“Autenticiteti bën diferencën”, influencuesja Agnesa Riza rrëfen sekretin e suksesit në rrjetet sociale

0%

Në një botë digjitale ku imazhi ndryshon me shpejtësi, por zëri i vërtetë mbetet ai që dëgjohet më gjatë, Agnesa Riza është një prej emrave që ka ditur të ndërtojë një prani të dallueshme në rrjetet sociale. Me një stil të kuruar, por njëkohësisht të afërt me ndjekësit e saj, ajo ka folur për Telegrafin për rrugëtimin e saj, sfidat e kësaj industrie dhe planet që e presin në të ardhmen.

Agnesa tregoi se gjithçka ka nisur nga një dëshirë e thjeshtë për të ndarë copëza nga përditshmëria e saj, pasionin për modën, bukurinë, estetikën dhe stilin e jetesës. “Me kalimin e kohës, kjo u shndërrua në diçka më serioze, ku fillova të krijoj përmbajtje më të kuruar dhe të ndërtoj një komunitet që identifikohet me atë që ndaj.

Për mua, influencimi nuk ka qenë vetëm për ekspozim, por për të frymëzuar dhe për të krijuar lidhje të vërteta me njerëzit që më ndjekin”, tha ajo për Telegrafin. Duke folur për tregun gjithnjë e më konkurrues të rrjeteve sociale, ajo theksoi se ajo që e bën diferencën nuk është vetëm pamja, por mënyra se si një person arrin të mbetet i vërtetë ndaj vetes.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Është e vërtetë që tregu është shumë konkurrues, por besoj se autenticiteti bën diferencën. Mundohem të jem vetvetja dhe të krijoj përmbajtje që më përfaqëson realisht. Njerëzit lidhen më shumë me personalitetin dhe energjinë që transmeton sesa me perfeksionin”, tha Agnesa për Telegrafin.

Sa i përket përmbajtjes që publikon më shpesh, ajo u shpreh se fokusi i saj mbetet te temat që e përfaqësojnë më shumë dhe që kanë krijuar lidhjen më të fortë me ndjekësit.

“Më pëlqen të kombinoj anën estetike me përvoja reale, në mënyrë që përmbajtja të jetë jo vetëm e bukur vizualisht, por edhe e afërt për ndjekësit e mi”, tha ajo për Telegrafin, duke shtuar se shpesh ndan përmbajtje rreth modës, bukurisë, stilit të jetesës, udhëtimeve dhe momenteve nga përditshmëria.

Në fund, Agnesa foli edhe për synimet e saj profesionale, duke lënë të kuptohet se rrugëtimi i saj nuk ndalet vetëm te rrjetet sociale, por shkon përtej tyre.

“E shoh veten duke bashkëpunuar me marka të njohura, duke zgjeruar aktivitetet e mia profesionale dhe duke ndërtuar një prezencë edhe më të fortë në industrinë e bukurisë dhe mediave sociale, pa humbur autenticitetin që më karakterizon”, përfundoi Agnesa Riza për Telegrafin.

Burimi: Telegrafi