) Këta shembuj dëshmojnë se pjesëza “mos” nuk është thjesht element gramatikor.
Ajo bëhet një figurë e përsëritur poetike, një refren etik që përshkon gjithë librin. Në shumicën e rasteve kjo pjesëz hap vargun, duke krijuar një ritëm urdhëror, këshillues ose meditativ. Dhe siç shihet, në vetëm tri fjalë, Naime Beqiraj arrin të ndërtojë një nga titujt më domethënës të poezisë së saj.
Ky titull qëndron në kufirin ndërmjet kujtesës dhe harresës, ndërmjet qëndresës shpirtërore dhe shuarjes së përvojës njerëzore. Kështu, “MOS I KALLXO HARRIMIT” shndërrohet në boshtin ideor të të gjithë vëllimit poetik dhe në një sentencë me vlerë të qëndrueshme artistike e filozofike. 1.
Vargu i parë i librit, “Kam me të marrë në gji” (f.9), e vendos poezinë lirike të mbështetur mbi afërsinë shpirtërore, përkujdesjen dhe ndjenjën e mbrojtjes. Ky varg paraqet natyrën e gjithë përmbledhjes poetike.
Më pas, imazhe si “Petalet flladitë/ Pa të mirat erna” (f.10) e pasurojnë atmosferën poetike me një ndjeshmëri të hollë estetike, ku natyra dhe përjetimi njerëzor bashkëjetojnë në harmoni. Pastaj në vargjet “E premtja” deri te “E premtuemja”, e më tej te “E pritmja” (f.12), Naime Beqiraj ka ndërtuar një rrjedhë të natyrshme emocionale dhe përjetuese si vlerë poetike.
Cikli i parë “E QESHUNA MA E BUKUR E KURTHIT UJOR”, i përbërë nga njëzet e dy poezi, të cilat shtrihen në tridhjetë e shtatë faqe dhe përfaqësojnë vlerë të rëndësishme artistike të këtij vëllimi. PA ATË DITË TË POEZISË Nuk të lypa magjepsje Veç u mundova Me t’i ba bistekë do vegime Sa herë të çova herët Tue qenë vetë n’andërr U magjepsa prej teje Faqe 19.
Kjo poezi e shkurtër dëshmon se vargu i shkurtër mund të bartë një ngarkesë të madhe emocionale. Naime Beqiraj, ndërton një komunikim intim, ku poezia vetë bëhet përjetim. Nën shtresën lirike ndihet edhe një elegji e heshtur për kohën, për fatin e krijimit dhe për pozitën e poeteshës në një realitet shpeshherë të zhveshur nga ndjeshmëria estetike.
Ajo e sublimon realitetin nëpërmjet figurës poetike, duke e shndërruar përvojën konkrete në reflektim universal. Pikërisht ky dimension bëhet edhe më i dukshëm në poezinë “Betejë nëpërflakjesh” (f.20), ku shkruan: “Mundesh me u zhytë Thellë e ma thellë Kur thojtë s’t’i sheh kurrkush Kotesh e përkotesh E s’ke çka kallxon”
Më tej, vargjet: “Za mos bon Me ikë prej zhurme Ik prej turme E folmja me t’u ba detyrim Me dashtë e me falë E me të falë” shpalosin një filozofi jetësore ku heshtja paraqitet si një formë e urtësisë dhe e qëndresës shpirtërore. Brenda këtij tensioni ndërmjet zhurmës së botës dhe qetësisë së brendshme ndërtohet një pjesë e rëndësishme e poetikës së autores.
Po aq domethënëse është edhe poezia “Shkrumbje burri” (f.22-23), ku ndjeshmëria njerëzore shprehet përmes figurave të fuqishme: “Pa ia vjedhë As ma t’imtën frymë E përdiell në qetësi Ia gufon lutjen Ma shumë se të veten E niset”
Ndërsa fundi i poezisë: “Një fjalë m’ia ndëgju Dy me i kuptu Pa ia vjedhë Qysh shkundet zjarmi Qysh shkrumbet burri” e përfaqëson ndjeshmërinë emocionale të këtij cikli. Këtu kemi një përsiatje mbi dinjitetin njerëzor, mbi sakrificën dhe mbi heshtjen që shpesh flet më shumë se sa fjala.
Në tërësi, poezitë e këtij cikli nuk e ndërtojnë konfliktin mbi përplasjen e drejtpërdrejtë me individin. Konflikti është i brendshëm, etik dhe shpirtëror. Përmes metaforave, simboleve dhe figuracionit të pasur, autorja krijon një poezi që komunikon me ndjenjat më të thella të lexuesit dhe e fton atë në reflektim. Edhe poezia “Goditje mështekne”, dëshmon këtë prirje estetike.
GODITJE MËSHTEKNE E mandej më thu Mbyll sytë Të qetoj ndoshta Ma shumë Por nuk të shoh Mështekna jeme Po i lëshova Kapakët e mi Poshtë Faqe 26 Në këtë poezi, simboli i mështeknës tejkalon kuptimin e tij të drejtpërdrejtë dhe shndërrohet në metaforë të brishtësisë, të humbjes dhe të pamundësisë për ta mbajtur gjallë një përjetim që po largohet.
Minimalizmi shprehës dhe vargu i shkurtër krijojnë një intensitet emocional që është karakteristik për poezinë e Naime Beqirajt. Në vazhdim të këtij cikli, autorja ndërton edhe vargje me përmbajtje aforistike: “Gëzimin e kemi të plotë Nuk ka randësi Nëse mbjellim falje Te vona Apo korrim robni”
Faqe 40. apo: “Gabimet i ban si rrëkeshëm Shko kah të shkosh Me pshtu, nuk e di a ke Me frymë Streha ka me tu ngjallë Veç urtisë” Faqe 46. Këto vargje dëshmojnë prirjen e autores për ta sintetizuar përvojën jetësore në sentenca poetike, ku urtia popullore bashkohet natyrshëm me mendimin filozofik. Poezia merr një dimension më të gjerë etik dhe njerëzor.
Pikërisht këtu qëndron afiniteti krijues i Naime Beqirajt. Ajo arrin ta shndërrojë ndjesinë personale në përvojë kolektive, ndërsa përmes një gjuhe të kursyer, figurative dhe emocionalisht të ngarkuar krijon një poezi që vazhdon të jetojë në ndërgjegjen krijuese për kohë të gjatë. 2.
Cikli i dytë, “PUTHJE NË SY”, përbëhet nga tetëmbëdhjetë poezi dhe përbën motiv më intim lirik të këtij vëllimi. Këtu, dashuria bëhet, jo vetëm si ndjenjë, por si mënyrë e ekzistencës njerëzore. Dashuria shfaqet si besim, sakrificë, qëndresë dhe si një formë shpëtimi shpirtëror përballë zhgënjimit dhe harresës.
Që në poezinë e parë të këtij cikli, autorja ndërton një univers ku loti është dëshmi e qëndrueshmërisë njerëzore: “Lot, të pata Lot, nuk të kam Lot, të mbaj Lot, nuk të dorëzoj” Faqe 51. Përsëritja ritmike e fjalës “lot” sikur krijon një efekt liturgjik, duke e shndërruar dhimbjen në një proces pastrimi shpirtëror.
Në këtë mënyrë, loti bëhet metaforë e kujtesës dhe e dashurisë që nuk pranon të dorëzohet. Edhe vargjet: “Dorëzaneshë kam m’u ba dritënore për ty” Faqe 51. bartin një simbolikë të pasur. Figura e dorëzanes fiton një dimension etik. Ajo shndërrohet në gatishmërinë për të marrë mbi vete barrën e tjetrit, duke e bërë dashurinë si akt përgjegjësie, siç shihet te poezia “Përballë përhumbshëm”.
PËRBALLË PËRHUMBSHËM Pak i llastuem Pak i përhumbun Si guaskë mbi kristal Zgjedhë e kishte Vendin ma të mirë Me dritë afsh grueje E me u kthy në fisnik Faqe 53. Në këtë poezi, kontrasti ndërmjet brishtësisë dhe fisnikërisë ndërtohet me një afinitet admirues të figurave.
Krahasimi “si guaskë mbi kristal” krijon një imazh të pazakontë poetik, ku dy elemente të brishta vendosen përballë njëri-tjetrit për të shprehur cenueshmërinë e qenies njerëzore. Ndërsa “afshi i gruas” paraqitet si ndjenjë erotike dhe si energji shpirtërore që e fisnikëron njeriun.
Në një poezi tjetër, autorja ka shkruar: “Krejt pak e lakmojsha E aty kish ardhë për mue Nuk e dinte pusi Se vargje të rralla Ishin për një tjetër burrë” Faqe 55. Këtu poezia ndërtohet mbi paradoksin e pritjes dhe të mungesës. Dashuria është përjetim që mbetet i lirë edhe kur nuk realizohet. Pikërisht kjo e bën lirikën e Naime Beqirajt ta ruajë dinjitetin estetik.
Një nga veçoritë më të rëndësishme të këtij vëllimi është përdorimi i gegërishtes si mjet artistik. Dialekti është pjesë e frymëmarrjes së vargut. Përmes tij, poetesha arrin të krijojë një intimitet të natyrshëm me lexuesin dhe një ritëm që nuk do të ishte i njëjtë në një ligjërim tërësisht standard. Gegërishtja nuk përdoret për nostalgji dialektore dhe as për kundërvënie ndaj standardit.
Në poezinë e Naime Beqirajt është zgjedhje estetike. Përmes saj krijohet një ritëm më organik, një afërsi më e madhe me ligjërimin emocional dhe një dendësi tingullore që shpesh nuk do të ishte e njëjtë në shqipen standarde. Kjo vërehet edhe në vargjet e poezisë “Ti i vrugët, unë e përerrët”: “Rrëshqitshëm Me fundin e dramës Kur rraptohen violinat” Faqe 64.
Drama poetike nënkuptohet përmes tingullit, ritmit dhe lëvizjes së figurës poetike. Pikërisht ky sugjerim është një nga tiparet më të spikatura të poetikës së autores. Po aq domethënëse është edhe poezia ku, autorja “nuk tregon, sepse është e fortë edhe kur i gozhdohet shpirti i vrarë” (f.65). Kjo është një nga pikat ku lirika e saj fiton një dimension etik.
Heshtja është mënyrë për ta ruajtur dinjitetin e dhembjes. Në këtë cikël bie në sy edhe aftësia e autores për të krijuar sentenca poetike, të cilat mbeten gjatë në kujtesën e lexuesit. Çdo varg duket i peshuar me kujdes, ndërsa figurat e bëjnë më të dendur kuptimisht. Kjo shihet qartë edhe në poezinë “Himni i dashurisë”.
HIMNI I DASHURISË Ti u ktheve Për me harru Me ecë ngutas Pa fajin tand U ktheve i dashun U ktheve Kalo natën, pak Hyjnor i pabamë za Të mbuloj me mallin tem Se as në grishje, as n’ikje S’kam me mujtë Me ta mshefë dashuninë Faqe 58. Kjo poezi mund të lexohet si një himn i heshtur për dashurinë që nuk kërkon shpërblim. Ajo shkruhet mbi besnikërinë ndaj ndjenjës.
Pikërisht për këtë arsye, malli në poezinë e Naime Beqirajt mbetet një mënyrë e të jetuarit dhe një formë e kujtesës së dashurisë. Pasi “Kohë nuk kishin/ Me zhdrypë shpejt/ Hanës shtrat me i ba”, (f.63). Në tërësinë e tij, cikli “PUTHJE NË SY” është një mozaik poetik ku dashuria, mungesa, pritja, dhimbja dhe shpresa ndërthuren në mënyrë organike.
Autorja aq sa i idealizon këto përvoja, po aq i humanizon. Përmes një gjuhe artistike dhe figuracionit të pasur, ajo arrin të krijojë poezi që zgjojnë interesime të reja. Përmbledhja “MOS I KALLXO HARRIMIT”, dëshmon se Naime Beqiraj e ka shndërruar përvojën personale në një përvojë universale, ku në secilin varg gjejmë ndjenjat dhe kujtimet e poeteshës. 3.
Cikli i tretë, “KRYET MBUSHUR ME FLUTURA BORE”, përbëhet nga tridhjetë e tri poezi dhe shënon një kthesë të dukshme në strukturën artistike të përmbledhjes. Vargu bëhet më meditativ, ndërsa metafora fiton një funksion gjithnjë e më filozofik, e udhëhequr drejt një përfundimi që fton të bashkëjetojë me pyetjet dhe kundërshtitë që i ngre vet poetesha.
Poezi përfaqësuese e këtij mendimi është: “Fluturu mbi shpirtin tand”. FLUTURU MBI SHPIRTIN TAND Nuk mujte me kalu Asnjë eshkë të fëminisë Harroje që rritesh Herdokurë Jeta nuk qenka Ajo që e ke jetu Por ajo që ke kujtu që asht Faqe 101. Edhe në pak vargje, autorja arrin të ndërtojë një mendim të thelluar dhe të qartë.
Ajo e zhvendos kuptimin e jetës nga përvoja objektive drejt kujtesës subjektive. Kështu, kujtesa paraqitet si proces krijues që vazhdimisht rindërton identitetin e njeriut dhe ka arritur ta bëjë kujtesën një formë mbijetese shpirtërore. Pikërisht për këtë arsye, poezia e Naime Beqirajt fiton dimension meditativ dhe ekzistencial.
PËRULJE Bjen në njënin gju Në gjunin tjetër mandej E ndihesh e gjallë Me falë çdo hall E ndihesh e rrallë Si d lotë valë Faqe 112. Në këtë poezi, përulësia shfaqet si një akt vetëdijeje dhe force morale. Vetëm ai që di të falë arrin ta çlirojë veten nga pesha e urrejtjes. Kjo filozofi e faljes përshkon në heshtje shumë poezi të këtij libri dhe përbën një nga shtyllat etike të tij.
Edhe nga pikëpamja stilistike, kjo poezi dëshmon prirjen e autores për ta ndërtuar mendimin me mjete të kursyera shprehëse. Nuk ka fjalë të tepërta, nuk ka retorikë të stërngarkuar; gjithçka mbështetet mbi ritmin e brendshëm të vargut dhe mbi figurën poetike. Në këtë cikël, vetmia nuk trajtohet si izolim fizik.
Ajo shndërrohet në një gjendje të përhershme të vetëdijes, ku njeriu ballafaqohet me kohën, kujtesën dhe vetveten. Pikërisht në këtë përmasë duhet lexuar edhe poezia “Pullë e pasqyrme”, ku autorja shkruan: “Më rrin ngushtë Lëkura e ngranme Jo fijemfije Po copëmcopë Si fundi i një besimi” Faqe 119. Vargjet paraqesin imazhe të fuqishme metaforike.
Sidomos vargu “Lëkura e ngranme” bëhet metaforë e identitetit të cenuar, ndërsa “fundi i një besimi” e zgjeron figurën në planin moral dhe shoqëror. Këtu poezia kapërcen kufijtë e përjetimit individual dhe merr një dimension universal. MBULU ME DASHUNI DETI Dielli po nxeh Andrro qetë-qetë Du me të pa qysh flen E me të mbulu Me dashuni deti Faqe 133.
Në dukje kemi një poezi dashurie, por nën shtresën lirike fshihet një simbolikë shumë më e gjerë. Deti bëhet metaforë e pafundësisë së ndjenjës dhe e dëshirës për ta mbrojtur tjetrin nga ashpërsia e botës. Kjo është një dashuri që kërkon përkujdesje dhe praninë e heshtur.
Poezitë nuk mbeten të lidhura vetëm me një biografi individuale, dhe kjo e bën poezinë e saj të komunikueshme dhe të qëndrueshme në kohë. Në planin stilistik bie në sy vargu i shkurtër. Naime Beqiraj parapëlqen vargun e shkurtër, figurën e përqendruar dhe heshtjen poetike. Shpeshherë ajo që nuk thuhet bart po aq ngarkesë sa ajo që shprehet me fjalë.
Ky minimalizëm shprehës është një nga cilësitë më të rëndësishme artistike të këtij vëllimi. Në tërësinë e tij, cikli “KRYET MBUSHUR ME FLUTURA BORE” përfaqëson motivin meditativ të librit. Ai e zhvendos poezinë drejt reflektimit filozofik, duke dëshmuar pjekurinë krijuese të autores dhe aftësinë e saj për ta shndërruar përvojën jetësore në art poetik.
PËRFUNDIM Vëllimi poetik “MOS I KALLXO HARRIMIT” i Naime Beqirajt dëshmon pjekurinë krijuese të një zëri poetik me ngarkesë emocionale dhe me sinqeritet artistik.
Në të gjitha ciklet e këtij libri, poezia ndërtohet mbi një marrëdhënie të vazhdueshme ndërmjet kujtesës dhe harresës, dashurisë dhe mungesës, dritës dhe errësirës, duke krijuar një univers lirik ku secili mund të gjejë një pjesë të vetvetes. Vargu i Naime Beqirajt është i shkurtër, i prerë dhe i ndërtuar mbi pauza të shpeshta.
Kjo teknikë krijon një ritëm të brendshëm që e afron poezinë me frymëmarrjen e meditimit. Heshtja ndërmjet vargjeve fiton po aq rëndësi sa fjala. Poezia e saj ka disa ngjyrime e ngjashmëri ta zëmë: Lirizmi meditativ na kujton poetikën e Martin Camaj; vargu i shkurtër dhe mjaftë i kursyer e afron me poezinë e Azem Shkreli, kurse kujtesa si motiv qendror afrohet me poezinë e Ali Podrimjes.
Në anën tjetër gegërishtja, (si te Camaj), është përdorur me vetëdije të lartë estetike, andaj nuk mbetet vetëm një zgjedhje gjuhësore, por bëhet pjesë e identitetit poetik të autores. Ajo e afron vargun me ndjeshmërinë popullore, duke i dhënë një ngrohtësi të veçantë ritmit dhe figuracionit, ndërsa simbolika e pasur e shndërron secilën poezi në një hapësirë reflektimi.
Në poezinë përmbyllëse “Pa luftë”, autorja e ngre mendimin poetik në një nivel të përkorë filozofik. Aty nuk triumfon zhurma as heshtja dhe nuk sundon as përplasja, por një qetësi e fituar përmes përjetimit. Ja vargjet: Si nota hane Muzikë e Dvorzhakut Krater mbi Merkur Err e terr Zana të rralla Mandej qetësi logut Përndrit Tojat e shitueme Shenjtë Jo veç e vetmisë. Faqe 138.
Këto vargje janë një përmbyllje domethënëse e gjithë udhëtimit poetik. Referenca ndaj muzikës së Dvorzhakut (Dvořák), kozmosit dhe qetësisë së logut krijon një hapësirë ku arti, natyra dhe përjetimi njerëzor bashkohen në një harmoni të rrallë. Edhe aty ku shfaqen “err e terr”, poetesha gjen dritën në përndritjen e shpirtit dhe në shenjtërinë e kujtesës.
Prandaj, “MOS I KALLXO HARRIMIT” nuk është vetëm një përmbledhje poetike. Është një dëshmi artistike se kujtesa është forma më fisnike e qëndresës njerëzore. Përmes një lirizmi të përmbajtur, figuracionit origjinal dhe një gjuhe poetike të kultivuar me kujdes, Naime Beqiraj arrin ta shndërrojë përvojën personale në përvojë universale.
Poezitë e saj ftojnë lexuesin të mendojë, të ndiejë dhe, mbi të gjitha, të mos ia dorëzojë harrimit atë që e bën njeriun njeri. Pikërisht në këtë qëndron vlera më e madhe artistike e këtij libri dhe arsyeja pse ai do të mbetet gjatë në kujtesën e lexuesit. Me këtë përmbledhje poetike, Naime Beqiraj dëshmon se është një nga zërat më të veçantë të brezit të saj krijues.
Poezia e saj ndërtohet mbi një proces të ngadaltë reflektimi, ku fjala poetike fiton peshë përmes përmbajtjes dhe pa zbukurim retorik. Pikërisht për këtë arsye, “MOS I KALLXO HARRIMIT” është një libër që do të vazhdojë të jetojë si një përvojë estetike dhe shpirtërore. Prishtinë, Shefqet DIBRANI
