Pas një takimi tre orësh mes ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja dhe përfaqësuesve të Shoqatës së Fermerëve Kosovarë të Qumështit u tha se është arritur një marrëveshje e përbashkët mes palëve. Sipas Fidan Krasniqit, përfaqësues i kësaj shoqate nga sonte do të nis grumbullimi i qumështit të freskët nga qumështorja “Vita” prej fermerëve për hir të korrektësisë.
“Nga qumështorja u zotua që nga sonte do të fillojë grumbullimi i qumështit të freskët prej fermerëve, për arsyet të korrektësisë, domethënë, u arrit një marrëveshje e përbashkët, e përkohshme, që po shpresojmë që në takimet e radhës do të zgjidhen edhe problemet e tjera, të cilat i shprehën sot në formë protestuese prodhuesit e qumështit”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se ministri Muja është zotuar t’i publikojmë rezultatet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë për përbërjen e qumështit pluhur në qumështoret e vendit, në një afat sa më të shpejtë. Sipas Krasniqit, arsyeja e vonesës së këtyre rezultateve, është se janë marrë mostrat nga të gjitha qumështoret dhe jo vetëm nga “Vita”.
“U zotuan, arsyeja e vonesës për këto rezultate është sepse nuk është bërë vetëm qumështorja “Vita”, mostrat janë marrë edhe me shumë qumështore të tjera, edhe për shkak të specifikave të analizave që do të bëhen këtyre produkteve, ne po shpresojmë që këto rezultate do t’i kemi sa më shpejt”, tha ai.
Ndërsa zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë, Venhar Isufi tha se qëndrimet e ministrisë do të bëhen të ditura përmes një komunikate të lëshuar. Sot, gjatë ditës fermerët kanë protestuar para Ministrisë së Bujqësisë duke kërkuar që të nis grumbullimi i qumështit, pasi prej katër ditësh është ndaluar përkohësisht prodhimi i tij.
Kjo protestë vjen pas mbylljes së përkohshme të fabrikës “Vita” në Istog, të enjten për shkak të një aksioni inspektues nga AUV dhe Ministria e Bujqësisë.
Përfaqësuesit e qumështores “Vita”, kanë deklaruar dy ditë parë se, vendimi për pezullimin e përkohshëm të punës është marrë nga vetë kompania dhe jo nga institucionet, ndërsa kanë kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK) që t’i publikojë sa më shpejt rezultatet e analizave të mostrave të marra gjatë kontrollit të fundit.
Komisioni për Monitorim dhe Ndjekje të Punës së Inspektorëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konstatuar dje se fabrika e qumështit “Vita” ka shkelur vendimin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja të 10 majit 2026, me të cilin ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në fabrikat për përpunimin e qumështit.
