Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion në rajonin e Kaçanikut në kuadër të aktiviteteve për mbrojtjen e pyjeve, ku ka trajtuar një rast të dyshuar të vjedhjes së pyllit. Gjatë kontrollit në terren, zyrtarët policorë kanë hasur një automjet tip pikap me targa vendore, ku një person dyshohet se ishte duke prerë dru me motosharrë dhe duke i përgatitur për transport.
Me urdhër të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Vjedhje e pyllit”, ndërsa pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Policia njoftoi se automjeti është liruar, ndërsa motosharra është konfiskuar si provë materiale. Gjatë kontrollit janë identifikuar edhe dy automjete të tjera tip pikap, drejtuesit e të cilëve posedonin motosharra.
Edhe në këto raste, automjetet janë liruar, ndërsa motosharrat janë konfiskuar. Përveç kësaj, ndaj drejtuesve të automjeteve janë shqiptuar gjoba për drejtim të automjeteve me regjistrim të skaduar. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
