Shpërndaje në: Një nënë nga Venezuela ka humbur jetën teksa po përpiqej të shpëtonte vajzën e saj të vogël gjatë tërmeteve që goditën vendin. Gruaja e identifikuar si Andrea është bashkëshortja e futbollistit venezuelian Hector Bello. Bello shkroi në Instagram se “dashuria e tij e çmuar Andrea” i shpëtoi jetën vajzës së tyre të mitur gjatë dy tërmeteve të fuqishme.
“Do t’ia tregoj historinë se si e shpëtove, e dashura ime – se si e dhe jetën tënde për vajzën tonë, se si ishe një grua e guximshme që nuk e braktise kurrë, edhe në çastet e fundit të jetës tënde”, ka shkruar Bello.
Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në rrënoja për të gjetur të mbijetuar, pasi dy tërmetet pranë kryeqytetit Karakas kanë lënë të vdekur të paktën 589 persona dhe kanë lënduar afro 3.000 të tjerë. Në një seri postimesh, Bello ka bërë të ditur se ka udhëtuar drejt Karakasit, ku vajza e tij po trajtohet në spital. “Vajza ime dhe tezja e saj janë mirë.
Ato nuk do të dalin sot nga spitali, do të qëndrojnë ende aty. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen në këtë dhimbje të madhe”, ka shkruar ai. Në një tjetër postim në Instagram, futbollisti ka shprehur dhimbjen për humbjen e bashkëshortes. “Si t’ia shpjegoj vajzës tënde se ti e humbe jetën për ta shpëtuar atë dhe se unë nuk isha aty për të bërë asgjë? Si t’ia shpjegoj?
Më jep forcë tani”, shkroi ai.
