Nga: Ardona Popova Shpërndaje në: Testi i Arritshmërisë, të cilit të premten iu nënshtruan rreth 23 mijë nxënës të klasave të nënta, është i panevojshëm, kanë thënë përfaqësues të Këshillit të Prindërve.
Sipas tyre, pranimi në ciklin e mesëm të lartë duhet bërë në bazë të rezultatit që nxënësit tregojnë nga klasa e pestë deri në të nëntën Një pjesë të nxënësve të klasave të nënta që iu nënshtruan të premten Testit të Arritshmërisë, kanë thënë se ai nuk ndihmon për orientimin e tyre në shkollimin e mesëm, por si ngarkesë dhe humbje kohe.
Ata kanë thënë se përgatitjet për testin, krahas detyrimeve të rregullta shkollore dhe provimeve gjatë vitit, kanë shtuar presionin në prag të regjistrimit në ciklin e mesëm të lartë. “Na është dukur pak e vështirë, sepse kemi pasur mësime të shkollës, pastaj kemi mësuar vazhdimisht për Test të Arritshmërisë. Ka qenë e vështirë”, ka deklaruar një semimaturante.
“Pak ngarkesë po, ama humbje kohe ma shumë sepse kemi pasur edhe teste në shkollë”, ka thënë një semimaturant tjetër. Disa prej nxënësve e kanë konsideruar procesin edhe të padrejtë, duke thënë se kushtet dhe niveli i kontrollit nuk kanë qenë të njëjta në të gjitha qendrat e testimit.
“Pak është padrejtësi sepse ne nuk kemi pasur mundësi të kopjojmë, sepse e kemi pasur arsimtaren e vështirë e ata tjerët ndoshta kanë pasur mundësi”, ka thënë një semimaturante. Muaj më parë, Këshilli i Prindërve ka deponuar në Ministrinë e Arsimit kërkesën për heqjen e Testit të Arritshmërisë. Nënkryetarja e këtij Këshilli, Linda Dula-Halilabazi, ka renditur arsyet kryesore të kërkesës.
“Ngarkesa e shtuar për nxënësit në fund të ciklit të arsimit të mesëm të ulët, diskrepancë e rezultateve të testit me performancën reale të nxënësve gjatë viteve të shkollimit, stres i shtuar për nxënësit, në një fazë kritike të zhvillimit hormonal të tyre, ekzistenca e vlerësimit të brendshëm në shkolla në mënyrë të vazhdueshme, të cilët mund të ofrojnë një pasqyrë më të plotë dhe më reale nëpër vite, sesa një test i vetëm që realizohet brenda një dite në të gjitha lëndët për disa vjet”, ka thënë Dula-Halilabazi.
Ajo ka shtuar se prindërit kanë kërkuar që pas largimit të Tetsit të Arritshmërisë, pranimi i nxënësve në shkolla të mesme të larta të bëhet duke u bazuar 50 për qind në suksesin e përgjithshëm të nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, dhe 50 për qind në suksesin që nxënësi ka treguar në lëndë të veçanta sipas shkollës në të cilën aplikon.
Pavarësisht kërkesave, Ministria e Arsimit ka vendosur që Testi i Arritshmërisë të mbahet edhe këtë vit, ndërsa ka paralajmëruar se çështja do të shqyrtohet për vitin e ardhshëm. Këtë vit, testit iu nënshtruan rreth 23 mijë nxënës në mbarë Kosovën. Edhe sivjet, përmbajtja e tij e edhe përgjigjet u publikuan në rrjete sociale.
