Nga: Augustin Palokaj Shpërndaje në: SHBA-ja shënoi në mënyrë madhështore 250-vjetorin e pavarësisë. Por Amerika sot diskuton se a është akoma ashtu siç e kishin paramenduar etërit e pavarësisë apo jo. Sot Amerika është shumë e ndarë përbrenda dhe në nivelin më të ulët të besimit që gëzon tek aleatët.
Por Evropa, si aleate kryesore e SHBA-së, duhet po ashtu ta dijë se sikur të mos ishte Amerika, Evropa sot nuk do të ishte as e lirë e as e bashkuar. Përderisa vëmendja e botës është kthyer më së shumti nga futbolli, me Amerikën si epiqendër, SHBA-ja shënoi 250-vjetorin e pavarësisë, e pavarësia është kusht edhe për lirinë.
Më së shumti u festua në kryeqytetin e tanishëm, Washington, në kryeqytetin e vjetër, Philadephia – ku edhe u nënshkrua deklarata e pavarësisë para 250 vjetësh – dhe në qytetin më të madh amerikan në New York. Por festa të mëdha u bënë edhe jashtë Amerikës. Sepse Amerika dhe pavarësia e saj kanë pasur dhe akoma kanë ndikim të madh në zhvillimet në tërë botën.
Pos që u bë fuqia më e madhe, Amerika ka qenë gjithmonë edhe demokracia më e madhe, ekonomia më e madhe dhe shembulli më i mirë i lirisë dhe prosperitetit. Por a është e tillë edhe sot? Me këtë pyetje përballen analistët dhe në vetë Amerikë, ku si kurrë më parë janë ndarë në baza ideologjike.
Këto ndarje i ka ushqyer shumë presidenti i tanishëm, Donald Trump, me mënyrën se si ai përballet me kundërshtarët politikë, si i sulmon mediat dhe gazetarët, si i kritikon gjykatësit dhe nuk i përfill as strukturat e tjera mbi të cilat u ndërtua Amerika me themelet që u vendosën në Philadephia para 250 vjetësh.
Në mediat e djathta në Amerikë debati bëhet mbi atë se a është sa duhet patriotike sot Amerika. Përmenden rreziqet nga socializmi, islamizmi dhe migracioni. Në mediat më liberale flitet për largimin e Amerikës së sotme nga parimet që i kishin pasur si motiv George Washingtoni, Thomas Jefersoni, Benjamin Franklini dhe liderët e tjerë historikë të periudhës së para 250 vjetësh.
A është sot Amerika ajo që si bazë ka lirinë, pavarësinë dhe lumturinë si të drejtë të dhënë nga krijuesi, apo është një Amerikë e cila ka devijuar nga bazat e saj mbi të cilat është ndërtuar dhe të cilat i ka mbrojtur aq fuqishëm për 250 vjet. Pos që është e ndarë nga brenda, SHBA-ja ka humbur shumë besimin tek aleatët.
Sot vetëm 12 për qind e evropianëve, sipas anketave, besojnë se SHBA-ja është aleate e besueshme e tyre dhe se në rast nevoje, do t’u dilte në mbrojtje. Madje sot evropianët më shumë u besojnë vendeve me diktatura apo regjimeve autoritare sesa Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Mosbesimi ndaj Amerikës nuk është i madh vetëm te vendet si Gjermania, Franca dhe Spanja, por edhe te vendet të cilat tradicionalisht kanë qenë shumë proamerikane. Disa mendojnë se Amerika është një „partner i domosdoshëm“ ndërsa gjithnjë e më shumë e shohin edhe si kundërshtare.
Ky mosbesim pa dyshim se është rritur për shkak të kritikave e nganjëherë edhe kërcënimeve nga presidenti Donald Trump. Ai me deklaratat e tij ka vënë në dyshim ekzistencën e NATO-s, gatishmërinë amerikane për t’u dalë në mbrojtje aleatëve e deri te kërcënimet territoriale si ato ndaj Kanadasë apo Grenlandës që është territor i Danimarkës, një vend anëtar i NATO-s.
Pastaj ka kërcënuar vazhdimisht partnerët evropianë edhe me tarifa të mëdha për importin e mallrave, duke i sjellë raportet tradicionale para një lufte të madhe tregtare me pasoja të rënda.
Përderisa SHBA-ja shënoi në mënyrë madhështore 250-vjetorin e pavarësisë dhe Amerika diskuton se a është akoma ashtu siç e kishin paramenduar etërit e pavarësisë apo jo, në 250-vjetorin e pavarësisë së Amerikës, edhe evropianët janë para sfidës se si t’i shohin raportet transatlantike në të ardhmen.
Sot Amerika pos që është shumë e ndarë përbrenda, është edhe në nivelin më të ulët të besimit që gëzon tek aleatët. Por Evropa, si aleate kryesore e SHBA-së, duhet po ashtu ta dijë se sikur të mos ishte Amerika, Evropa sot nuk do të ishte as e lirë e as e bashkuar.
Që nga zbarkimi amerikan në Normandi që ishte vendimtare për një fitore ndaj fashizmit, përmes angazhimit në rindërtimin e Evropës me Planin Marshal, ndërtimin e BE-së, formimit të NATO-s si shtyllë të mbrojtjes kolektive euroatlantike, shembjes së murit të Berlinit e deri te ndërhyrja në Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë, roli amerikan ishte vendimtar për Evropën.
Këtë duhet ta kenë parasysh edhe evropianët, të cilët nuk duhet t’i bazojnë qëndrimet rreth Amerikës vetëm në bazë të pakënaqësive me sjelljen e presidentit aktual. Sepse Amerika nuk ka filluar e as që nuk do të përfundojë me Trumpin. Siç nuk ka përfunduar as me paraardhësit e tij.
Evropa, e cila me të drejtë e ka kuptuar se sigurinë e saj nuk duhet ta bazojë aq shumë në Amerikën, por duhet të rrisë edhe kapacitetet e veta, nuk duhet të harrojë se nuk ka aleate më të madhe sesa Amerikën. Prishja e raporteve mes Evropës dhe Amerikës i gëzon vetëm kundërshtarët e botës së lirë demokratike, liderë të së cilës akoma janë Evropa dhe Amerika.
