Një vrasje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së dielës fshatin Zlipotok të Dragashit, ku një 46-vjeçar mbeti i vrarë pas një përleshjeje mes disa personave, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se një person dyshohet se është goditur me një mjet të mprehtë gjatë konfliktit. Policia është njoftuar rreth orës për një rrahje në fshatin Zlipotok.
Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë hasur viktimën të shtrirë në tokë, me lëndime të rënda dhe i mbuluar në gjak. Ekipi mjekësor nga QKMF-ja në Dragash ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, por vetëm ka mundur ta konstatojë vdekjen e 46-vjeçarit. Sipas informacioneve të para, i dyshuari është larguar dhe ndodhet në arrati.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante të Policisë së Kosovës, përfshirë hetuesit rajonalë, komandantin e Stacionit Policor në Dragash dhe Prokurorin kujdestar, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Ndërkohë, njësitet patrulluese të Policisë së Dragashit dhe Njësia Rajonale për Siguri të Lartë janë angazhuar në kërkimin e të dyshuarit, i cili ende nuk është arrestuar. Sinjali do t’ju mbajë të informuar me të gjitha zhvillimet dhe detajet e reja lidhur me këtë rast të rëndë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
