Klinë, : I nderuari kryetar i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i nderuari Ismet Krasniqi, ish-sekretar i Kuvendit të Kosovës, i nderuari Rame Manaj, ish-zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës, të nderuar familjarë të familjes Manaj, të nderuar zyrtarë të Komunës së Klinës, tënderuar pjesëmarrës të këtij promovimi dhe dashamirë të librit dhe fjalës së shkruar, Sot ndihem dyfish i privilegjuar.
Së pari, që jam recenzent i këtij libri, së bashku me Prof. Dr. Bekim Sejdiun, ish-ambasadorin e Republikës së Kosovës në Ankara dhe në Nju-Jork, njërin ndër ambasadorët më të mirë që ka pasur ndonjëherë Kosova, si dhe me krijuesin e publicistin, redaktorin e këtij botimi, z. Skënder Zogaj.
Së dyti, pas një mërgimi të pafund përtej Atlantikut, që gjendem në vendlindje, këtu në komunën time, në mesin tuaj, me shumë miq, shokë gjenerate e bashkëkombës, të cilët i kam mall dhe i çmoj pa masë. Këtë fjalë të rastit do ta ndaj në dy pjesë: 1. Një vështrim të shkurtër për librin; dhe 2.
Dy fjalë për një borxh të madh ndaj autorit, i cili fatbardhësisht është pjesë e librit dhe e rrugëtimit të tij e tonit në kthesën historike që na e ndryshoi fatin dhe të ardhmen, pra z. Rame Manaj.
Pasi e kisha lexuar dhe rilexuar librin “Ecje ndër Vite” të Rame Manajt, isha menduar gjatë e thellë se si ta titulloja recensionin tim, pasi përmbajtja e librit përmbledh çështjen më sublime të rrugëtimit të popullit shqiptar: luftën për çlirim, shpalljen e shtetit dhe vendosjen e themeleve shpirtërore të atdheut tonë shqiptar, të quajtur Kosovë.
Prandaj u përcaktova ta titulloja: “Në kërkim të lirisë dhe kujtesës”.Në historinë tonë, jo rrallë, të tjerët, fatkeqësisht, kanë vendosur për fatin tonë dhe, për këtë arsye, edhe sot jemi njëri ndër popujt më të shpërndarë në Ballkan dhe Evropë, të cilët jetojmë në pesë-gjashtë shtete dhe kufizohemi me vetveten.
Fatet e errëta na kanë përcjellë gati gjysmën e historisë së popullit tonë në Kosovën, e cila gati një shekull, pa dëshirën tonë, mbeti nën okupimin serb.
Pikërisht gjysma e dytë e shekullit që lamë pas do të jetë periudha e ndryshimeve të mëdha, e ndërrimit të epokave, e rënies së sistemeve ideologjike të sforcuara nga njëmendësit totalitarë, të pasuara edhe me luftëra të tmerrshme për liri dhe identitete të reja gjeopolitike.
Në këto furtuna të trazuara të Ballkanit, populli ynë përjetoi vuajtjet më të rënda, duke qenë kështu populli më i keqtrajtuar padrejtësisht në shekullin XX. E vërteta jonë ishte e ngulfatur, si edhe më parë gjatë historisë, shpeshherë, dhe bota nuk ishte e gatshme ta dëgjonte zërin tonë, ndërsa kërkesa jonë ishte aq e thjeshtë, e drejtë dhe fisnike: donim vetëm liri dhe pavarësi.
Fundi i çerek shekullit që lamë pas ishte i rëndë dhe shumë i pashpresë për tërë Kosovën. Edhe përkundër kërkesave tona të pandalura, me të cilat synohej të ndalej shtypja, përbuzja dhe nëpërkëmbja e popullit tonë, megjithatë ne vazhdonim të mbeteshim të ngulfatur në rrethin vicioz: të pabarabartë dhe të denigruar nga sistemi i atëhershëm në fuqi.
Skamja vazhdonte të ishte karakteristikë e përgjithshme. Vetëm sa kishin filluar migrimet e njerëzve tanë jashtë, të cilat aty-këtu filluan të sjellin pak ndryshime në jetën tonë. Megjithatë, nevojitej që arsimi të na afrohej si mundësi për të ecur përpara dhe për ta transformuar vetveten.
Mbetja, pa dëshirën tonë, në një krijesë shtetërore e cila nuk kishte të bënte asgjë me kombin tonë dhe ngritja e lakut të shtypjes me vite, madje duke e cunguar edhe atë autonomi të mangët që e kishim fituar me mund, do të sillnin përfundimisht vitet e kthesës, të vetëdijesimit dhe të përgatitjes drejt shkëputjes, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Pra, këto janë vitet më dramatike të veprimit, sakrificës dhe luftës për çlirimin e Kosovës; vitet e LDK-së, në krye me vizionarin dhe themeltarin e pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, si dhe vitet e heroizmit epik të Adem Jasharit dhe të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo periudhë e kthesës së madhe, nga shtypja e deri te lufta dhe pavarësia e Kosovës, janë njëkohësisht edhe vitet që shënojnë historinë tonë të ndritshme dhe ecjen tonë të lavdishme drejt një epoke të re: asaj të Pavarësisë.Kjo ecje është e gjatë në kohë dhe hapësirë, e pafund në dhembje dhe sakrifica, e ngritur mbi ata që u flijuan që ne sot ta jetojmë dhe ta gëzojmë atë.
Dhe pikërisht këtë ecje plot lot e gjak kundër sundimit të egër serb, të përjetuar për vite e dekada në shpirtin dhe familjen e tij, do ta gjejmë në librin “Ecje ndër Vite” të veprimtarit, publicistit dhe udhëheqësit emblematik politik të kohës, z. Rame Manaj. Z.
Rame Manaj, përmes pothuajse një ditari personal të jetës dhe veprimtarisë së tij kombëtare, me një modesti të paparë, i hyn një pune me shumë vlerë: asaj të ndriçimit historik dhe publik të enigmës së fitores së Kosovës përballë pushtimit serb.
Dhe këtë, në mënyrë kronologjike, me veten si pjesëmarrës në këto ngjarje, na i jep hallkat e atij zinxhiri në zgjimin e vetëdijes sonë, rezistencën edhe me çmimin e jetës, të pasuar me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Thuhet se historia shkruhet më së miri dhe në mënyrë më besnike nga ata që e përjetojnë epokën të cilën e përshkruajnë dhe që ishin pjesë e saj. Andaj, ky rast koincidon më së miri me ecjen jetësore të Rame Manajt përgjatë gjithë sfidave, vuajtjeve, sakrificave dhe arritjeve, nga robëria, lufta dhe çlirimi i Kosovës e deri te shtetndërtimi i saj.
Rame Manaj, në këtë roman autobiografik, në mënyrë shumë besnike dhe të sinqertë, duke qëndruar pranë ngjarjeve nëpër të cilat kaloi gjatë një jete, përshkruan në mënyrë brilante realitetin e hidhur dhe fatin e pafat që Kosovës i ndodhi për afro një shekull nga një komshi gllabërues, për të cilin në një këngë tonën thuhet: “Ne kem pas nji rrezik të zi, qysh se kem dreqin kojshi.”E tëra kjo duke e vënë në pah qëndresën epike të popullit tonë dhe përkushtimin për çlirim, edhe me çmimin e jetës.
Libri, në pika të shkurtra, në vetvete përfshin, pos përshkrimit të prejardhjes historike të familjes Manaj, fshatin Gllarevë, shtëpitë në zë, gjendjen e vështirë ndër breza nën regjimin serbomadh, të gjitha dredhitë e tyre, si dhe rritjen e shtypjes dhe suprimimin edhe të atyre të drejtave që Kosovës tanimë i ishin dhënë.
Shpjegimi i Manajt për qëndresën dhe veprimin politik në kuadër të LDK-së, në ato rrethana, është unik. Ai tregon rastet e veçanta të ballafaqimit të drejtpërdrejtë me policinë serbe, dhunën dhe shantazhet e tyre, si dhe përcaktimin tonë për ndarje me çdo çmim.
Pjesë e veçantë dhe shumë prekëse janë vitet e fundit të luftës, 1998–1999, kur Kosova tanimë ishte e përfshirë në luftë, dhe krimet serbe që u kryen ndaj civilëve shqiptarë, duke përfshirë edhe pesë anëtarë të familjes së Rames, në mesin e tyre vëllanë dhe djalin.
Përshkrimi i Manajt i kataklizmës gjenocidale që serbët aplikuan ndaj shqiptarëve, me dëbime nga shtëpitë, dërgimin në kampe, ekzekutimin e tyre dhe dëbimin jashtë atdheut, nëpër kalvaret e të cilave edhe vetë kaloi, është unik.
Gjatë kësaj ecjeje tragjike të Rame Manajt, familjes së tij dhe tërë heronjve e martirëve të kombit, fiton përshtypjen se nuk je duke lexuar, por se je së bashku në këtë ecje me autorin.
Këtë pjesë të sakrificës sonë, si pjesë e lirisë që ne gëzojmë, dhe fytyrën e vërtetë të “kojshiut” tonë, i cili donte të na çfaroste nga faqja e dheut, askush më mirë deri më sot në letrat shqipe nuk e ka përshkruar sesa Rame Manaj në romanin “Ecje ndër Vite”
Por, “Ecja ndër vite”megjithatë, nuk është vetëm histori personale, por një dëshmi gjallë e një periudhe tragjike, duke i ofruar lexuesit tablo jete në kohërat më të vështira, se si njeriu mund të mbijetojë falë shpresës, qëndresës dhe dashurisë për jetën e atdheun.
Manaj, në libër, përshkruan në mënyrë shumë të thellë edhe periudhën e çlirimit dhe të shtetndërtimit të Kosovës, në kohën kur ai do të zgjidhej për dy mandate kryetar i Komunës së Klinës, e pastaj edhe sekretar i përgjithshëm i LDK-së dhe nënkryetar i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Periudhë kjo e tranzicionit, me mbikëqyrje ndërkombëtare, me shumë sfida të papritura, me shumë suksese dhe jo pak huqje. Më vonë, Rama do ta udhëheqë Institutin e Arkivave të Kosovës për tetë vjet dhe do të bëjë punë shumë të vlefshme brenda dhe në mërgatë, e posaçërisht në SHBA.
Libri, në përfundim, begatohet me disa mendime të personaliteteve me bagazh të lartë intelektual e kombëtar për librin dhe personalitetin e autorit.
Pra, libri i Manajt “Ecje ndër vite” përvijon, në vija të trasha, përmes rrëfimit autobiografik të autorit, pesë periudha kapitale dhe dramatike të ecjeve të Kosovës në harkun kohor prej mbi një gjysmë shekulli: Jetën para luftës, në të cilën përshkruan jetën e përditshme nën presionin e përhershëm serb, ku shqiptarët përballeshin me padrejtësi, diskriminim dhe mungesë të lirive e të drejtave themelore.
Atmosferë kjo e rëndë, me plot pasiguri dhe pa shpresë. Shpërthimin e luftës, trimërinë e vazhdueshme, humbjet njerëzore, krimet e pandalura,me ç’rast shumë familje detyrohen të largohen dhe të jetojnë si refugjatë, shpesh duke ecur me orë apo ditë të tëra për të shpëtuar jetën, fat ky që do ta përcillte edhe vetë autorin dhe familjen e tij.
Qëndresën dhe shpresat, pavarësisht vuajtjeve që mbartte forca shpirtërore e njerëzve, të cilat i përcjell me solidaritet, ndihmë reciproke dhe besim në lirinë e munguar.
Kjo pjesë e librit është përshkruar në mënyrë shumë emocionale nga autori.Në pjesën e fundit të ecjes së Rame Manajt, në periudhën dramatike, paraqitet reflektimi pas luftës, humbjet e mëdha, nevoja për paqe e kujtesë historike dhe rindërtimi i vendit, si dhe formimi i shtetit të lirë.
Pra, në thelb, libri përvijon mesazhin se e kaluara nuk duhet kurrë të harrohet, por ajo duhet të shërbejë si mësim për brezat e ardhshëm. Andaj, në të vërtetë, libri “Ecje ndër vite” nuk është vetëm histori personale, por është një dëshmi e gjallë e një periudhe tragjike, e cila do t’u qëndrojë kohërave.
Mu bash për këtë, fakti që autori rrëfen në vetën e parë përjetimet e tij, e bën veprën shumë më të fuqishme emocionalisht, sepse nuk është thjesht histori, por dëshmi reale. Në këtë mënyrë, lexuesi lidhet drejtpërdrejt me ndjenjat dhe traumën e autorit.
Në këtë pikë, e cila është qendrorja e librit, autori nuk paraqitet vetëm si individ, por si zë i një populli të tërë në vitet e luftës 1998–1999. Vuajtjet dhe traumat, dhuna fizike dhe psikologjike, humbja e të dashurve dhe pasiguria e vazhdueshme, autori nuk i paraqet vetëm si ngjarje, por si plagë shpirtërore kolektive që mbeten edhe pas luftës.
Në fund, është për çdo admirim stili i gjuhës të cilën në rrëfimet e tij e përdor Rame Manaj: një gjuhë tejet modeste, por shumë emocionale, jo rrallë me tone reflektuese dhe meditative. Në këtë rrafsh, ai nuk përdor zbukurime të tepërta letrare, sepse vetë realiteti është mjaftueshëm i rëndë për të prekur lexuesin.
Ndërsa unë, në këtë vështrim modest timin të librit “Ecje ndër vite”, nxjerr si bazament të veprës, përmes rrëfimit personal të Rame Manajt, të gjithë forcën e jashtëzakonshme të popullit tonë për të mbijetuar ndër vite dhe ndër shekuj, duke vënë në pah vlerën e jetës, lirisë dhe kujtesës. Me qëllim, në fillim e nënvizova “Dy fjalë ndaj një borxhi të madh”, duke aluduar në autorin.
Ka borxhe në jetë dhe histori që janë të vogla dhe kthehen lehtë, por ka të mëdha që nuk kthehen asnjëherë. Ka njerëz të cilët me asgjë nuk e shenjojnë jetën, por ka të tillë të cilët çdo hap të jetës lënë gjurmë pozitive në familje, atdhe dhe komb. Të tillët lidhin epokat, shenjojnë kohën dhe bëjnë historinë që mbetet trashëgimi e gjeneratave.
Këta njerëz historia do t’i kujtojë jo vetëm për veprën e tyre jetësore, por edhe për mënyrën se si qëndruan: kurrë të pamposhtur, të padorëzuar, në mbrojtje të tokës sonë dhe qenies sonë kombëtare.I tillë është miku im i nderuar që nga rinia e hershme, z.
Rame Manaj, veprimtari i devotshëm i çështjes kombëtare, udhëheqës emblematik i rezistencës dhe i shtetndërtimit, bujar dhe fisnik deri në pafundësi, i cili qëndron stoik në parimet e veta dhe në dedikimin e palëkundur dhënë Kosovës. I brumosur me ide atdhetare nga rrënjët familjare, i përgatitur intelektualisht, me një burrëri të pashoqe politike, ai Kosovën e ka mbi të gjitha.
Deri në pensionim, e edhe sot e tutje, qëndron aktiv dhe i pandalur. Rames, edhe kur forcat kriminale serbe ia morën më të dashurit e tij, ai dhimbjen, e cila nuk iu shua kurrë, e ktheu në qëndresë, ndërsa jetën në shërbim të atdheut. Jam dëshmitar i veprimtarisë së pandalur të Rame Manajt edhe sot.
Pos dy projekteve që kemi realizuar viteve të fundit në SHBA, në mbledhjen e dokumenteve arkivore me vlera historike, të cilat i kemi sjellë në Kosovë, vitin e kaluar Rame Manaj po ashtu në SHBA ka organizuar ekspozitën për krimet serbe në Kosovë gjatë viteve 1998–1999.
Pra, miku im dhe ish-kryetari i Komunës sonë, i nderuari Rame Manaj, vazhdon tutje të na bëjë borxhli mua, neve, Kosovës dhe Kombit. Urimet më të sinqerta për librin! Të uroj nga zemra shëndet, jetë të gjatë dhe të mos ndalesh së vepruari e së shkruari.
Ndërsa ne do të jemi mirënjohës dhe borxhlinj të përjetshëm për veprën, sakrificën dhe krenarinë tënde, të dhuruara atdheut dhe kombit tonë.
