Të paktën 13 persona kanë humbur jetën në kryeqytetin e Ganës, Accra, si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm që shkaktuan përmbytje masive, bëri të ditur shërbimi i zjarrfikësve, i cili është përfshirë në operacionet e shpëtimit.
Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, duke u kërkuar qytetarëve të qëndrojnë brenda banesave ose të zhvendosen në zona më të larta, pasi agjencia meteorologjike ka paralajmëruar për reshje të reja dhe një stuhi të fuqishme që po afrohet nga lindja.
Sipas raportimeve, pjesa më e madhe e ujit nga reshjet e së dielës në mbrëmje ka filluar të tërhiqet, megjithatë autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë. Shërbimi Kombëtar i Zjarrfikësve të Ganës (GNFS) ka bërë të ditur se deri tani janë shpëtuar mbi 470 persona.
Zonat e ulëta janë goditur më rëndë, ndërsa pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë shtëpi dhe automjete të përmbytura, si dhe dëme të mëdha materiale.
Në operacionet e emergjencës janë angazhuar policia, shërbimi zjarrfikës, ushtria dhe Organizata Kombëtare për Menaxhimin e Fatkeqësive, të cilat po punojnë për të monitoruar situatën dhe për të mbrojtur jetët dhe pronën e qytetarëve. Përmbytjet kanë shkaktuar gjithashtu një zjarr të madh në një fabrikë gome në qytet. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
