Aktivistja Luçjana Kokaj ka komentuar protestën kundër qeverisë e cila shënon ditën e 41-të, si edhe dhunë policore ndaj protestuesve, ku ka deklaruar se po punohet për identifikimin e efektivëve që, sipas saj, kanë ushtruar dhunë gjatë tubimit para Parlamentit.
E ftuar në News24, Kokaj u ndal te rasti i protestuesit Arbër Lleshi, për të cilin tha se është dhunuar pas arrestimit në makinën e policsë. “Kur është arrestuar Arbër Lleshi, i është vendosur gjuri në qafë. Ai nuk kishte armë. Çfarë është kjo? Kur u arrestua ishte në rregull, ndërsa pas një ose dy orësh e kishte syrin e nxirë. E kam parë në Komisariatin nr. 3.”, tha ajo.
Kokaj theksoi se po mblidhen prova për të ndjekur rrugën ligjore ndaj efektivëve që dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve, ndërsa shtoi se “n jë goditje me vezë asesi nuk mund të paralelizohet me një shkop gome. Protestuesit kanë pasur vetëm vezë, ndërsa ata i kanë neutralizuar dhe goditur me shkop gome. Nuk është normale”.
E pyetur për deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili i cilësoi protestuesit si “sorra e korba”, Kokaj tha se nëse ai i cilëson kështu, duhet të kujtojë se është kryeministri i tyre. “Po ai kryeministri i kujt është? Nëse ne jemi korba, jemi mbeturina, jemi të gjitha, ai kryeministri i kujt është? Ata janë më të mirët e Shqipërisë.
Lum ne që e kemi këtë rini që ka dalë aty dhe ka vrarë frikën, dhe nuk kërcënohet nga këto 40 ditë që ka dalë aty”, u shpeh ajo në News24. Në fund, Kokaj u ndal edhe te suksesi i protestës që shënon sot ditën e 41-të, duke theksuar se qëndresa e qytetarëve është suksesi, por fitorja e protestës është dorëheqja e kryeministrit.
Luçjana Kokaj: Kur është arrestuar Arbër Lleshi, i është vendosur gjuri në qafë. Ai nuk kishte armë. Çfarë është kjo? Kur u arrestua ishte në rregull, ndërsa pas një ose dy orësh e kishte syrin e nxirë. E kam parë në Komisariatin nr. 3. Veten e goditi ai? Ai është goditur në makinën e policisë. Policia s’ka pse t’i godasë qytetarët.
Nuk je burrë dhe trim që të godasësh dikë që i ka duart e lidhura. Është e turpshme ajo që është bërë. Po mundohemi, me foto dhe video, të identifikojmë punonjësit e policisë që kanë dhunuar dhe goditur protestuesit, dhe besoj se shumë shpejt do të merren masat ligjore. Disa kanë bërë denoncime në AMP dhe shpresojmë që AMP-ja të bëjë punën e saj.
Një goditje me vezë asesi nuk mund të paralelizohet me një shkop gome. Protestuesit kanë pasur vetëm vezë, ndërsa ata i kanë neutralizuar dhe goditur me shkop gome. Nuk është normale. Rama i cilësoi protestuesit si sorra e korba. Si ndiheni për këtë? Luçjana Kokaj: Po ai kryeministri i kujt është? Nëse ne jemi korba, jemi mbeturina, jemi të gjitha, ai kryeministri i kujt është?
Ne nuk kemi shkuar nëpër fallxhorë. Deputetët e tij kanë dalë se kanë shkuar nëpër fallxhorë për të siguruar votat. Protestuesit jo. Ata janë më të mirët e Shqipërisë. Lum ne që e kemi këtë rini që ka dalë aty dhe ka vrarë frikën, dhe nuk kërcënohet nga këto 40 ditë që ka dalë aty. Kryeministri nuk merret me kërkesat që kemi aty. Bën përçarje dhe të përbuz.
Ata janë shqiptarët, ai është kryeministri i tyre. Suksesi i protestës sot, në ditën e 41-të? Luçjana Kokaj: Besoj se rezistenca, fryma dhe energjia që vijon të jetë ende aty, njerëzit që nuk dorëzohen pa u fituar protesta, tregojnë se fitorja e protestës është dorëheqja e kryeministrit.
