Një mesazh për 4 Korrikun: A nuk i ka borxh Kosova një monument

0%

Më 4 Korrik, Amerika feston Ditën e Pavarësisë – ditën kur u hodhën themelet e një republike që do të bëhej simbol i lirisë dhe demokracisë në botë. Për shqiptarët, kjo datë ka edhe një kuptim tjetër. Ajo na kujton aleatin që, në momentet më vendimtare të historisë sonë, nuk u fsheh pas diplomacisë së pafund, por mori vendime. Kur Presidenti George W.

Bush vizitoi Shqipërinë më , ai nuk la vend për paqartësi. “Enough is enough.” Këto tri fjalë ndryshuan rrjedhën e historisë së Kosovës. Në një kohë kur procesi i statusit ishte bllokuar nga kalkulimet diplomatike dhe kërcënimet me veto, Presidenti Bush e bëri të qartë se zvarritja nuk mund të vazhdonte pafund dhe se destinacioni politik i Kosovës ishte pavarësia.

Vetëm pak muaj më vonë, Kosova shpalli pavarësinë. Në të njëjtën kohë, administrata e Presidentit Bush mbështeti fuqishëm edhe rrugën euroatlantike të Shqipërisë, e cila u kurorëzua me anëtarësimin në NATO në vitin 2009. Këto nuk ishin vetëm vendime politike. Ato ndryshuan arkitekturën e sigurisë së gjithë kombit shqiptar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Prandaj, sot shtrohet një pyetje që nuk ka të bëjë me politikën ditore, por me kujtesën historike. A nuk i ka borxh Kosova një monument Presidentit George W. Bush? Ky nuk do të ishte një monument për një parti politike amerikane. As për një president të zakonshëm.

Do të ishte një monument për njeriun që, në momentin vendimtar, përdori autoritetin e presidencës amerikane për të mbështetur të drejtën e një populli për të jetuar i lirë. Kosova ka nderuar me të drejtë Presidentin Bill Clinton për rolin e tij në ndalimin e spastrimit etnik dhe ndërhyrjen e NATO-s. Por historia nuk mbaroi në vitin 1999.

Viti 2007 ishte hallka që e çoi Kosovën drejt vitit 2008. Prandaj, Presidenti George W. Bush zë një vend të veçantë në historinë e shtetësisë së Kosovës. Shqipëria e ka nderuar atë me një shtatore në Fushë-Krujë. Kosova ende nuk e ka bërë. Nuk është kurrë vonë që një komb të shprehë mirënjohjen ndaj miqve të tij. Sepse monumentet nuk ndërtohen vetëm për të kujtuar të kaluarën.

Ato ndërtohen për t’u treguar brezave të ardhshëm se liria nuk erdhi rastësisht dhe se në historinë tonë pati njerëz që, kur erdhi momenti vendimtar, patën guximin të thoshin: “Enough is enough.” Në këtë 4 Korrik, nderimi më i mirë që mund t’i bëjmë Shteteve të Bashkuara nuk është vetëm falënderimi me fjalë.

Është ruajtja e kujtesës historike dhe respekti institucional për ata që ndihmuan ta bëjnë Kosovën shtet.

Burimi: Bota Sot