Ka momente kur një ndeshje fiton vlerë historike. Dhe ka futbollistë që zgjedhin pikërisht atë moment për të lënë gjurmën e tyre. Në Botërorin 2026, Mikel Oyarzabal ka bërë pikërisht këtë. Sulmuesi i Real Sociedad ishte protagonisti absolut në fitoren 3 me 0 të Spanjës ndaj Austrisë në fazën me eliminim direkt.
Dy golat e tij nuk siguruan vetëm kalimin në raundin tjetër, por i rezervuan një vend në historinë e futbollit spanjoll. Për herë të parë që nga Botërori i vitit 1986, një futbollist i Spanjës realizon një dopietë në një ndeshje me eliminim direkt.
I fundit që kishte arritur këtë ishte Emilio Butragueño, autor i katër golave në suksesin 5 me 1 ndaj Danimarkës në Meksikë, në një nga paraqitjet më të paharrueshme të “La Roja” në Kupën e Botës. Për Oyarzabal, kjo është shumë më tepër sesa një statistikë. Para nisjes së turneut, grumbullimi i tij ishte vënë në diskutim dhe nuk munguan kritikat ndaj trajnerit.
Sot, 29-vjeçari është shndërruar në një nga liderët e skuadrës dhe në një nga emrat më të spikatur të këtij Botërori. Ai kishte shënuar edhe në fazën e grupeve ndaj Arabisë Saudite, duke u bërë vetëm futbollisti i tretë spanjoll që realizon më shumë se një dopietë në një Kupë Bote, pas David Villas dhe Fernando Morientes.
Ndryshe nga ata, Oyarzabal e ka arritur këtë në të njëjtin edicion të turneut. Edhe më domethënës mbetet fakti se emra të mëdhenj si Raúl González, Fernando Torres, Alfredo Di Stéfano, Julio Salinas apo Diego Costa nuk kanë mundur kurrë të realizojnë një dopietë në fazën me eliminim direkt të Botërorit.
Nga një zgjedhje e kontestuar në prag të turneut, Mikel Oyarzabal është kthyer në simbolin e një Spanje që vazhdon të besojë se rruga drejt lavdisë botërore kalon edhe nga golat e tij.
