​Nga Kosova në SHBA: Rron Rexha krijon kompaninë që menaxhon mbi 1 miliard dollarë me ndihmën e AI-së

0%

Paratë nuk janë thjesht numra në një llogari bankare; ato përfaqësojnë emocione, sakrifica, punë të palodhur dhe aspirata për të ardhmen. Mbi këtë filozofi po ndërtohet Arca, një platformë e re e teknologjisë financiare (fintech) që synon të transformojë rrënjësisht industrinë e menaxhimit të pasurisë në Shtetet e Bashkuara.

Pas kësaj iniciative qëndron Rroni, një i ri me origjinë nga Kosova, i cili po përdor inteligjencën artificiale jo për të zëvendësuar njerëzit, por për t’i fuqizuar ata. I rritur në Kosovë, Rroni gjithmonë besonte se me mundësitë e duhura mund të arrinte gjëra të mëdha. Kjo bindje e solli atë në SHBA përmes një burse në Universitetin e Pensilvanisë (UPenn).

“ Kam lindur dhe jam rritur në Kosovë, një vend i vogël në Evropën Juglindore. Duke u rritur atje, gjithmonë kam pasur ëndërr të vija në Shtetet e Bashkuara. Si unë, ashtu edhe familja ime, besonim se mund të arrija më shumë dhe se, po të më jepej mundësia, mund të bëja gjëra të mëdha ”, ka thwnw ai nw njw intervistw pwr General Catalyst, transmeton KosovaPress.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Kam punuar shumë, pata fatin të fitoja një bursë për të studiuar në Universitetin e Pensilvanisë (UPenn), dhe kështu përfundova në SHBA. Edhe gjatë studimeve e kuptova shpejt se këtu ke vërtet mundësi të bësh më shumë. Mund të ndjekësh më shumë programe studimi, të fitosh diploma shtesë, të punosh në disa vende pune njëkohësisht dhe të krijosh më shumë përvojë.

Kjo hodhi themelet e bindjes sime se duhej ta shfrytëzoja këtë mundësi dhe të krijoja vlerë”. Pas përvojave të suksesshme në kompani të njohura të teknologjisë financiare si Cadre dhe Plaid, ai identifikoi një hendek të rëndësishëm në tregun financiar, veçanërisht për segmentin e ashtuquajtur “masiv-afluent”.

Këta janë individë që po krijojnë pasuri, por që shpesh gjenden të bllokuar në mes: ata nuk përfitojnë nga shërbimet ekskluzive të bankave të mëdha për ultra të pasurit, dhe nga ana tjetër, mjetet digjitale vetë-shërbyese (robo-advisors) nuk arrijnë të plotësojnë nevojat e tyre të ndërlikuara financiare, si planifikimi i trashëgimisë apo taksat. Këtu hyn në lojë Arca.

Ndryshe nga qasja tipike e shumë kompanive fintech që kërkojnë të automatizojnë gjithçka dhe të largojnë këshilltarin njerëzor për të ulur kostot, Arca e sheh këshilltarin si thelbësor dhe menaxhimin e pasurisë si një proces thellësisht emocional. Në momentet e luhatjeve të tregut, njerëzit shpesh bëjnë gabime nga paniku dhe ankthi.

Një këshilltar i mirë luan rolin e një piloti, duke u dhënë klientëve qetësi gjatë “turbulencave” financiare dhe duke u siguruar që ata të arrijnë në destinacionin e dëshiruar. Zgjidhja e Arca-s është një platformë e integruar, e krijuar që në fillim për të bashkëpunuar me inteligjencën artificiale. Agjentët e AI kryejnë 80% deri në 90% të punës administrative, analitike dhe përgatitore.

Ata analizojnë historikun e klientit, sugjerojnë optimizime portofoli dhe hapin llogari automatikisht. Kjo i ofron këshilltarit financiar një “kabinë piloti” të përkryer, duke i lënë hapësirë dhe kohë të fokusohet 100% tek pjesa njerëzore – ndërtimi i marrëdhënies, empatia dhe këshillimi emocional i klientit.

Duke ulur ndjeshëm kohën e shpenzuar në sisteme të ngadalta dhe të fragmentuara, Arca po u mundëson këshilltarëve të shërbejnë shumë më tepër klientë me të njëjtin cilësi të lartë, ashtu siç do të bënin sikur të kishin vetëm një klient të vetëm.

Ky model inovativ jo vetëm që po përmirëson jetën e profesionistëve të financës, por po demokratizon qasjen në këshillim financiar elitar, duke i dhënë mundësi një numri shumë më të madh njerëzish të realizojnë ëndrrat e tyre.

“Punova në kompani të shkëlqyera, mësova jashtëzakonisht shumë dhe, në një moment, kjo u shndërrua në një pasion të madh për të ndërtuar diçka timen nga e para”, ka thwnw Rexha. “Prandaj do të thosha se shumë gjëra u ndërlidhën me njëra-tjetrën – ardhja ime në SHBA, përvojat që fitova gjatë rrugës dhe momentet e rëndësishme që më çuan, në fund, te krijimi i Arca.

Natyrisht, gjatë këtij rrugëtimi pati shumë etapa dhe momente të rëndësishme që më formësuan”. Puna që po bën Rexha me Arca-n e tij ka tërhequr vëmendjen e shumë medieve në Amerike. Një shkrim që për të e ka bërë “Wealth Menagement” ka depërtuar deri te platforma e madhe Yahoo Finance.

Nw tw thuhet se Rron Rexha, ish-drejtues i produkteve në kompaninë Plaid, ka dalë nga faza e funksionimit të fshehtë (“stealth mode”) me kompaninë e tij të re, Arca – një firmë e menaxhimit të pasurisë e ndërtuar mbi inteligjencën artificiale – duke siguruar 64 milionë dollarë financim.

Financimi përfshin një raund fillestar (“seed”) prej 15.5 milionë dollarësh, të udhëhequr nga Venrock, si dhe një raund Series A prej 48.5 milionë dollarësh, të udhëhequr nga General Catalyst, me pjesëmarrjen e Index Ventures dhe Venrock.

Arca ka angazhuar si anëtarë të bordit dhe këshilltarë Bill McNabb, ish-kryetar dhe drejtor ekzekutiv i Vanguard, Jason Wenk, drejtor ekzekutiv i Altruist, autorin Morgan Housel, Peter Crawford, ish-drejtor financiar i Schwab, Alex Tran dhe Nat Levy-Westhead nga General Catalyst, si dhe Nick Beim nga Venrock.

Sipas dokumentit Form ADV të Arcas, kompania e regjistruar si këshilltare investimesh (RIA) u themelua mbi bazën e Granite Bay Wealth Management, një firmë me seli në Portsmouth, New Hampshire, e krijuar në vitin 2015 nga Joseph Skees dhe Paul Stanley. Para themelimit të saj, ata kishin punuar në Wells Fargo Advisors Financial Network.

Në maj të vitit 2026, Arca bleu Sandbox Financial Partners, një kompani RIA me seli në Bethesda, Maryland, e cila administronte rreth 682 milionë dollarë asete të klientëve. Sot, Arca menaxhon mbi 1 miliard dollarë asete të klientëve dhe ka 28 punonjës, të angazhuar në operacionet e menaxhimit të pasurisë, zhvillimin e produkteve dhe inxhinierinë.

Kompania planifikon ta përdorë financimin e ri për të zgjeruar bazën e klientëve, për të rekrutuar këshilltarë financiarë dhe për të zhvilluar më tej platformën dhe markën e saj. Altruist është kujdestari (“custodian”) kryesor i aseteve të Arcas dhe kompania pret që deri në fund të vitit të gjitha asetet ekzistuese të kalojnë në platformën e Altruist.

Të gjitha llogaritë e reja do të hapen në këtë platformë, ndërsa edhe asetet e firmave që Arca blen ose të këshilltarëve që i bashkohen kompanisë do të transferohen gradualisht te Altruist.

Sipas njoftimit të kompanisë, Arca synon të ofrojë shërbime këshillimi financiar me përfshirje të lartë personale, ndërsa infrastruktura e bazuar në inteligjencën artificiale do të marrë përsipër punët manuale dhe të përsëritura që zakonisht kryhen nga këshilltarët financiarë.

“Rron e kupton se inteligjenca artificiale mund të fuqizojë mekanizmat që qëndrojnë pas menaxhimit të pasurisë, por këshilltari financiar mbetet motori kryesor i këtij procesi”, tha Bill McNabb në një deklaratë, raporton Wealth Menagement. “Roli i këshilltarit është thelbësor dhe është ai që krijon ndikim të vërtetë e afatgjatë.

Inteligjenca artificiale mund të na ndihmojë ta bëjmë punën më mirë, por kurrë nuk do ta zëvendësojë dimensionin njerëzor të këtij profesioni jashtëzakonisht personal.” Edhe drejtori ekzekutiv i Altruist, Jason Wenk, vlerësoi qasjen e themeluesit të Arcas. “Njerëzit krenohen me atë që fitojnë dhe meritojnë të ndihen të sigurt financiarisht”, tha Wenk.

“Rron është një nga ata novatorë të rrallë që jo vetëm e kupton intuitivisht këtë realitet, por edhe e përballet drejtpërdrejt me këtë sfidë përmes punës së tij në Arca.

Ai po ndërton diçka të jashtëzakonshme që u mundëson këshilltarëve të jenë disa hapa përpara, të ofrojnë këshillat më të mira financiare dhe t’i bëjnë klientët të ndihen vërtet të mbështetur, ndërsa njëkohësisht redukton barrën operacionale duke shfrytëzuar përparimet më të fundit në inteligjencën artificiale”.

Burimi: Bota Sot