Opozitarët e quajnë mashtrim arsyetimin e Rizvanollit për gazin

0%

Shpërndaje në: Deputetë të zgjedhur të partive deri tash në opozitë, e kanë cilësuar mashtrim arsyetimin e ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në lidhje me insistimin e Qeverisë për gazifikim të thëngjillit dhe jo për lidhje në rrjetin rajonal të gazit amerikan. Gjatë ditës, Rizvanolli në një video në Facebook tha se Kosova nuk është kundër gazit amerikan.

Ajo tha se Kosova as nuk ka lidhje me gazin rus. Ajo ka theksuar se në vend të ndërtimit të gazsjellësit e infrastrukturës përcjellëse, zgjidhje më të duhur Qeveria e ka parë importimin e gazit të lëngëzuar përmes Vlorës, prodhimin e energjisë atje dhe transmetimin pa pasur nevojë për investime shtesë.

E në reagime ndaj saj, deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka cilësuar mashtrim deklaratën e Rizvanollit. “Ja pse deklarata e Rizvanollit është mashtruese: Kosova nuk e përdor drejtpërdrejt gazin rus për energji. Por, Kosova importon energji nga vende që prodhojnë energji duke përdorur gazin rus”, ka shkruar ai në Facebook.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërkaq Enver Hoxhaj i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se Kosovës nuk i duhen arsyetime pse nuk lidhet me gazin amerikan, por vizion dhe vendimmarrje strategjike për t’u bërë pjesë e tij. “Me 2019, Qeveria Kurti anuloi projektin e Kosovës me ContourGlobal. Me 2021, refuzoi projektin amerikan të gazit të mbështetur nga SHBA.

Sot, po refuzon edhe një mundësi tjetër për t’u kyçur në korridoret e gazit amerikan, duke u rikthyer sërish te i njëjti argument, qymyri. Pavarësia energjetike është një domosdoshmëri ekonomike për zhvillimin e vendit, por edhe domosdoshmëri gjeopolitike për ta mbajtur SHBA-në të angazhuar në Kosovë. Këtë e kanë kuptuar të gjitha vendet e Ballkanit dhe Evropës.

Edhe Serbia po lidhet me korridoret e gazit të lëngshëm (LNG), ndërsa Kosova vazhdon të izolohet me vendime të gabuara politike. Kosovës nuk i duhen arsyetime pse nuk lidhet me gazin amerikan. Kosovës i duhet vizion dhe vendimmarrje strategjike për t’u bërë pjesë e tij”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Derisa SHBA-ja ka kërkuar që Kosova të bëhet pjesë e projektit rajonal për gazin amerikan, Qeveria insiston për mbështetje për projekte që lidhen me gazifikimin e qymyrit, duke u thirrur në rezervat e mëdha të linjitit dhe në politikat e presidentit Donald Trump për mbështetjen e industrisë së qymyrit.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur synimin ta ndryshojnë mënyrën se si furnizohet me energji Ballkani Perëndimor, duke bërë një rrjet marrëveshjesh për importin e gazit të lëngshëm. Qëllimi është të ulet varësia e rajonit nga Rusia dhe të forcohet korridori energjetik nga jugu drejt Evropës Qendrore.

Për këtë, janë planifikuar projekte në disa vende të rajonit – nga Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, deri në Kosovë dhe në Serbi. Këto projekte përfshijnë gazsjellës të rinj, terminale për gazin e lëngshëm dhe termocentrale me gaz, dhe mbështeten politikisht dhe financiarisht nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Kosova nuk ka infrastrukturë të gazit dhe mbështetet plotësisht në termocentralet me qymyr. Projekti për një interkonektor gazi me Maqedoninë e Veriut është përfshirë më herët në planin investues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, por është ndalur për shkak të, siç kanë thënë nga Qeveria, kostove të larta dhe fokusit strategjik në burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Tubacioni do t’i jepte Kosovës qasje në gaz nga terminalet greke të LNG-së në Detin Egje, dhe ideja ishte të ndërtohej edhe një tubacion drejt Shqipërisë. Kosova ka refuzuar të investojë rreth 200 milionë dollarë amerikanë në infrastrukturën e gazit përmes programit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe i ka devijuar fondet në sistemet e ruajtjes së energjisë në bateri.

Burimi: Koha